Përplasja e dy ditënderimeve

Cikël historik me rastin e 20-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-amerikane – Pjesa e katërt
Komunistët e përshkruanin Presidentin Woodrow Wilson si një “armik të popullit shqiptar”

 

Nga Ylli Polovina

Në librin me plot 555 faqe “Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917-1941”, botim i Drejtorisë së Arkivave Shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë, Tiranë 1959, i gjen të cituara Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjashtë herë. Në përmendjen e dytë, në dokumentin 33, gjendet një pjesë e një shkrese të prefektit të Gjirokastrës e 31 majit 1920, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku thuhet “Kam nderin t’i komunikoj së ndershmes Ministri të atyshme se populli i Gjirokastrës, duke parë disa akte dhe sjellje përgjithësisht politike të qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë për dëm të kësaj të fundit, e quajti detyrë dhe të nevojshme të protestojë energjikisht pranë qeverive të fuqive të tjera të Evropës dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e për këtë, me një komision apostafat,….u mblodh në një miting të madh më 28 të muajit që po mbaron, në orën 10 para dreke, në sheshin e ri të këtij qyteti, ku u mbajtën fjalë patriotike të rastit…”.
Në rastin e citimit pasardhës, në dokumentin numër 54, 12 korrik 1920, botohet një pjesë nga letra e Komitetit Kombëtar Shqiptar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë e Zvicrës, drejtuar kryeministrit italian, Xholiti. Në përmendjen e tretë të ShBA, në dokumentin 209, 17 dhjetor 1924, ora 1.20 pasdite, shkruhet “Populli i Korçës shpreh dhimbjen e tij të thellë që sheh të rrjedhë gjaku e të turbullohet paqja në Ballkan, ai proteston kundër përkrahjes dhenur nga shtetet fqinje për organizimin e bandave në tokat e tyre dhe ngarkon kryetarin e bashkisë së qytetit t’i drejtojë këtë rezolutë Lidhjes së Kombeve dhe përfaqësuesve në Shqipëri të Anglisë, Francës, të Italisë, të Shteteve të Bashkuara e të Gjermanisë”.
Në herën e katërt, të fundit në faqet e librit “Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917-1941”, citimi për ShBA-në përmban shënimin tinzar “Vendet demokratike ose demokraci të mëdha duheshin atëhere vendet kapitaliste-Anglia, SH.B.A., etj, që luftonin kundër shteteve fashiste, për të bërë dallimin e rendit të tyre të demokracisë borgjeze nga rendi politik fashist në Gjermani, Itali, Japoni, Spanjë e gjetkë”.
Pasi cituam këto katër herë të përmendjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës le të hapim pak vend edhe për dy rastet e tjera. I pari është në faqen e parë dhe madje në dokumentin e parë. Pra me të hapet i gjithë volumi 555 faqesh i Drejtorisë së Arkivave të Shqipërisë. Masa e plotë e asaj që është paraqitur ngërthen saktësisht këto fjalë:
“Artikulli i gazetës “Përlindja” me titull “Kryengritja ruse”, me anën e të cilës shprehet simpatia e popullit shqiptar për revolucionin rus të shkurtit 1917
5 prill 1917
Pas kaq kohe tiranie, pas kaq kohe mundimesh, populli rus le të shijojë jetën e re të lirisë, jetën e njerëzisë, se mundimi i tij s’vajti humbur. Le të dridhen gjithë ata që duan të mbajnë popullin në errësirë dhe le të mos harrojnë që paudhësitë e tyre nuk do të mbretërojnë gjithmonë…Le të mendohen ata udhëheqës që përdorin djersën e popullit me anë reklamash për të fituar famë prej së thati, se dita e gjyqit do të vijë dhe kanë për t’i paguar shtrenjtë këto paudhësira.
Le të gëzohet ai popull që ndodhet nënë emrin e tiranisë, se e drejta do të mbretërojë. Më në fund flamuri i saj do të valojë në gjithë viset e botës dhe tirania do të zhduket përjetë.
Gazeta “Përlindja”, Framingham Mass (SH.B.A). V.1, Nr.1, 5 prill 1917”.
Ky ishte rasti i pestë i citimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga libri i Tiranës 1959, sepse për herë të gjashtë ai përmendet në fund të pëmbledhjes dokumentare, në një kapitull të titulluar “Shënime”.
Në të janë shpjeguar 123 emra dhe emërtime. I pari është Aleksandër Fjodoroviç Kerenski, kundërshtari politik i brendshëm i Leninit. Për të shkruhet se është “koka e borgjezisë kundërrevolucionare në Rusi, shërbëtor besnik dhe zbatues i politikës së shteteve të mëdha imperialiste. Armik i tërbuar i pushtetit sovjetik. Tani strehohet në SH.B.A”.
Zëri i dyti i kapitullit “Shënime” rreshtohet Traktati i Fshehtë i Londrës. Në pesë radhët e shpjegimit të tij thuhet edhe “Ky traktat u denoncua nga qeveria sovjetike”.
Emri dhe interpretimi i tretë është “Vilson Vudro (1856-1924), president i SH.B.A. në vjetët 1913-1921. Koka e miliarderëve amerikanë, zbatues i politikës reaksionare dhe udhëheqës politik i ndërhyrjeve të armatosura në vendet e Amerikës Latine. Në luftën e parë botërore (1914-1918) ndihmoi për futjen e SH.B.A. në luftë krahas Anglisë dhe Francës. Një nga inisiatorët kryesorë të organizimit të intervencionit të armatosur kundër pushtetit sovjetik dhe të luftës kundër lëvizjeve nacional-çlirimtare në të gjitha vendet e botës. Ai ka qenë njëkohësisht nxitës i planit banditesk për copëtimin e Rusisë dhe skllavërimin e popujve të saj. Armik i kombit shqiptar”.
Hartuesit e librit “Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917-1941”, duke iu drejtuar emrit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në minimumin e mundshëm, kanë bërë gjithçka që bashkë me censurën totale, t’i deformojnë edhe imazhin. Pabesia e këtij manipulimi politik bëhet më i palogjiktë kur deklarohet se nëpërmjet kësaj përmbledhje ekskluzive dokumentesh opinioni publik do të njihet me luftën e popullit shqiptar për liri e demokraci në një periudhë para krijimit të Partisë Komuniste. Kjo do të thotë se platforma politike që u është dhënë hartuesve ka pasur si synim të përhapë idenë se në luftën liridashëse të shqiptarëve ka ndikuar thellësisht vetëm Revolucioni i Tetorit, askush tjetër. Sipas kësaj mendjeje duke filluar nga 8 nëntori 1941, ditëthemelim i PKSh-së, në përpjekjet për jetë të lirë dhe demokraci ka prirë e kontribuar vetëm kjo parti. Sipas këtij arsyetimi shqiptarët jo pas fundit të vitit 1944, kur komunistët hipën në pushtet dhe u bënë forca totalitare e qeverisjes, por janë udhëhequr nga marksizëm-leninizmi që kur pothuaj shpallën shtetin e tyre të pavarur. Pra Shqipëria i dedikohet tërësisht komunizmit.
Është thellësisht antishkencore të luash me përzgjedhjen e materialeve historike në një mënyrë të tillë që ta shtrish përdhunshëm ndikimin stalinist gjer në vitet e para të mëvetësisë. Duket hapët arbitrar edhe periudha kohore, e cila është seleksionuar për të “provuar” këtë tezë ideologjike.
Bashkë me deformimin e imazhit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duke e paraqitur si një vend që nuk ka asnjë rol në historinë e Shqipërisë për plot një çerek shekulli, kur pikërisht për atë periudhë është krejt e kundërta, ka ndodhur kulmimi, (dhe ky cikël shkrimesh tek “Illyria” rreh pikërisht këtë shteg interpretimi), shtrembërimi i të vërtetës dhe përçudnimi i saj i është vërsulur edhe Udrou Uillsonit. Madje këtij shumë më egërsisht.
Ai shpallet armik i kombit shqiptar.
Në brendësi të vëllimit me 555 faqe dhe 574 dokumente emri i presidentit amerikan përmendet vetëm tre herë dhe ndërsa ka të tjerë që citohen tre apo katër fish më shumë e shpjegohen jo në krye por në fund të rreshtimit të kolonës së gjatë të 123 emrave, Udrou lexuesve u nderet para syve i treti. Duhet ta ngulitin në kujtesë si vetë djallin.
Prapamendimi për ta diskretituar në librin “Dokumenta e materiale historike nga lufta e popullit shqiptar për liri e demokraci 1917-1941” nuk fshihet dot edhe pas botimit të një artikulli të Benito Musolinit. Ai mban datën e 5 gushtit 1920 dhe ka qenë i botuar në italisht nga gazeta vendase “Popolo d’Italia”. Ka titullin “Lamtumirë, Vlorë!”
Ja një fragment: “Edhe pse pritej, edhe pse “paguar shtrenjtë”, njoftimi zyrtar që Italia e braktis përfundimisht Vlorën nuk mund të mos u bëjë përshtypje në mënyrën më të dhimbshme atyre pak grupeve italiane që e kanë akoma ndjenjën e dinjitetit italian. Shumë italianë, e veçanërisht ata që kanë jetuar edhe luftuar në Shqipëri, e quanin Vlorën si një qytet tonin në bregun tjetër….Vlora duhej të ishte shpërblimi i parë për mundimin dhe gjakun italian, Vlora duhej të përbënte hyrjen për depërtimin tonë paqësor në Ballkan. Vetë Uillsoni kishte pranuar në mënyrë solemne legjitimitetin për zotërimin absolut të Vlorës nga Italia, si edhe mandatin mbi Shqipërinë…”
Në përmbledhjen dokumentare të Drejtorisë së Arkivave Shtetërore të Republikës Popullore të Shqipërisë të vitit 1959 të bën përshtypje edhe diçka tjetër. Ndërsa nga 1923 çdo muaj gjen disa të tilla, duke filluar nga 19 dhjetori e deri 21 shkurt 1924, ka hapësirë të madhe bosh, të zbrazët, ekziston një gropë të vërtetë informative. Shkurti ka tre dokumente dhe marsi vetëm një. Më pas, në prill, në përpjekje për të pasqyruar përgatitjen dhe shpërthimin e protestës politike me armë të quajtur Revolucioni Demokratik i Qershorit, dokumentet shpesh janë gati të përditshme.
Përse nga hartuesit e librit dhe politika zyrtare në një botim aq shumë të pretenduar si mbi kritere shkencore dhe me temë pasqyrimin e luftës së popullit shqiptar për liri e demokraci është krijuar kjo humbellë? Një nga dyshimet më kryesore nuk mund të dëbohet lehtë. Këtë periudhë është ngjarja e ndodhur në sallën e Asamblesë Kushtetuese, ku për presidentin Uillson dhe kryebolshevikun Lenin u kërkua mbajtja e heshtjes nderuese.
Mirëpo ndërsa në komente dhe interpretime të ndryshme politike të regjimit të kohës ato në favor të Vladimir Iliçit janë përmbytëse, pirgje të tëra fletësh të shkruara, kur vjen çështja tek dokumentet reale të kohës, ato katandisen një thërrime.
Me Udrou Uillsonin është tërësisht e kundërta.
Kështu gjen shkak të veprojë truku banal: anashkalohen të dyja, shpërfillen, nuk paraqiten.
Mirëpo ajo që në fillim të muajit mars 1924 ka ndodhur në Asamblenë Kushtetuese, vetë ngjarja e mbajtjes zi për të dy shtetarët e fuqishëm botërorë, është tepër e rrallë, shumë e veçantë, e pangjarë atë kohë në parlamente të tjera.
Ajo është shumë shprehëse e dukurisë që mbart, përballjen në Shqipëri të Uillsonizmit me Leninizmin.
Në se ky ballafaqim u bë për hir të çështjes kombëtare apo si doktrinë ideologjike, me epërsi të njërës apo të tjetrës, meriton vëmendje shumë të madhe dhe korrrektësi interpretimi, sepse pikërisht kjo është edhe karakteristika e kësaj ngjarjeje shumë të veçantë. Po qe se e lexojmë qartë do të mund të kuptohet, edhe pse duhet thënë se të dy personalitetet u kishin dalë në mbrojtje të popujve të vegjël, për ku anonin më shumë shpirtërisht shqiptarët.
Pra për cilin, Uillsonin apo Leninin, për Amerikën apo Rusinë, rrihte më shumë zemra e tyre.
Tani po tregojmë ngjarjen.
Në 27 dhjetor qenë kryer votimet për Asamblenë Kushtetuese dhe në 2 shkurt ajo çeli punimet e saj në Tiranë. Në 3 shkurt ndërroi jetë presidenti amerikan dhe lajmi në Shqipëri nuk mbërriti dot brenda një apo dy orëve. Veç në 4 shkurt ai qe përhapur kudo. Në mbledhjen e Asamblesë së kësaj dite, madje që në fillim të saj, deputeti Rauf Fico u ngrit dhe tha: “Zoti kryetar! Pa hy në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një proponim. Me hidhërim muarmë vesht se ish kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Willsoni, vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mbëdha që i ka bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit”.
Menjëherë pas kësaj e mori fjalën deputeti Jashar Erebara dhe nguli këmbë të bëhej e njëjta gjë edhe për Leninin, i cili kishte vdekur që në 21 janar dhe duke qenë se Asambleja ato çaste nuk ekzistonte tani e kishin mundësinë ta shprehnin hidhërimin. Menjëherë pas Erebarës u shpreh Avni Rustemi, i cili qe deputet i Kosovës. Ai e mbështeti propozimin e Erebarës dhe deklaroi “E dini fare mirë, zotërinj, se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzisë e se qe i pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915-tës që ishte për copëtimin e Shqipërisë”.
Këto zhvillime tekstet e historiografisë së diktaturës i kanë përshkruar si një betejë e ashpër mes deputetëve reaksionarë (që mbështetnin nderimin e Uillsonit) dhe përparimtarë (ata që ndërhynë për t’ia bërë nderimin Leninit). Po ashtu këto libra shkruajnë se vetëm me këmbënguljen e këtyre të fundit Asambleja Kushtetuese mbajti pesë minuta pushim edhe për vdekjen e shefit të Sovjetëve.
Ai ishte vërtet kështu?
(Vijon)
Tiranë, më 3 qershor 2011