Tiranë, 19 prill 2024 – Veprimtarë të opozitës dhe të Aleancës për Teatrin protestuan edhe sot për të tretën herë para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiaut Erjon Veliaj.
Ata hodhën lëndë shpërthyese mbi derën e bashkisë, ndërsa folësit kërkonin transparencë për aferat korruptive të drejtorëve bashkiakë të arrestuar nga SPAK-u.
Misionet diplomatike perëndimore dënuan aktet e dhunës gjatë kësaj proteste me një seri deklaratash, ku kërkuan që dhuna të refuzohet nga aktorët politikë të përgjegjshëm.
Ashtu si edhe në protestën e mëparshme, disa veprimtarë opozitarë hodhën sot lëndë shpërthyese mbi ndërtesën e bashkisë së Tiranës gjatë protestës periodike, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Erjon Veliaj.
Sasia dhe intensiteti i shisheve shpërthyese tip molotov ishin sot më të mëdha, ndërsa zhurma e shpërthimeve përzjehej me thirrjet e disa folësve, politikanë dhe artistë të Aleancës për Teatrin, që kërkonin hetime të thelluara për korrupsionin në bashki.
Disa drejtorë e ish drejtorë janë arrestuar nga SPAK-u nën dyshimet për aferën korruptive të shoqërisë 5D.
Zoti Veliaj është distancuar nga veprimet e drejtorëve, duke theksuar se ai nuk ka nënshkruar asnjë dokument prej nga mund të burojë përvetësim i fondeve publike, se ai nuk mund të dijë mbi veprimet e drejtuesve nëpër sektorë të ndryshëm bashkiakë, dhe se përgjegjësitë e secilit para drejtësisë janë personale.
Dhuna dhe shpërthimet e sotme para bashkisë u dënuan gjerësisht nga misionet diplomatike perëdnimore të akreditura në Shqipëri.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara reagoi për zhvillimet e sotme përmes një deklarate, ku dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës.
“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në deklaratën e selisë diplomatike amerikane në Tiranë.
Dhunën gjatë kësaj proteste e kanë dënuar edhe përfaqësitë diplomatike të BE-së dhe Britanisë së Madhe.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri “dënoi fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”.
Në deklaratën e tij theksohet se “akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”.
Ambasada britanike “dënoi përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit”. Ajo deklaroi se “skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci”. Në deklaratë theksohet se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të kërkojë që “të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet të kryhen përmes proceseve demokratike, pa dhunë dhe se duhet respektuar sundimi i ligjit”.
Edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dënoi aktet e dhunës gjatë protestës së sotme përpara Bashkisë së Tiranës. “Protesta paqësore është akt demokratik legjitim, dhuna jo”, theksohet në reagimin e zyrës së OSBE-së.
Ambasada e Italisë po ashtu “dënoi aktet e dhunës të kryera sot gjatë protestës” së zhvilluar para Bashkisë së kryeqytetit. “E drejta për t’u organizuar paqësisht e për të protestuar është thelbësore në një shoqëri demokratike, por dhuna ndaj objekteve apo personave nuk është aspak e justifikueshme”, theksohet në reagimin e kësaj ambasade.
Kjo ishte protesta e tretë para bashkisë, ku kërkohet dorëheqja e kryebashkiakut Veliaj pas arrestimit nga SPAK-u të disa prej drejtorëve më të rëndësishëm, bashkëpunëtorëve të tij të afërt, në dhjetor për aferën e inceneratorëve dhe në mars për aferën e Shoqërisë 5D.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)