PËRGATITNI UDHËN ZOTIT
“Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit”… Zëri i Atij që bërtet në shkreti: përgatitni udhën Zotit, rrafshoni shtigjet e tija.
(Mt 3, 2-3)
“Gjëra më e bukur e Marisë ishte kur Jezusi hyri në jetën e saj. Ndërsa ajo menjëherë, me shpejti, shkoi në shtëpinë e Elizabetës për t’ia dhënë Jezusin asaj dhe birit të saj.”
(Nëna Tereze)
Jeta jonë është me përplot takime, bisedime, komunikime, të llojeve dhe formave të ndryshme. Sot, mjetet e komunikimit kanë bëri përparime të mëdha, kështu që bota bëhet gjithnjë e më e vogël si hapësirë komunikimi, mirëpo edhe më e panjohur, e huaja, anonime lidhur me marrëdhëniet ndërpersonale. Jetojmë, punojmë, flasim së shpejti, si kalimthi, duke humbur shijen dhe bukurinë e fytyrës njerëzore që na flet, buzëqeshet, komunikon, jeton, dashuron. Komunikimi është i drejtuar kah…!?
Çka domethënë sot komunikimi?
Para së gjithash të jesh vetvetja, i ndershëm, i sinqertë, i përzemërt, i hapur, për të menduar, folur dhe vepruar me koherencë. Për shumë njerëz, komunikim verbal, fjala, është bërë mjet i fuqishëm për t’u fshehur, për t’i mashtruar të tjerët, për t’u mbrojtur apo sulmuar të afërmin, më shumë sesa mjet i madh dhe fuqishëm për një komunikim integral, që ndërlidh dhe shpreh mendimin dhe ndjenjat e njeriut.
Të komunikosh, domethënë të jetosh në tjetrin, mundësinë për të qenë vetvetja-edhe më shumë, për t’u përmirësuar dhe përparuar, duke u begatuar me tjetrin dhe me të tjerët, duke krijuar kështu ndjenjën e thellë dhe të bukur të përkatësisë, ne, të bashkësisë dhe bashkimit vëllazëror.
I krishterë vazhdimisht është i ftuar për komunikim me vetveten, me të tjerët dhe me Zotin. Edhe më shumë, është i ftuar për t’iu komunikuar të tjerëve Zotin, për t’i përgatitur udhën Zotit, siç bëri Shën Gjon Pagëzuesi, sipas shembullit të Marisë.
“Virgjëra Mari ishte nisur në udhëtim me shpejtësi kah pjesa malore dhe mbeti atje tre muaj për të krye punë të shërbëtores te kushërira e saj e moshuar… Ne duhet të kemi diçka para se ta dhurojmë atë. Kush e ka dërgimin për t’u dhënë të tjerëve, duhet së pari të ketë, të rritet në njohurinë e Zotit dhe në dashurinë e tij… Kujdesi i Marisë për të tjerët ishte i madh aq sa e bëri Nazaretin strehimore të Zotit. Shërbenju me gjuhën tuaj për të mirën e të tjerëve: gjuha flet për plotësinë e zemrës.” (Nëna Tereze)
Bashkimi ynë me Zotin, nuk është vetëm një gjest personal, por bëhet dëshmi, shenjë e pranisë së tij në mesin tonë.
“Pas adhurimit në kapelë për ta njohur, dashur dhe shërbye Jezusin eukaristik, shkojmë jashtë për ta gjetur dhe adhuruar të njëjtin Jezus në nevojtarë të sëmurë, për ta dëshmuar fenë tonë që shprehet në dashuri dhe në shërbim.” (Nëna Tereze)
Mu për këtë, nuk mund të jetohet Zoti – Dashuri, pa ua dëshmuar atë edhe të tjerëve, në jetën tonë të përditshme. Nga kjo lind çdo mision – dërgim ndaj të tjerëve, nëpërmjet nesh dhe me jetën tonë të frymëzuar prej Zotit.
Pas shpërblimeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos pas Shpërblimit Nobel për Paqe (1979), Nëna Tereze më tha: “Tash do të shkoj në Romë për disa ditë te motrat tona. Pastaj do të takohem me Atin e Shenjtë Gjon Pali II. Kam vendosur që të tërhiqem nga jeta publike, si dhe nga udhëheqja e Rendit tonë. Do të kthehem në qytetin e të gërbulurve.”
Dhe ashtu bëri. Mirëpo Papa Gjon Pali II nuk mund ta pranonte këtë humbje kaq të madhe për mbarë Kishën. Për këtë arsye, i tha haptazi: “Nënë, Ju jeni një dëshmitare autentike e Krishtit dhe Ungjillit. Prandaj do të duhej të shkoni kudo që ju thërrasin për ta dëshmuar dashurinë e Zotit ndaj të gjithëve.”
U takova me Nënën Tereze pas disa muajve në Romë. E pyeta: “Si, ende je aktive? Më tha duke qeshur: “Shenjti Atë Papë më tha se duhet ende të punoj, t’i vizitoj shtëpitë tona, ta dëshmoj Jezusin nëpër botë. Atëherë unë bëj atë që Papa ka kërkuar prej meje, domethënë e bëj vullnetin e Zotit.”
Papa e ka vizituar Indinë në vitin 1986. Disa herë ishte takuar me Nënën Tereze, si “dueti” i Zotin nëpër rrugët e botës së mjerimit. Ka vizituar edhe të gërbulurit, shtëpinë e njerëzve buzë vdekjes, si dhe qendrat tjera të “Misionareve të Dashurisë” në Kalkutë. Ishte një vizitë e gjatë dhe e mundimshme baritore, në një vend vuajtjesh dhe kundërthëniesh të mëdha. Gjatë fluturimit për kthim në Romë, një gazetar e pyeti Papën: “Shenjtëri, ky udhëtim ishte i gjatë dhe shumë i mundimshëm. Si e keni përjetuar Ju Indinë?
Papa iu përgjigj: “Nuk ishte udhëtim i vështirë. Përkundrazi, ishte udhëtimi apostolik më i lehti, sepse afër vetes kisha Nënën Tereze. Kur i flisja njerëzve për krishterimin, dashurinë, bamirësinë, mjaftonte që të tregoja me gisht Nënën Tereze. Dhe populli fill kuptonte gjithçka”.
Nëna Tereze dëshmon: “Eukaristia është burimi i jetës së krishterë. Eukaristia jonë mbetet e mangët, nëse nuk na bartë në shërbim dhe dashuri ndaj të varfërve.”
Shembulli më i bukur si duhet pranuar, dashur dhe dëshmuar Jezusin, është Virgjëra Maria, sidomos në takimin e saj me Elizabetën.
“Maria, ishte një misionare e vërtetë, sepse nuk pati frikë të ishte shërbëtorja e Zotit. Ajo, me ngutësi të përvujtërisë së saj të ndritshme ishte në shërbim të dashurisë për Elizabetën duke krye punë të një shërbëtore. Ne e dimë se çka kishte përjetuar fëmija ende i palindur: ai shpërtheu në hare në kraharorin e nënës, qenia e parë njerëzore që e kishte njohur ardhjen e Krishtit; si pasojë e kësaj Nëna e Zotit këndoi himnin Shpirti im e madhëron Zotin…Maria është model i jetës, sepse ajo par së gjithash e ka pranuar Jezusin në jetën e saj, pastaj ka shkuar te Elizabeta me kujdes për t’ia dhënë lajmin asaj, sepse atë që kishte pranuar, duhej dhuruar rishtas.” (Nëna Tereze).
Nga kjo lind vetëdija që çdo veprim është, do të duhej të ishte edhe dërgim dhe dëshmi, sepse të tjerët, bota ka shumë nevojë, mirëpo mbi të gjitha ka nevojë për Zotin – Dashuri.
“Gjëra më e bukur e Marisë ishte, kur Jezusi hyri në jetën e saj, menjëherë, me shpejtësi, ajo shkoi në shtëpinë e Elizabetës për t’ia dhuruar asaj dhe birit të saj ende të palindur Jezusin…Kështu ajo bëri edhe për mbarë botën, duke lindur Shpëtimtarin.” (Nëna Tereze)
Nëse dëshiron që jeta jote të jetë dhuratë e vërtetë për ty, për të tjerët, për Zotin, jeto me fe dhe dashuri, me vetëdije dhe përgjegjësi: nëpërmjet teje Zoti mund të jetë i pranishëm dhe veprues në botë! Çfarë përgjegjësie! Çfarë mrekullie! Çfarë dërgimi dhe veprimi! Çfarë dashurie! Zoti dëshiron të shërbehet me ne, për të qenë Ai me të tjerët, për ta shëlbuar botën me dashurinë dhe faljen e tij të paskajshme.
Bota e heton risinë – Jezusin – në jetën e Nënës Tereze. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Xavier Peres de Cuellar, para Asamblesë së Kombeve të Bashkuara e ka paraqitur kështu: “Po ju paraqes gruan më të fuqishme të botës!”
Kryeministri i Indisë, Rajiv Gandhi, tha: “Jemi krenarë që Nëna Tereze ka adoptuar Indinë si atdheun e saj. Ajo nuk i përket vetëm Indisë, por mbarë botës.”
Nëna Tereze, na frymëzon: “Dashuria e Zotit, duhet të na udhëzojë kah shërbimi i plotë.”
Prishtinë, 23 shkurt 2022
Radio Maria – Kosovë
Don Lush GJERGJI