Përfundon pa marrëveshje takimi Qeveri – sindikatë, greva vazhdon

Prishtinë, 13 shtator 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, dhe ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë takuar të hënën në mëngjes përfaqësuesit e Këshillit Grevist të arsimit parauniversitar të Kosovës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje që do t;I jepte fund grevës së mësimdhënësve.

Por, as në këtë takim nuk është gjetur zgjidhja që do t’i hapte dyert e shkollave për të filluar viti i rishkollor, i ciliduhet të fillonte më 1 shtator.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës (SBASHK), Rrahman Jashari, i cili ka qenë pjesë edelegacionit të Këshillit Grevist, ka bërë të ditur se në këtë takim, të cilin ai e ka quajtur përmbajtjesor, nuk është arritur ndonjë marrëveshje dhe se të dy palët kanë qëndruar në pozicionet e tyre.

“Takimi ishte i gjatë. Të dy palët i thanë mendimet e tyre. Ne, si këshill, i prezantuam kërkesat tona legjitime. Ata na treguan prapë për angazhimet që i kanë bërë. Mund të them se takimi ishte përmbajtjesor, por asgjë s’ka ndryshuar. Qeveria qëndron në deklarimet e saj, ne po ashtu”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka bërë të ditur se “temë e nxehtë” e diskutimit ka qenë shuma e pagës shtesë për mësimdhënësit.

“Temë e nxehtë ishte edhe pakoja. Ata, pa diskutime me ne, e kanë dhënë (50 euro). Ne insistuam që kjo shumë të lëvizë. Ishim të gatshëm të bëjmë kompromis, por Qeveria mbeti te shuma e proklamuar”, ka thënë ai.

“E lutëm kryeministrin, Nagavcin e Muratin që të angazhohen, të ofrojnë një lëvizje të re, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë. Lëvizje nuk pati”, ka shtuar ai.

Jashari ka thënë se kjo shumë e pagës shtesë është e papranueshme për mësimdhënësit.

 “Anëtarësia do t’i thotë ‘jo’ dhe kjo do të thotë se jemi në situatë të tillë’, është shprehur ai.

I pyetur se cili ishte arsyetimi i qeverisë, Jashari ka thënë se kryeministri Kurti ka thënë se “ky dimër “do të jetë i vështirë’ dhe Qeveria do të përpiqet të zbusë pasojat e krizës energjetike, përmes pakove mbështetëse për kategori të ndryshme.

Sidoqoftë, Jashari e ka vlerësuar si lëvizje pozitive fillimin e dialogut midis qeverisë dhe sindikatës.

“Lajmi më i mirë është që dialogu filloi. Uroj që dialogu të vazhdojë!”, është shprehur ai.

Mësimdhënësit e arsimit parauniversitar dhe punëtorët e administratës janë në grevë prej 25 gushtit. Ata po kërkojnë nga 100 euro shtesë në muaj, deri në miratimin e Ligjit të Pagave të sektorit publik.

Por, Qeveria, përmes pakos së mbështetjes për përballimin e inflacionit, ka propozuar 50 euro shtesë të pagës për 4 muajt e fundit të këtij viti 9shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor).

(r.m.)