Prishtinë, 16 tetor 2024 – Të martën, në ASHAK, u promovua edhe libri “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore”. Në këtë libër, i cili është përgatitur për botim nga akademik Rexhep Ismajli, janë përmbledhur trajtesat e paraqitura në konferencën shkencore ndërkombëtare me po këtë temë bosht, të mbajtur vitin e kaluar në Prishtinë.
Akademik Sabri Hamiti tha se konferenca shkencore ndërkombëtare “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore” ishte konferenca e pestë me serinë e konferencave me temë studimet e të tjerëve për albanistikën (gjuhën, letërsinë, kulturën, etj.), që organizohen nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Hamiti theksoi se të gjitha meritat për organizimin e këtyre konferencave, të cilat kanë marrë vlerësimet më të larta të njohësve dhe studjuesve të albanistikës, brenda dhe jashtë, i shkojnë ideatorit dhe promotorit të tyre, Akademik Rexhep Ismajlit. Ai tha se akademik Ismajlit i takojnë edhe meritat për botimin e pesë vëllimeve të trajtesave të konferencave, me gjithsej 3256 faqe.
Bardh Rugova paraqiti një përmbledhje të trajtesave të konferencës, të cilat janë botuar në këtë vëllim. Ai tha se ato paraqesin një kontribut shumë të rëndësishëm për historinë e studimeve të albanistikës në botën britanike dhe në botën e Europës Veriore, si edhe për studimet albanologjike në përgjithësi.
Edhe Rugova e vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm pë akademik Rexhep Ismajlit në organizimin e konferencave për studimet e të tjerëve për shqiptarët dhe albanistikën si edhe në botimin e materialeve të këtyre konferencave.
Akademik Rexhep Ismajli, në fjalën e rastit, fillimisht bëri një rezyme të serisë së konferencave shkencore ndërkombëtare për studimet albanistike jashtë hapësirës shqiptare dhe shprehu kënaqësinë që këto konferenca kanë marrë vlerësime të larta edhe në qarqet shkencore ndërkombëtare.
“Deri tash janë mbajtur këto konferenca: Studimet albanistike në Amerikë, 2015 (2016), ff. 665; Studimet albanistike në vendet ku flitet gjer¬manisht, 2017 (2018), ff. 861; Studimet albanistike në Itali, 2019 (2020), ff. 567; Studimet shqiptare në Francë, 2021 (2022), ff. 638 dhe Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore, 2023 (2024), ff. 518, gjithsejtë deri tash 3060 faqe libri. Jo vetëm për nga vëllimi, po në radhë të parë për nga numri i pjesëmarrësve dhe cilësia e shqyrtimeve e tërë kjo veprimtari paraqet një ndërmarrje serioze të vlerësimit të studimeve albanistike në botë nga një brez stu-diuesish në shtrirje prej rreth një dekade. Na gëzon dhe fakti se një vlerësim kështu i lartë për këto rezultate ka dalë jo vetëm nga pjesëmarrësit e shumtë të k묬tyre konferencave, po edhe në recensionet që janë bërë pastaj”, tha ai.
Duke folur për vëllimin “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore”, Profesor Ismajli tha se “në studimet e deritashme është vënë re se interesimet e autorëve të botës britanike për botën shqiptare më së shpeshti shtrihen në kohë deri nga fillimi i shekullit XVIII, kur historiani Edwar Gibbon fliste për Shqipërinë si për ‘një tokë brenda harkut të Italisë, por më pak e njohur se brendësia e Amerikës’”.
Profesor Ismajli tha se këto interesime janë shumë më të hershme. Ai tha se në konferencë nuk është nxjerrë në dritë një shënim i fillimit të shekullit XIV, të cilin e quajti dokument me vlerë historike.
“…më lejoni të sjell në kujtesë një shënim shumë më të hershëm, nga fillimi i sh. XIV nga bota britanike, shënim i cili nuk u pasqyrua në kon¬¬fe¬rencë, por që ka vlerë të padyshimtë. Vlera e tij del në pah nga kontekstualizimi, qoftë fare i shkurtë, dhe na thotë qartë se bota shqiptare dhe veçantitë e saj ishin shënuar shumë herët dhe në largësi të mëdha”, tha ai.
Profesor Ismajli tha se në këtë konferencë janë paraqitur shumë studime mbi shkrimet autorëve britanikë tashme të njohur për studjuesit e fushave të ndryshme të albanistikës.
Profesor Ismajli tha se interesimet për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare nuk kanë munguar as tek autorë të Europës Veriore.
“Në këto hapësira nuk janë shënuar njoftime kaq të hershme për botën shqiptare sa ai që u përmend i Simeonit irlandez, por qysh nga fillimet e sh. XIX prej andej na vijnë vrojtime me peshë, si ato të R. Rask, të S. Bugge, etj., që vijnë e intensifikohen e thellohen sidomos tek ‘harushani danez’ H. Pedersen, siç e quante S. Riza ynë në vitet ’50 të sh. të kaluar, për të vazhduar me autorë seriozë e me ndihmesa me peshë te Ch. Sandfeld e G. Svanne, më vonë. Sigurisht që vrojtimet e Ullmar Quickut, të Berit Beker-it e të autorëve të tjerë në kohën tonë po lënë gjurmë me rëndësi në studimet për botën shqiptare”, tha ai.
Profesor Ismajli tha se në vendet e Europës Veriore është gjithnjë e në rritje interesi për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe diasporën shqiptare.
Në pjesën përmbyllëse të fjalës së tij, Profesor Ismajli tha se në vëllimin “Studimet për shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe në vendet e Europës Veriore” janë botuar 40 trajtesa të fushave të ndryshme të paraqitura në konferencë.
“Në 518 faqet e tij do të gjeni referime, analiza, shqyrtime, diskutime për aspekte të ndryshme të interesimeve për botën shqiptare të autorëve britanikë dhe të Europës Veriore. Në këtë rast bien në sy përqendrimet e shpeshta rreth veprave të autorëve si Lordi Byron, Stuart Mann, Edith Durham, Noel Malcolm, Christian Sandfeld, Holger Pedersen, Arthur Evans, apo John Wilkes, por në përgjithësi horizonti vjen e zgjerohet më shumë se në konferencat e tjera, tani jo më vetëm në gjuhësi, po edhe në letërsi, në studimet etnologjike-etnografike, në arkeologji, e deri edhe në aspektet gjeopolitike e historiografike”, tha akademik Rexhep Ismajli.
(Ramadan Muçolli)