Përse Durrësi duhet të kujdeset për Vilën e Zogut?

Vila mbi Kodër duket se ka mbetur në mëshirë të qytetit, që u krenua për vite me radhë me madhështinë e saj. Mjafton që Bashkia e Durrësit ta rikthejë vëmendjen drejt kësaj trashëgimie.

 

Vila mbi kodrën e Durrësit, që njihet më së shumti si Vila e Zogut, mbetet një nga godinat më tërheqëse të qytetit. E megjithatë, marrëdhënia e saj me qytetin është zbehur thuajse tërësisht.

Pas shkatërrimit të mjediseve të brendshme gjatë trazirave të vitit 1997 dhe rikthimit të pronës te familja Zogu, Bashkia e Durrësit ka hequr dorë nga kujdesi për territorin e vilës.

Mungesa e gjelbërimit dhe rreziku nga rrëshqitjet janë dy elementë të pranishëm pranë godinës thuajse shekullore të Durrësit.

E ndërtuar në mesin e viteve 1920, vila në kodër funksionoi fillimisht si rezidencë presidenciale dhe më pas si pallat mbretëror i Ahmet Zogut. Gjatë viteve të komunizmit, ajo e ruajti statusin e rezidencës qeveritare dhe shërbeu për pritje.

Arkitektët dhe specialistët e trashëgimisë kulturore kanë theksuar shpesh vlerat e kësaj godine, por ajo nuk e fitoi asnjëherë statusin e monumentit të kulturës.

Pozicioni i vilës në lartësinë 98 metra; kartolinat e shumta që ende qarkullojnë me imazhin e saj si dhe prania e vazhdueshme e vizitorëve në rrugën që ngjitet drejt Kullës Anzhuine dhe farit të anijeve do ta bënin këtë godinë një atraksion për turistët e qytetit të Durrësit.

Por planet për restaurimin e saj mungojnë si nga familja Zogu ashtu edhe nga bashkia e Durrësit.

Ndërhyrjet që mund ta shpëtojnë godinën nga rreziku i rrëshqitjeve dhe mungesa e gjelbërimit nuk janë kryer prej shumë kohësh. Në pjesën juglindore të saj, kodra është thuajse e zbathur krejtësisht nga gjelbërimi, ndërsa zjarret e ndezura nga pakujdesia ose keqdashja i kanë tharë plotësisht mjaft prej pishave me moshë shumëvjeçare.

Themelet e ndërtesës aktualisht kërcënohen nga rrëshqitjet, një fenomen mjaft i pranishëm në këtë zonë që nga fillimi i viteve 2000. Ndërsa ndërtimet e shumta ngjitur me godinën e rrezikojnë edhe më tej atë.

Vila mbi Kodër duket se ka mbetur në mëshirë të qytetit, që u krenua për vite me radhë me madhështinë e saj. Mjafton që Bashkia e Durrësit ta rikthejë vëmendjen drejt kësaj trashëgimie.

(Reporter.al)