Përse Vuçiqi nuk merr pjesë në seancën për Kosovën në KS të OKB-së? Çka thonë kritikët e tij në Serbi?

Beograd, 23 tetor 2023 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të marrë pjesë në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Ai e dërgoi në këtë seancë kryeministren Ana Bërnbiq.

Kritikët në Serbi thonë se Vuçiqi e shmangu takimin ndoshta më të rëndësishëm për Kosovën qysh prej vitit 1999, i cili zhvillohet në kohën që bashkësia ndërkombëtare dyshon se sulmi terrorist në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, është organizuar dhe është mbështetur nga pushteti në Serbi.

Robert Kozma, deputet i Frontit të të gjelbërve dhe të majtëve në Kuvendin e Serbisë, ka thënë se Vuçiqi ia hodhi “pataten e nxehtë” kryeministres Bërnabiq për të shmangur situatat e pakëndshme pas sulmit terrorist në pjesën veriore të Kosovës, i cili vërtetoi se politika e tij ndaj Kosovës mbështetet në krimin e organizuar.

“Vuçiq po u shmanget qëndrimeve kritike në seancën e OKB-së. Ai e dërgoi atje Ana Brnabiqin, sepse ajo ka qenë shpesh kartë e dobishme kur ai duhet t’i kontribuonte bashkëpunimit në rajon”, ka thënë Kozma, për gazetën beogradase ”Danas”.

Kozma ka thënë se Vuçiqi nuk lejoi që në Nju Jork të shkonte ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, sepse nuk ka besim në të dhe as në aftësitë e tij. Ai ka theksuar se Vuçiqi, në vend që të ikë nga përgjegjësia, duhet të angazhohej për arritjen e një marrëveshjeje politike me Kosovën.

“Në vend të ikjes nga përgjegjësia dhe nxitjes së eskalimeve të reja të dhunës, për shoqërinë serbe dhe për shoqërinë kosovare është tepër i nevojshëm normalizimi i marrëdhënieve dhe arritja e një marrëveshjeje politike që do të ofronte siguri për të gjithë qytetarët – siguri juridike, ekonomike dhe sociale”, ka theksuar Kozma.

Sanda Rashkoviq – Iviq, deputete e Partisë Popullore në Kuvendin e Serbisë, ka deklaruar se Vuçiqi, i cili i ka uzurpuar të gjitha levat e pushtetit në Serbi dhe ka zhvilluar negociata me Kosovën pa i përfillur institucionet shtetërore, tani po i shmangë takimet e pakëndëshme në forumet ndërkombëtare.

“Qeveria ka qenë e përjashtuar nga procesi i negociatave për Kosovën e Metohinë. Edhe kryeministrja Ana Bërnabiq ka thënë me admirim se Aleksandar Vuçiqi ‘po lufton i vetëm’. Por, kur duhet të nënshkruajë diçka të pakëndshme ose të marrë pjesë në takime të pakëndshme të forumeve botërore, ai ‘luftëtar i paepur’ sot e dërgon Ana Bërnabiqin në një seancë të rëndësishme dhe të vështirë të KS të OKB-së”, ka thënë deputetja Rashkoviq – Iviq.

Ajo ka kujtuar se Vuçiqi e kishte dërguar në Bruksel Ivica Daçiqin për të nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, me të cilën, siç është shprehur ajo, “pjesa veriore e Kosovës iu dorëzua Prishtinës”.

(r.m.)