Përplasje mes deputetes Musliu dhe ministrit Peci, Musliu paralajmëron padi Pecit

Prishtinë, 21 dhjetor 2021 – Deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, ka paralajmëruar se do të ngre padi ndaj ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.

Ajo e ka bërë këtë paralajmërim pas një përplasjeje të ashpër verbale me ministrin Peci, në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim të Kuvendit të Kosovës.

Musliu thënë se ministri Peci e ka fyer dhe e ka quajtur pjesë të krimit të organizuar, gjatë debatit për subcencionet dhe grantet që ndahen nga Ministria që e udhëheq Peci. Sipas saj, ajo është fyer sepse ka  reaguar për shkak se ministri Peci ka thënë një arsye tjetër për anulimin e ftesës për grante nga ajo që thuhej në raportin e ministrisë.

“Ministri vetë deklaronte se anulimi është bërë pasi ka pasur prioritete të tjera, kurse në raport thuhej se është bërë për të parandaluar keqpërdorimin, gjë që është krejt paragjykuese, pasi ishin caktuar kriteret për aplikim. Ai filloi të fyejë e të akuzojë. Për këto çështje që i përmenda dhe fyerjet e akuzat që më drejtoi ministri sot, duke më bërë pjesë e krimit të organizuar, unë do të ngre padi ndaj ministrit Peci dhe do ta mbroj deri në pafundësi dinjitetin tim, si deputete e Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Musliu, në një adresim për gazetarët.

Në mbledhjen e komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim është zhvilluar një debat dhe një përplasje e ashpër verbale midis deputetes Musliu dhe ministrit Peci. Madje, deputetja Musliu është ngritur në këmbë, e ka quajtur ministrin “rrugaç” dhe ia ka hedhur gotën me ujë.

Ministri Peci ka thënë se reagimi i deputetes Musliu tregon se krimi i organizuar në ministrinë që e drejton ai ka pasur mbështetje politike.

“Kjo tema e granteve, unë e di që në adresa të caktuara ngjall edhe nervozë, për shkak se njëri prej tyre je edhe ti. Me gjuhën dhe mënyrën se si i shtron temat, e përfaqëson krimin, ndaq me ditë. Ajo pjesa e krimit në Ministri të Bujqësisë ka një mbështetje politike, e këtu po del që ti je njëri prej zyrtarëve me prapavijë”, i është drejtuar ministri Peci deputetes Musliu.

Ai ka theksuar se asnjëherë nuk do të ndalojë të kërkojë që përgjegjësit për krimin e organizuar në këtë ministri të nxirren para drejtësisë, pavarësisht se cilët janë ata.

“Ndaç gjuani me plumb, siç keni gjuajtur në të kaluarën, ndaç me ujë, nuk ka bir nane që më ndal”, ka thënë Peci.

Pas këtij incidenti mbledhja e komisionit është ndërprerë.

Çështja e subvencioneve dhe granteve të ndara nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural gjatë viteve të kaluara është bërë çështje e organeve të drejtësisë. Mbi 50 persona janë arrestuar dhe pombahen në paraburgim për korrupsion, mashtrim dhe marrje apo dhënie të ryshfetit. Shumica prej të arrestuarve janë zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural dhe të drejtorive komunale të bujqësisë.

Burime të afërta me organet e ndjekjes thonë se të dyshuar lidhur me grantet e subvencionet janë edhe disa ish-zyrtarë të lartë të kësaj ministrie.

Ditë më parë, ministri Peci ka deklaruar se në këtë ministri ka mungesë stafi, për shkak të numrit të madh të zyrtarëve të arrestuar lidhur me granytet e subvencionet. 

(r.m.)