Uashington, 21 tetor 2023 – Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rizgjuar debate mes studentëve në universitete në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Tina Trinh, ndërsa të rinjtë shprehin mendimet e tyre, po ngrihen çështje që kanë të bëjnë me sigurinë, të drejtat e lirisë së fjalës dhe madje edhe shqetësimet se si mund të ndikojnë qëndrimet e tyre tek perspektiva e punësimit.
Në Nju Jork, tensionet mbi luftën Izrael-Hamas po ngjallin debate në universitete, duke vënë në pikëpyetje idenë e universiteteve si mjedise për shkëmbimin e lirë të mendimeve të ndryshme.
Në Universitetin e Kolumbias u mbajtën protesta pro Izraelit dhe pro palestinezëve. Disa studentë mendojnë se qëndrimet e drejtuesve të universitetit janë të njëanshme pro Izraelit.
“Sigurisht të gjithë jemi kundër dhunës, por ne thjesht kërkojmë që të respektohet edhe jeta e civilëve palestinezë. Si pjesë e një komuniteti të larmishëm, mendoj se është e drejtë të presim që udhëheqja e universitetit të njohë dhimbjen e të gjithë studentëve”, thotë Nadia Ali, studente në Universitetin e Kolumbias.
Në shumë kampuse është një kohë e trazuar, ndërsa ekspertja për lirinë e fjalës, Kristen Shahverdian thotë se studentët duhet të ndihen të sigurt që të shprehin pikëpamjet e tyre.
“Kampuset e universiteteve mund të bëjnë shumë për të mbrojtur fjalën e lirë të të gjithëve. Ky është me të vërtetë detyra e tyre, të sigurohen që të gjithë të kenë të drejtën e lirisë së shprehjes, të drejtën për të protestuar, të drejtën për të dëgjuar zërat e tyre edhe atëherë kur ka shumë mosmarrëveshje”, thotë Kristen Shahverdian nga organizata joqeveritare me qendër në Nju Jork që mbron fjalën e lirë, Pen America.
Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Nju Jorkut, deklarata e një studenti se Izraeli mbante përgjegjësinë e plotë për sulmin terrorist të Hamasit ishte arsyeja pse një firmë e njohur ligjore tërhoqi ofertën për punë që i kishte bërë atij studenti.
“Gjithmonë do të ketë debat në një klasë, në një park, debat në universitetet e mbarë vendit. Kjo nuk është e njëjta gjë. Ky ishte një sulm sistematik ndaj popullit hebre”, thotë Benjamin Meppen, student në Universitetin e Nju Jorkut.
Ndërsa Universitetet preferojnë të bëjnë kryesisht deklarata të balancuara, të tjerë shqetësohen se të folurit publikisht ka pasoja të mëdha. Një prej tyre është studenti i Universitetit të Nju Jorkut, Trevor, i cili nuk pranojë të japë mbiemrin, sepse thotë se ka frikë se do të vihet në shënjestër nga studentët e tjerë.
“Unë kam zgjedhur të mos e shpreh mendimin tim për këtë pasi ka kaq shumë që njerëzit mund të keqkuptojnë”, thotë Trevor, student në Universitetin e Nju Jorkut.
Në Universitetin e Harvardit, një letër e hapur e nënshkruar nga më shumë se 30 grupe studentore ku thuhej se Izraeli ishte përgjegjës për sulmin terrorist të Hamasit, bëri që disa studentë të vihen në shënjestër.
Kjo ka nxitur thirrjet që administratorët e universiteteve të bëjnë më shumë.
“Ata mund të bëjnë shumë që të gjithë të kuptojnë se çfarë përfshin dhe çfarë nuk përfshin liria e fjalës. Kjo është një mundësi për të ofruar këtë kontekst dhe kampuset e universiteteve janë ideale për këtë sepse i kanë burimet. Ata kanë ekspertizën për t’ia shpjeguar këto parime të gjithëve”, thotë Kristen Shahverdian, nga Pen America.
Një ekspertizë e tillë për lirinë e shprehjes do të ndihmonte në universitetet amerikane dhe tej.
(Zëri i Amerikës)