Shkup, 16 maj 2021 – Maqedonia e Veriut të dielën ka regjistruar 14 viktima nga COVID-19 dhe 62 të infektuar me koronavurusin e ri, shifër kjo më e ulta gjatë këtij viti bazuar në testimin e 2,557 mostrave, ka bërë të ditur Ministri e Shëndetësisë. Sipas raportit, janë shëruar 245 persona që po ashtu flet për rritjen e numrit të personave që kanë fituar betejën me sëmundjen vdekjeprurëse.
Numri i rasteve aktive ka rënë në rreth 3.600 persona ndërsa i personave të shëruar ka arritur në rreth 145 mijë nga afër 154 mijë sa janë diagnostikuar me COVID-19.
Numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 është 5.211 persona.
Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe njoftoi se të gjithë qytetarët nga Shkupi të moshës mbi 40 vjeç që janë paraqitur për vaksinim kanë marrë terminet për marrjen e vaksinës. Termine për vaksinim në tre ditët e ardhshëm do të marrin edhe të gjithë personat e paraqitur nga qytetet tjera. Në sistemin për vaksinim janë paraqitur mbi 350 mijë persona.
Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë vaksinuar mbi 203 mijë persona. Sipas Planit Kombëtar për imunizim, 35% e popullsisë mbi 70 vjet ka marr së paku një dozë të vaksinave anti-covid. Vaksinimi i personave të moshës mbi 60 vjeç po bëhet me vaksinën AstraZeneca ndërsa i personave nën këtë moshë me vaksinat ruse Sputnik atë kineze Sinopharm dhe Sinovac, një numër më i vogël me vaksinën Pfizer.
Ministri i Shëndetësisë ka paralajmëruar se deri në fund të majit pritet të arrijnë afër 500 mijë vaksina kineze si dhe disa mijëra të tjera.
(Isuf Kadriu, REL)