Bruksel, 23 qershor 2022 – Në selinë e Bashkimit Evropian (BE), ka përfunduar Samiti BE-Ballkani Perëndimor ku 27 krerë shtetesh dhe qeverish evropiane diskutuan me kolegët e tyre nga rajoni mbi sfidat, me të cilat përballen së bashku, veçanërisht në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës.
Mësohet se shumë liderë janë shprehur në favor të liberalizimit të vizave dhe presin që kjo çështje të ngrihet në të ardhmen. Ky takim nuk ishte një mbledhje vendimmarrëse.
Më herët, kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel, theksoi se në BE ka një atmosferë gatishmërie për të ripërtërirë procesin me Ballkanin Perëndimor.
Michel konfirmoi se prioriteti kryesor i BE-së tani për tani është hapja e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe vazhdimi i kontakteve intensive me Bullgarinë, për të dhënë dritën jeshile për fillimin e procesit.
Mirëpo, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, tha se është i zhgënjyer me mungesën e progresit në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për pranim në BE.
“Nuk jemi ku do të duhej të ishim me Ballkanin Perëndimor. Sot ne do duhej të lansonim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim. Ende ka shpresa, nuk e di çfarë mund të bëjë Parlamenti bullgar në orët në vazhdim”, tha Borell.
Ai, gjithashtu, përmendi arritjen e marrëveshjes për energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dy ditë më parë. Ai paralajmëroi se “ndoshta deri në fund të muajit mund të kemi një mbledhje tjetër të nivelit të lartë në kuadër të dialogut”.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të konfirmuar perspektivën e anëtarësimit të rajonit në familjen evropiane.
“Këto vende kanë punuar shumë në këtë drejtim dhe ne do të mundësojmë që kjo (anëtarësimi në BE) të ndodhë”, theksoi kancelari gjerman.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj, kërkoi që procesit të liberalizimit të vizave t’i jepet fund.
“Qytetarët e mi ndihen të diskriminuar, pavarësisht se janë populli më pro-evropian dhe i plotësojnë të gjitha kriteret prej katër vjetësh. Ata mbeten të izoluar në zemër të kontinentit ku jetojnë”, tha ajo, duke shtuar se është e vetmja lidere në këtë samit që është dashur të pajiset me vizë për të marrë pjesë në të.
“Për t’i vënë gjërat në perspektivë, ka liberalizim të vizave për vendet e largëta si Venezuela, por qytetarët e Kosovës që jetojnë në një distancë të shkurtër me makinë, që jetojnë në fqinjësinë tuaj, nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Kjo është një padrejtësi e madhe. Kosova ka bërë pjesën e saj, tani është radha juaj”, shtoi Osmani.
Presidentja Osmani tha gjithashtu se vlerat e BE-së rrezikojnë të zhvleftësohen pa një perspektivë të qartë me rajonin. Ajo tha se mosintegrimi i vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur ndaj aktorëve dhe kërcënimeve malinje.
“Ballkani Perëndimor nuk është një fqinjësi e thjeshtë, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse këtë vit ne kemi vendosur të aplikojmë për statusin e vendit kandidat në BE dhe shpresojmë që mbledhja e radhës e Këshillit, ta mbështesë aplikimin tonë”.
Osmani tha se lufta në Ukrainë ka shënuar një pikë kthese për kontinentin evropian dhe se ka ripërcaktuar të ardhmen e tij.
“Ajo duhet të jetë një shtysë për veprim të përshpejtuar nga BE-ja, ndaj atyre shteteve që synojnë të anëtarësohen, dhe më e rëndësishmja, atyre shteteve që përkasin këtu”, tha ajo.
“Është koha për vendime të guximshme, e jo për gjysmë hapa, për sa i përket integrimit”, shtoi Presidentja Osmani.
(Sipas REL)