Tripoli, 13 shtator 2023 – Ka shkuar në më shumë se 5 mijë numri i viktimave si pasojë e përmbytjeve në qytetin Derna në lindje të Libisë. Autoritetet vendase thane se numri i viktimave pritet të rritet. Mijëra persona rezultojnë të zhdukur ndërsa mijëra të tjerë kanë mbetur të pastrehë.
Zona u godit rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet nga stuhia mesdhetare Daniel, që shkaktoi çarjen e digave dhe zhdukjen e lagjeve të tëra.
Emad Al Fala, pjesë e ekipeve të shpëtimit tha se familje të tëra janë shuar. “Ka trupa të pajetë gjithandej, në shtëpi, në rrugë, në det. Kudo që shkon gjen burra, gra dhe fëmijë të vdekur”, tha ajo duke folur me telefon nga Derna.
Ossama Ali, zëdhënës i Qendrës së Emergjencave në Libi tha se më shumë se 5100 persona kanë vdekur në Derna dhe 100 të tjerë kanë humbur jetën në zona të tjera në lindje të Libisë.
Më shumë se 7000 mijë vetë po marrin trajtim shëndetësor në njësi mjekësore të ngritura në terren.
Agjencia e Migracionit e Kombeve të Bashkuara tha se të paktën 30 mijë persona janë zhvendosur si pasojë e përmbytjeve. Sipas agjencisë, dëmi është aq i madh saqë punonjësit e ndihmës humanitare nuk arrijnë të hyjnë dot në qytet.
Vendet fqinjë të Libisë, Egjipti, Algjeria dhe Tunizia dhe vende të tjera si Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë dërguar atje ekipe shpëtimi dhe ndihmë humanitare.
Presidenti i Shteteve të Bashkuar Joe Biden njoftoi se SHBA do të dërgojë fonde emergjente për organizatat që po ofrojnë ndihmë atje.
(Zëri i Amerikës)