Sipas amanetit të ish Kryetarit të “Vatrës” Dr. Gjon Bucaj, libri i tij i fundit, sapo botuar me titull “Vatra në kapërcyell të shekujve” u promovua nga familjarët në Qendrën Islamike Shqiptare në New Jersey dhe në Kishën Katoilike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”në Hartsdale në New York.
Në New Jersey ky tubim u përshëndet nga Imamët Rifat Halimi dhe Edin Gjoni dhe u moderua nga Prof. Mithat Gashi. Për jetën dhe veprën e të ndjerit diskutuan Prof. Mithat Gashi, Dr. Nexhat Kaliçi, Dr. Elton Mara, ish ambasadori Skënder Shkupi, arsimtarja Lindita Agastra, aktivistët e njohur te komunitetit Faik Lita, Ahmet Hoti, Elez Osmani, Agim Aliçkaj, Asllan Bushati dhe përfaqësuese të organizatës “Shpresë dhe Paqe”.
Në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsadale, përshëndeti Don Pjetër Popaj, i cili foli me resepkt e fjalë tepër dashamirëse mbi veprimtarinë patriotike dhe atdhetare të Dr. Gjon Buçaj e familjarëve të tij. Në mesin e të fturave ishin zonjat Merita Shkupi, Engjellushe Imeraj, Veprimtarja Rita Saliu me bashkëshortin e saj Ing. nuklear Adem Saliu, të cilët kishin udhëtuar nga Rhode island për të qenë si gjithmonë të pranishëm në veprimtaritë e komunitetit tonë në SHBA. Rita Saliu si një ndër aktivistet e njohura në diasporë gëzon Titullin Presidencial Shqiptar “Nënë Tereza”. Të pranishëm ishin gjithashtu gazetari i palodhur Beqir Sina, piktori dhe skenografi Astrit Tota, artisti Raif Hyseni, zonja Mira Përndocaj e të tjerë.
Për eventet, mbajtur më datat 5 dhe 6 nëntor 2022 familjarët shtruan koktej me ushqime tradicionale, pije të freskëta e fruta të stinës. Mos të harrojmë se “Vatra” si një qendër Simbol i shqiptarëve në Amerikë është themeluar më 12 Prill 1912. (Korresp: Hope & Peace)







