Tiranë, 28 maj 2024 – Një grup mbështetësish të opozitës protestuan sërish sot para Bashkisë së Tiranës, ku përsëri u hodhën bomba tymuese e molotovë drejt godinës, pas shpinës së forcave të shumta të policisë që kishin krijuar një gardh rreth saj. Një moment paniku u krijua kur njëra nga bombat molotov ra pranë vendit ku qëndronin gazetarët e kameramanët, si edhe disa qytetarë, të cilët arritën të largoheshin me kohë.
Prej gati më shumë se dy muajsh, opozita po kërkon dorëheqjen e kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të Bashkisë, të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive. Ata mendohet të kenë përfituar fonde publike, përmes kompanisë 5D, të cilën e kontrollonin me anë të personave të tjerë. Zoti Veliaj është distancuar duke deklaruar se cilido person i përfshirë, duhet të përballet vetë me drejtësinë.
Përfaqësuesë të opozitës vazhdojnë të denoncojnë raste të tjera korrruptive e abusive. Sipas tyre, zyrtarë lokalë kanë përfituar nga Bashkia e Tiranës leje ndërtimi dhe fonde publike, përmes të afërmeve të tyre në bashki.
Ndaj Veliaj vazhdojnë akuzat publike edhe për përfshirjen në aferën e inceneratorit të Tiranës. Opozita e cilëson Veliajn si përgjegjësin kryesor për këtë aferë.
Në fund të muajit të kaluar, Veliaj u thirr në Prokurorinë e Posaçme Kubdër Krimit të Organizuar e Korrupsionit SPAK), ku u intervisua lidhur me këtë çështje. Pas intervistimit gati 7 orësh, ai u tha gazetarëve se ishte i ftuar në cilësin٥ e personit zyrtar që ka dijeni lidhur me rastin.
Pak ditë më parë u raportua se Prokuroria e Posaçme ka nisur një hetim pasuror ndaj Veliajt. Në media u publikua shkresa që kjo prokurori ua kishte dërguar bankave të nivelit të dytë, ku kërkohej informacione rreth llogarive bankare dhe transaksioneve të Veliajt dhe familjarëve të tij (bashkëshortes, nënës dhe vëllait). Prokuroria nuk ka mohuar se ka bërë kërkesë të tillë, ndërsa vetë Veliaj nuk ka bërë ndonjë koment lidhur me këtë temë.
(r.m.)