Stamboll, 22 mars 2025 – Qindra mbështetës të kryetarit të Stambollit, Ekrem Imamoglu, protestuan të shtunën para gjykatës në Stamboll, ku vazhdoi marrja në pyetje e Imamoglut, i cili u arrestua para tri ditësh, me akuzat për korrupsion dhe për lidhje me terrorizmin.
Të premten, Imamoglu u mor në pyetje katër orë lidhur me akuzën për korrupsion, ndërsa të shtunën ai u mor në pyetje rreth pesë orë lidhur me akuzën se ka ndihmuar Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, e cila është shpallur organizatë e jashtëligjshme në Turqi.
Gazeta Jumhuriyet raporton se kryetari i Stambolli i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, gjatë të dyja marrjeve në pyetje.
Të shtunën Imamoglu u dërgua në sallën e gjyqit në Stamboll, për t’u marrë në pyetje me rreth 90 të arrestuar bashkë me të, në bazë të të njëjtave akuza.
Autoritetet ndaluan hyrjen në gjykatë, i bllokuan rrugët lokale dhe i mbyllën stacionet e metrosë pranë gjykatës. Qindra oficerë policie dhe dhjetëra automjete me topa uji u vendosën para gjykatës. Megjithatë, qindra mbështetës të Imamoglut u mblodhën para ndërtesës së gjykatës ku brohoritën pa ndërprerë “Të drejta, drejtësi, ligj”.
Mbështetësit e Imamoglut u mblodhën përsëri të shtunën para bashkisë së Stambollit, ndonëse autoritetet kanë paralajmëruar masa të rrepta kundër organizatorëve të protestave.
Ministri i Brendshëm, Ali Jerlikaya, njoftoi të shtunën se 343 persona janë arrestuar të premten në mbrëmje në qytetet e mëdha të Turqisë.
Këto arrestime kanë ngjallur reagime edhe më të forta të protestuesve, ndërsa ministri Jerlikaya tha se shteti “nuk do të ketë tolerancë për ata që prishin rendin shoqëror, kërcënojnë paqen dhe sigurinë e njerëzve dhe bëjnë kaos dhe provokime”.
Të premten në Stamboll policia përdori sprej piper, gaz lotsjellës dhe plumba gome për të zmbrapsur disa qindra protestues që u përpoqën të çanin barrikadat e policisë, duke gjuajtur policët me gurë dhe omjetet të tjera të forta.
Në të njëjtën kohë, policia shpërndau protestuesit në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, dhe në qytetin bregdetar të Izmirit, duke përdorur herë pas here edhe forcën.
Imamoglu është lider opozitar shumë popullor në Turqi dhe konsiderohet si rivali kryesor i presidentit të Turqisë, Recep Tayip Erdogan. Me të njëjtat akuza janë arrestuar edhe rreth 90 persona, pothuajse të gjithë udhëheqës e zyrtarë të lartë lokalë.
Opozita dhe analistët e pavaruar e konsiderojnë arrestimin e Imamoglut si përpjekje të Erdoganit për të pamundësuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të planifikuara për vitin 2028. Autoritetet qeveritare i hedhin poshtë akuzat se arrestimi i Imamoglut dhe figurave tjera të opozitës janë të motivuara politikisht.
(r.m.)