Uashington, 6 shtator 2023 – Fundi i fundjavës së Ditës së Punës shënon praktikisht fillimin e një gare të ashpër në Ajova, pasi kandidatët shtyhen për t’u nominuar për president të Shteteve të Bashkuara nga partia e tyre përkatëse. Por, meqë vëmendja po rritet për fushatën zgjedhore të zgjedhjeve presidenciale 2024, furia e zakonshme duket e pashmangshme.
Në mesin e republikanëve, Donald Trump po mbizotëron në garën primare, duke i lënë mbrapa rivalët me rezyme si guvernatorë, diplomatë dhe sipërmarrës, të cilët në kushte normale do të ishin konkurrentë të fortë. Fuqia e ish-presidentit vjen mbase – apo ndoshta për shkak – të aktakuzave të shumta penale të cilat kërcënojnë ta lënë nën hije çfarëdo debati serioz për të ardhmen e vendit.
Dhe tani për tani, miliona dollarët që rivalët republikanë janë duke i derdhur në garë, po bëjnë shumë pak për ta dëmtuar Trumpin, duke nxitur shqetësime në mesin e kritikëve të tij në Partinë Republikane, të cilët druhen se gara primare ka përfunduar para se të fillojë.
Derisa një prirës i garës në telashe po shkon drejt nominimit nga radhët e republikanëve, presidenti Joe Biden është në rrugë të mirë drejt fitores nga radhët e demokratëve. Biden, 80 vjeç, po përballet me opozitë simbolike për të nominuarin e demokratëve, me gjithë shqetësimet për paraqitjet dhe moshën e tij nga shumë zyrtarë brenda partisë së tij.
U pëlqeu apo jo votuesve, rimeçi Trump-Biden mund të jetë i pashmangshëm, i cili do të ofronte një sezon zgjedhor tejet të pasigurt, i cili vetëm i thellon ndarjet politike të vendit.
Trump ka vendosur tashmë të mos marrë pjesë në debatet presidenciale të partisë, dhe paraqitjet e tij para gjykatës po marrin nganjëherë më shumë vëmendje se tubimet e tij elektorale. Dhe Biden e ka nisur tashmë fushatën, teksa përballet me më shumë pyetje rreth moshës dhe për sfidat ligjore të të birit.
“Unë thjesht nuk mund ta paramendoj ndryshimin e gjërave kaq dukshëm. Pra, duket se e kaluara është prolog”, tha guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, i cili është demokrat, duke i lartësuar arritjet e Bidenit, derisa e paralajmëroi partinë e vet të mos e nënvlerësojnë fuqinë politike të Trumpit.
Newsom tha se shqetësimet për moshën e Bidenit “janë kritika me vend dhe Shtëpia e Bardhë e di këtë”.
“Por nëse mosha është e barabartë me rezultatet, atëherë unë mezi e pres ditëlindjen e tij të 85-të”, shtoi ai.
Te republikanët, ka druajtje në mesin e donatorëve dhe liderëve të partisë, të cilët shpresonin se votuesit konservatorë do ta shmangnin Trumpin duke e parë sulmin e 6 janarit në Kapitol të cilin e nxiti ai dhe sfidat serioze ligjore me të cilat përballet.
“Një rimeç Trump-Biden do të ishte katastrofik për vendin. Jam shumë i brengosur për këtë”, tha Bobbie Kilberg, një donatore e rëndësishme republikane, i cila po e përkrah ish-guvernatorin e Nju Xhersit, Chris Christie.
Ajo tha se është e frikshme qysh shumë votues në partinë e saj vazhdojnë ta përkrahin ish-presidentin. “Unë refuzoj të besoj se Trumpi është i nominuari jonë i pashmangshëm”.
Ka kohë që peizazhi zgjedhor 2024 të ndryshojë.
Kanë mbetur edhe katër muaj para se të hidhen votat e para në Ajova (për nominimin e kandidatëve për president nga të dy partitë), ndërsa zgjedhjet e përgjithshme janë më shumë se një vit larg. Historia e kohëve të fundit jep shumë shembuj të kandidatëve të anashkaluar dhe gjoja të mposhtur, të cilët dëshmuan se urtësia popullore ishte gabim. Edhe Trump e Biden janë në mesin e tyre.
Trumpi po përballet me 91 akuza penale në Uashington, Nju Jork, Florida dhe Atlanta. Ato përfshijnë gjithçka, nga mbajtja e jashtëligjshme e dokumenteve të klasifikuara, përpjekjet për ta zhbërë disfatën në zgjedhjet 2020 e deri të tentimi për t’ia mbyllur gojën me para një ylli të pornografisë.
Ish-presidenti mund të jetë i dënuar me burgim para se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme nëntorin e ardhshëm. Prapëseprapë, liderët e parisë – përfshirë shumica e kundërshtarëve të tij republikanë në zgjedhjet primare – janë zotuar se do ta përkrahin atë edhe nëse shpallet fajtor.
Dhe asgjë në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara nuk ua ndalon të dënuarve marrjen e detyrës së presidentit.
Senatori i Luizianës, Bill Cassidy, një republikan dhe mjek, ngriti shqetësime për gjendjen fizike dhe shëndetin mendor të Bidenit.
“Ai [shëndeti i tij] është thjesht duke u përkeqësuar”, tha ai.
Sipas një sondazhi të Associated Press, Biden është “i vjetër” dhe i “hutuar”, ndërsa Trumpi është “i korruptuar” dhe “i pandershëm”.
Këto ishin në mesin e termeve kryesore që amerikanët i përdorën kur u pyetën për ta përshkruar kandidatin kryesues për president të secilës parti.
Sipas një sondazhi të ri të Associated Press, ka vetëm një gjë për të cilën republikanët dhe demokratët pajtohen kur bëhet fjalë për presidentin Joe Biden: Shumica në të dy partitë mendojnë se ai është shumë i vjetër për të qenë president.
Por, liderët në të dy partitë janë të gatshëm t’i anashkalojnë problemet e tilla.
Presidenti i Demokratëve të Rinj të Amerikës, Quentin Wathum-Ocama, e pranon se votuesit e rinj nuk janë patjetër entuziastë për një rimeç Trump-Biden, por ai shpreson se kandidatura polarizuese e Trumpit do t’i japë partisë së tij energjinë që Bideni nuk mundet.
“Po, njerëzit duan një gjeneratë më të re të politikanëve. Ne gjithmonë kemi folur për Joe Bidenin si – madje edhe ai vetë e ka thënë – si një figurë tranzicionale në jetën tonë politike”.
Zyrtarët demokratë në Kongres dhe në shtetet kryesore janë duke e mbështetur publikisht rizgjedhjen e Bidenit.
Senatori i Vermontit, Bernie Sanders, sfiduesi më i fortë i Bidenit në zgjedhjet primare të demokratëve më 2020, e përkrahu rizgjedhjen e Bidenit pak orë pasi u bë publike kandidatura e tij në pranverë. Bideni i futi në listën e bordit kombëtar të këshilltarëve ata që do të ishin rivalët e tij. Përfshirë republikanin Ro Khanna, senatoren D-Calif, guvernatorin e Illinois J.B. Pritzker dhe Newsom.
Republikanët kanë sugjeruar se Newsom planifikon ta sfidojë Bidenin në zgjedhjet primare, diçka të cilën guvernatori i Kalifornisë e ka hedhur poshtë vazhdimisht. Kjo madje edhe në një kohë kur Newsom e ka menduar mundësinë për një debat të profilit të lartë kundër guvernatorit të Floridës, Ron DeSantis, i cili është në mesin e sfiduesve kryesore republikanë të Trumpit.
Newsom tha se do të ketë debat me guvernatorin e Floridës, mbase në nëntor, edhe pse dy kampet janë duke punuar ende rreth hollësive.
“Do ta bëj gjënë që mezi pres ta bëj më shumë se çdo gjë tjetër, dhe kjo [argumenton] për Bidenin dhe atë që e ka arritur ai – dhe ta bëj këtë një kundër një”, tha ai për një debat me DeSantisin. “Kjo është një mundësi, një platformë, të cilën nuk dua ta lëshoj”.
Ndërkohë, e shenjë vetëbesimi, fushata e Trumpit ka filluar tashmë të përgatitet për një betejë kundër Bidenit në zgjedhjet e përgjithshme.
Ekipi i tij thotë se ai planifikon të mos marrë pjesë në asnjë debat presidencial republikan. DeSantis, që dikur mendohej se ishte kërcënim i mundshëm, ka hasur në vështirësi për t’i përmbushur pritjet.
“Presidenti përfiton nga të qenët lider i parisë në tetë vjetët e fundit”, tha Brian Jack, drejtori politik i Trumpit.
Trumpi po i prin garës për përkrahje publike, duke e fituar mbështetjen publike të më shumë anëtarëve të Kongresit dhe zyrtarëve të zgjedhur në mbarë shtetin, se të gjithë të tjerët së bashku.
Kandidatët e tjerë po kanë vështirësi ta mbajnë ritmin me fushatën e qetë të Trumpit për kontrollimin e rregullave për përzgjedhjen e delegatëve për zgjedhjet primare shtetërore për individët. Për shembull, zyrtarët e Trumpit me sukses i shtynë republikanët e Kalifornisë t’ia japin të gjithë 169 delegatët shtetërorë fituesit të zgjedhjeve primare të 5 marsit, në vend se t’ia ndanin delegatët kandidatëve të shumtë bazuar në proporcionin e votës së tyre.
Duke e parë përparësinë jashtëzakonisht të madhe të Trumpit, disa aleatë të fuqishëm të Trumpit kanë nisur t’u bëjnë thirrje kandidatëve të tjerë republikanë për president të heqin dorë. Kryetari i Majamit, Francis Suarez, i dha fund përpjekjes jetëshkurtër për Shtëpinë e Bardhë në fund të javës së kaluar, pasi dështoi të kualifikohej për debatin hapës. Por, të paktën edhe tetë kundërshtarë të profilit të lartë mbesin ende në garë.
“Ka muaj që është e qartë se presidenti Trump do të jetë i nominuari i republikanëve”, tha republikania Elise Stefanik. “Këto zgjedhje janë më të rëndësishmet në jetën tonë, dhe unë do të vazhdoj t’u bëj thirrje republikanëve që ta përkrahim fushatën e presidentit Trump me tërë mekanizmat e partisë sonë.”
Derisa Trump mbetet favorit i pastër, ai mban një epërsi më të madhe në tërë vendin se në disa shtete ku votohet më herët. Republikanët me ndikim atje nuk janë të gatshëm ta pranojnë nominimin e Trumpit akoma.
Guvernatori i Nju Hempshirit, Chris Sununu, vendit i cili e mban garën e dytë primare të republikanëve pas Ajovës, është duke punuar për t’i forcuar rivalët republikanë të Trumpit, duke paralajmëruar se Trumpi ka shumë të meta për t’i fituar zgjedhjet e përgjithshme.
Edhe ish-guvernatori i Ajovës, Terry Branstad, i cili shërbeu si ambasador i Trumpit në Kinë, ka shprehur dyshime për mundësitë e ish-presidentit për t’i fituar zgjedhjet presidenciale, duke marrë parasysh sfidat ligjore të cilat do të zhvillohen gjatë shumicës së vitit të ardhshëm.
“Përqendrimi i zgjedhjeve duhet të jetë në Bidenin dhe rekordin e tij. Kjo gjë më shqetëson mua. Kjo i jep përparësi demokratëve”, tha Branstad.
Madje as vetë Trumpi nuk është i gatshëm të thotë se e ka siguruar tashmë nominimin republikan për president të Shteteve të Bashkuara.
“Nuk dua të them se gjithçka ka përfunduar, sepse unë s’e them këtë. Unë nuk besoj derisa të përfundojë, apo jo? Siç do të thoshte Yogi “asgjë nuk ka përfunduar, derisa të përfundojë”, tha Trump.
(REL)