Tiranë, 10 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Kryeministra e Serbisë, Ana Bërnabiq, kanë manifestuar mosmarrëveshjet mes dy shteteve edhe nëTiranë, në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor.
Shefat e qeverive të të dyja vendeve e konfirmuankëtë, pas përfundimit të takimit.
Kurti tha se Bërnabiq “nuk dëshironte të pranonte që Kosova është shtet i pavarur dhe sovran” dhe se ai ka thënë se Serbia duhet të shtëputet nga trashëgimia e Milosheviqit dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ai theksoi se tani është koha që Serbia, siç u shpreh, “ta shpallë pavarësinë nga Kosova”.
“Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej, duke u distancuar, nga regjimi i Milosheviqit dhe nga trashëgimia e tij. Njohja e pavarësisë së Kosovës është e vlefshme edhe për vetë Serbinë që, në këtë mënyrë, e mban veten peng. Kosova e ka shpallur pavarësinë nga Serbia para 13 vjetësh. Është koha e fundit që edhe Serbia të shpallë pavarësinë nga Kosova”, tha Kurti.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, konfirmoi se gjatë takimit ka pasur përplasje me Kurtin.
“Ka pasur disa provokime, disa ide të tij (Kurtit) se si duhet të duket bashkëpunimi rajonal, por ai e ka marrë përgjigjen e duhur”, tha Bërnabiq.
E pyetur nga gazetarët se cilat kanë qenë idetë e Kurtit dhe cila ka qenë përgjigjja e saj, Bërnabiq tha se “nuk do të ishte e drejtë të fliste për çfarë ka ndodhur prapa dyerve të mbyllura”. Megjithatë, ajo tregoi se ka reaguar ndaj qëndrimit të Kurtit lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
“Ai insiston që gjithçka të nisë prej tij dhe administratës së re, në kuadër të institucioneve të përkohshme në Prishtinë. Sipas kësaj (ideje), nuk mund të shkojë më kështu, prandaj tani do të kemi një format krejtësisht të ri (tëdialogut). Sipas tij, ne jemi partnerë të barabartë. Unë kam thënë se kjo është e pamundur, sepse nuk jemi partnerë të barabartë. Kemi dallim të madh. Ne jemi shtet sovran, i pranuar ndërkombëtarisht, ata nuk janë. Por, është e rëndësishme që këto gjëra të lihen për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës”, tha Bërnabiq.
Në një foto të publikuar në medie, Kurti e Bërnabiq shihen ulur pranë njeri-tjetrit. Por, Bërnabiq tha se ajo nuk është përshëndetur fare me Kurtin.
Përplasja e Kurtit me Bërnabiqin ndodh vetëm gjashtë ditë para takimit të tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se dialogu i Brukselit do të jetë dialog mes dy palëve plotësisht të barabarta, përndryshe nuk do të ketë kurrfarë marrëveshjeje.
“Dialogu në Bruksel nuk do të jetë për Kosovën, por dialog me Kosovën”, është shprehur Kurti.
(r.m.)