Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, arsyeja kryesore është përhapja e variantit indian “Delta” me shkallë të lartë infektueshmërie
Knid Ndrenika
Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri se gjendja me Koronavirusin është më e kontrolluar falë masave parandaluese, ndonëse ka probleme me zbatimin.
Megjithatë shqetësim përbën rritja e rasteve të personave të infektuar dhe përhapja e variantit indian “Delta”.
Në mbledhjen e zhvilluar rreth orës 11 sot paradite Komiteti la në fuqi masat parandaluese, edhe pse mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 nga 291 krahasuar me një javë përpara.
Komiteti i kryesuar nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli la në fuqi masat parandaluese kundër përhapjes së COVID-19, duke përfshirë mbajtjken me detyrim të maskës në çdo mjedis të mbyllur si aty ku nuk ka distancim social përkatësisht qendrat tregtare, supermarketet dhe aeroportet.
Po ashtu nuk lejohen grumbullimet më shumë se 50 persona, ritheksohet ora policore 24:00-06:00, muzika deri në 23:00, ndërsa duhet jo më shumë se 30 për qind pjesëmarrje në veprimtaritë kulturoro-sportive.
Zonja Rakacolli tha se ka një rritje të rasteve të reja ditore të vërtetuara nga thirrjet e shtuara në Urgjencën Kombëtare dhe shtrimeve në spital.
Sipas Komitetit Teknik të Ekspertëve, arsyeja kryesore është përhapja e variantit indian “Delta” me shkallë të lartë infektueshmërie.
Doktor Dhimitër Kraja, anëtar i Komitetit, tha se në spitalin infektiv “COVID-1”, në korrik 2021 ishi 1-2 raste në ditë ose në javë shtrime dhe madje as humbje jete apo të hospitalizuar.
Por, sipas doktor Krajës, pasi në korrik evidentua qarkullimi dhe prania e variantit “Delta” “nga 1 rast kaluam në gusht në 24 raste dhe sot që flasim në spital janë të shtruar 90 raste”.
“40% janë femra dhe 60% meshkuj. Grupmoshat janë të ndryshme, 15% janë mosha të reja. 40% e tyre kanë forma të mesme, serioze ose me ndonjë ndërlikim, 30% janë forma të rënda dhe pjesa tjetër forma kritike ose kërcënuese për jetën”-saktësoi doktor Kraja.
Ndërkaq, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, deklaroi se deri tani me të dyja dozat është vaksinuar 27 % e popullsisë ndërsa me një dozë është vaksinuar 37 % e popullsisë.
Komiteti Teknik i Ekspertëve: Zbatim rigoroz i masave, vaksinat tepër efikase
Ekspertët theksojnë efikasitetin e vaksinës, duke vlerësuar se rastet pozitive të të vaksinuarve me dy doza janë 32 herë më pak se personat e pavaksinuar.
Tiranë, 25 Gusht – Komiteti Teknik i Ekspertëve nisur nga situata epidemiologjike, ka kërkuar zbatimin rigoroz të masave në fuqi si dhe vaksinim masiv për frenimin e përhapjes së epidemisë në vend, duke e konsideruar situatën të kontrolluar nëse këto masa zbatohen.
“Analizimi i të dhënave dhe indikatorëve të cilët ne i kemi analizuar sot si monitorues të situatës, i përgjigiet mirë niveli i masave të cilat ne i kemi në fuqi. Problem është zbatimi i tyre. Mendimi i ekspertëve të Komitetit është që situata mund të kontrollohet, duke mbajtur të njëjtin nivel masash, por duke i zbatuar ato me përgjegjshmëri dhe rigorozitet si dhe me intensifikimin e procesit të vaksinimit”, bëri të ditur Prof. Mira Rakacolli.
Duke folur për situatën epidemiologjike, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publike tha: “Mesatarja javore e rasteve të reja ka shkuar në 482 raste, nga 291 krahasur me një javë përpara. Numri total i rasteve aktive në vend është rritur, nga 5573 në 5792 që çon në rritje të incidencës dy javore me rreth 5 herë nga dy javët e shkuara. Incidenca dy javore është 202 raste të reja për 100 mijë banorë e krahasuar kjo me me 38 raste të reja për 100 mijë banorë në dy javëshin pararendës. Përsa i përket pozitivitetit të mostrës ai mbetet në shifrën 7.8 %. Dua t’iu sjell në vëmendje se grupmoshat 35 vjeç deri në 64 vjeç kanë një rritje me një numër të konsiderueshëm të rasteve të reja. Përsa i përket bashkive të prekura mesatarisht ne kemi çdo javë 42 bashki. Ato me incidencën më të lartë janë Saranda, Himara, Malësi e Madhe, ndërsa për bashkitë e mëdha, Shkodra, Tirana dhe Vlora”, tha prof. Fico.
Prof. Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së, theksoi efikasitetin e vaksinave anticovid.
“Fushata e vaksinimit ka vazhduar me ritme mjaft të mira. Aktualisht ne kemi një mbulesë vaksinale me të dyja dozat që po i afrohet 27%, që tregon se nje çerek milioni e popullatës është vaksinuar, pra e popullatës tonë me të dyja dozat. Ndërsa në drejtim të mbulesës me një dozë ajo po i afrohet 37%. Përsa i përket vaksinimit duhet të themi që rastet e vaksinuara që janë shfaqur në popullatë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Rastet e vaksinuara me një dozë janë 12 herë më pak se rastet e pavaksinuara. Kurse rastet e vaksinuara me dy doza janë 32 herë më pak se sa rastet e pavaksinuara. Kjo tregon nje efekt mjaf të rëndësishëm të programit të vaksinimit dhe një vlerë tepër të rëndësishme të tij”, tha Bino.
Duke folur për situatën në spitalin infektiv, Prof. Dhimitër Kraja tha se rreth gjysma e tyre janë mosha relativisht të reja.
“Të shtruarit në spitalin infektiv janë grupmosha të ndryshme. 50 % janë mosha relativisht të reja, rreth 25 % janë forma të mesme dhe më shumë madje 50 dhe 55 % janë mosha të rritura, mosha e tretë që quhet dhe 8 % mosha e katërt. Situata e tyre nga ana shëndetësore është e tillë që janë forma të lehta, serioze ose me ndonjë ndërlikim ose në subjekte që rëndojnë në mënyrë patologjike situatën shëndetësore të rasteve. 30 % janë forma të rënda dhe forma kritike, ose me forma të rrezikshme kërcënuese për jetën”, tha prof. Kraja.
Prof. Mira Rakacolli ka bërë thirrje qytetarëve për t’u vaksinuar, për të qenë aktiv në realizimin e procesit të vaksinimit në mënyrë që të kontrollojmë infeksionin dhe të mos përballemi me valë të tjera apo humbje jetësh.
“Kemi doza të mjaftueshme vaksine dhe kemi vënë në dispozicion struktura të cilat shkojnë sa më pranë qytetarit. Ju lutem që të jeni më aktivë në realizimin e këtij procesi dhe të mos ketë asnjë hezitim. Edhe kjo situatë epidemiologjike e tregon më së miri se vaksinimi dhe zbatimi me rigorozitet i masave janë të vetmet mënyra që ne mundet të kontrollojmë infeksionin dhe të mos përballemi me valë të tjera ose sëmundje të randa apo humbje jetësh”, kë bërë thirrje Rakacolli.
Masat në fuqi janë si vijon:
– Maska është e detyrueshme në transportin publik dhe në çdo ambient të mbyllur, si dhe kudo ku nuk respektohet dot distanca, edhe në ambientet e jashtme.
– Kufizimi I qarkullimit të lëvizjes dhe aktivitetit të bareve dhe restoranteve është nga ora 24:00 – 06:00.
– Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika lejohet deri në orën 23:00.
– Grumbullimet në ambientet e jashtme lejohen deri në 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të ISHP.
– Kampionatet sportive me prezencë të tifozëve, lejohen me kapacitete të reduktuara, deri në 30 %.
– Aktivitetet e teatrove shfaqjeve artistike dhe kulturore, konferencave lejohen me kapacitet të reduktuar, deri në 30%.