Përhapet zjarri mbi tunelin e Kalimashit. Kosova dërgon zjarrfikëse drejt Shqipërisë

Tiranë, 9 gusht 2021 – Një vatër e madhe zjarri e ka përfshirë zonën malore mbi tunelin e Kalimashit,në autostradën Tiranë – Prishtinë.

Raportimet nga vendi i ngjarjes flasin për situatë kritike. Zjarri në malin e Munellës ka marrë përmasa të mëdha. Flakët e zjarrit po përhapen drejt fshatrave Domgjon dhe Munellë. Flakët rrezikojnë edhe fshatin Thirrë. Tashmë ato janë shtrirë deri 700 metra nga lagjja Gështenjë dhe 1000 metra nga lagjja Karaq.

Zjarri dhe tymi rrezikojnë edhe udhëtarët që kalojnë nëpër tunel. 

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, u ka bërë thirrje udhëtarëve që të tregojnë kujdes gjatë kalimit në këtë zonë.

“Situatë e vështirë paraqitet në zonën mbi tunelin e Kalimashit, ku si pasojë e erës që ka fryrë në orët e pasdites ka një përhapje të flakëve në një sipërfaqe më të madhe. Forcat zjarrfikëse të Kukësit, Shkodrës e Hasit, ndihmuar edhe nga forcat e ardhura nga Kosova po punojnë për t’i vënë flakët nën kontroll, në mënyrë që të mos depërtojnë në tunel. U bëjmë thirrje udhëtarëve të tregojnë kujdes gjatë kalimit në këtë zonë”, shprehet Peleshi përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Forcat zjarrfikëse dhe një grup i forcave të armatosura të Shqipërisë kanë shkuar për të shuar zjarrin, por numri i forcave është shumë i vogël dhe ndërhyrja shumë e vështirë, për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe terrenit shumë të vështirë. Atyre u kanë shkuar në ndihmë edhe trupa të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me 5 mjete zjarrfikëse.

Zjarri në afërsi të tunelit të Kalimashit është aktiv prej disa ditësh, por shuarja e tij ka qenë e vështirë për shkak të terrenit të thyer.

(r.m.)

One Response to “Përhapet zjarri mbi tunelin e Kalimashit. Kosova dërgon zjarrfikëse drejt Shqipërisë”

Read below or add a comment...

  1. Gege Kosova says:

    Qeverite aktuale andej e kendej Dtrini,te cilat qe kur e kur,ne forma, menyra lakadredha nga me te paku ptimeta,po thellojne shemtine e percarjes ndershqiptare,Doemos,para ndonje mallkimi, duhet te ndryshojne qellimet e veprimeve djallezore.shqipetaret jane shqiptare e Shqiperia eshte shqiprei kudo qe flitet shqipja, andej e,kendej Drini.Nuk duhet as falendrohemi per ndihme vellai-vellait,Sepse, eshte obligim e detyrim i natyrshem kombetar e njerezore, eshte morlal i ndertuar historikisht ,eshte vlere shiprterore kombetare.