Çështje të emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both
Aplikantët për strehim politik është mirë që gjithnjë të përgatiten përpara intervistës në mënyrë që të rrisin gjasat që kërkesa e tyre të aprovohet. Duhet të mblidhet dokumentacioni dhe dëshmitë e duhura si dhe u duhen bërë fotokopje për t’i dërguar së bashku me kërkesën. Zyra e kërkesave për azil politik nuk pranon video ose imazhe fotografike si provë, kështu që është e nevojshme që ato të printohen dhe të bëhen në dy kopje. Për periudhën e pandemisë që po kalojmë, janë hartuar disa rregulla të përkohshme që kanë për qëllim zvogëlimin e numrit të personave të pranishëm në zyrë gjatë intervistës.
Ditën e intervistës duhet të sillni me vete:
• Një dokument identifikimi, ndonjë pasaportë që mund të keni ose ndonjë dokument tjetër udhëtimi apo identifikimi, formularin I-94 (Arrival-Departure Record) në rast se ju kanë dhënë një të tillë kur hytë në SHBA;
• Çertifikatat origjinale të lindjes dhe të martesës ose dokumenta të tjerë origjinalë, fotokopjet e të cilëve i keni dërguar së bashku me formularin I-589 (Application for Asylum and for Withholding of Removal) kur paraqitet kërkesën për azil;
• Një kopje të formularit I-589 si dhe të gjithë dokumentacionin shtesë shoqërues që keni dërguar kur bëtë kërkesën për azil, në rast se zyra e emigracionit për azil politik mund të ketë humbur këtë informacion;
• Çfarëdolloj dokumentacioni shtesë që keni mundësi të paraqisni dhe që e ndihmon çështjen tuaj të cilin nuk keni patur mundësi ta paraqisni në kohën kur dërguat aplikimin;
• Bashkëshortja/i dhe/ose fëmijët nën moshën 21 vjeç, nëse janë përfshirë në aplikim në kohën kur u paraqit aplikimi, duhet të sjellin me vete dokumentet përkatëse të identifikimit, të udhëtimit si dhe të gjitha dokumentat në mbështetje të kërkesës për azil derivativ, që kanë në dispozicion. Megjithëse kërkohet që në aplikim të listohen të gjithë anëtarët e familjes, të vetmit që duhet të merrni me vete në intervistë do të jenë ata anëtarë të familjes që do të përfshihen si aplikantë për status derivativ në vendimin që do të marrë zyra e azilit;
• Përkthimet e noterizuara të të gjithë dokumentave të paraqitur që nuk janë në anglisht. Cilido dokument që është në një gjuhë tjetër që nuk është anglishtja duhet shoqëruar me përkthimin përkatës në anglisht i cili duhet të shoqërohet me vërtetimin e noterizuar që dëshmon që përkthimi është i plotë dhe i saktë. Përkthyesi duhet të vërtetojë që është në gjendje të përkthejë nga gjuha në të cilën janë dokumentat në gjuhën angleze.
Përkthyesit gojorë
Zakonisht, nëse nuk jeni në gjendje të vazhdoni intervistën në anglisht, kërkohet që të keni një përkthyes gojor. Por, gjatë periudhës së COVID-19-ës, Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së Shteteve të Bashkuara (USCIS) ka shpallur një rregull të përkohshëm sipas të cilit, në vend që të sjellin me vete në intervistë një përkthyes, aplikantëve për azil u kërkohet të përdorin përkthyes gojor përmes telefonit. Ky rregull është ende në fuqi.
Avokatët
Gëzoni të drejtën të sillni me vete një avokat apo përfaqësues ligjor në intervistë, por atë nuk e paguan qeveria e SHBA-së. Që avokati apo përfaqësuesi ligjor të mund t’ju shoqërojnë në intervistë, ai/ajo dhe ju duhet të paraqisni një formular G-28, (Notice of Entry of Appearance as Attorney or Accredited Representative to USCIS). Nëse intervista për azil ju është caktuar në një nga këto zyra të azilit: Boston Asylum Office, Newark Asylum Office, Newark Asylum Office/Manhattan Branch, Arlington Asylum Office, Miami Asylum Office dhe keni një avokat apo përfaqësues ligjor, avokati apo përfaqësuesi ligjor mund të marrin pjesë në intervistë përmes një lidhjeje video/telefonike. Ky është një program pilot i përkohshëm qëllimi i të cilit është të respektojë udhëzimet që kanë të bëjnë me mbajtjen e distancës fizike mes njerëzve gjatë kohës së pandemisë. Me qëllim që avokati apo përfaqësuesi ligjor të marrë pjesë në këtë program, ai ose ajo duhet të paraqesë formularin e zyrës përkatëse ku është caktuar intervista për strehim politik. Formulari duhet t’i dërgohet zyrës së azilit të paktën 10 ditë përpara ditës së intervistës në mënyrë që të mund të bëhen përgatitjet e nevojshme që avokati të paraqitet përmes një lidhjeje telefonike apo me video. Formularët mund të merren në zyrat përkatëse të azilit të cilat kanë caktuar takimin për intervistë.
Ri-caktimi i intervistës
Nëse do t’ju duhet të caktoni një datë të re për intervistë përpara datës që është caktuar intervista, duhet t’i dërgoni zyrës së azilit ku është caktuar të zhvillohet intervista një letër me postë, një e-mail ose faks. Mund të paraqiteni dhe personalisht në zyrën e azilit dhe të mbushni një letër-kërkesë që t’ju caktohet një datë e re për intervistën (In-Person Reschedule Request). Zyra e azilit nuk do të marrë në konsideratë kërkesat për të caktuar datë tjetër në qoftë se ato bëhen përmes telefonit. Do të njoftoni me shkrim lidhur me pranimin ose jo të kërkesës për të ndryshuar datën e intervistës. Përsa i përket çështjes së aolikimit për leje pune, një kërkesë e aprovuar për ndryshim të datës së intervistës konsiderohet si një vonesë e shkaktuar nga aplikanti dhe kjo vonesë zgjidhet ditën që aplikanti paraqitet për intervistë në datën që ka kërkuar vetë. Nëse bëni kërkesë për leje pune përpara se të zgjidhet çështja e vonesës, USCIS-i do t’jua hedhë poshtë aplikimin për leje pune.
Informacioni për të kontaktuar zyrën e azilit
Nëse ju duhet të kontaktoni zyrën e emigracionit për çështjet e azilit politik, mund të shkoni në faqen e internetit në adresën https://egov.uscis.gov/office-locator/?action=offices.type&OfficeLocator.office_type=ZSY#/
Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]