Përvoja e Shkollës Shqipe “Alba Life” në rritjen e cilësisë në mësimdhënie

Temë e referuar në takimin e mesuesëve të Diasporës që QBD në bashkëpunim me Ministritë e Diasporës, të Arsimit dhe të Jashtme të Shqipërisë e të Kosovës zhvilluan online.

 

Nga Qemal Zylo

Si themelues dhe drejtues i Shkollave Shqipe “Alba Life”, që operojnë në të gjitha lagjet e Nju Jorkut për një periudhë rreth 14 vjeçare do të mundohem të sjellë në mënyrë të përmbledhur përvojën tone në drejtim të rritjes së cilësisë së mësimdhënies.

Sigurisht që puna  e stafit të shkollës sonë, qe këtë vit arriti ne 17 vetë, nuk ka qenë e lehtë pasi aktualisht gjuha shqipe nuk është pjesë e programeve amerikane të nxënësve si gjuhë e dytë, prandaj ne jemi ndeshur edhe me vështirësi për regjistrimin e nxënësve, por me përkushtim kemi munduar të zgjidhim edhe veshtiresite e shtrirjes së madhe që ka Nju Jorku duke hapur degë në çdo lagje.

Viti i kaluar pati edhe vështirësi të tjera për shkak të pandemisë botërore, e cila na detyroi të fillonim mësimin në platformën në Online e te punonim me fort.  Si rezultat gjatë vitit numri i nxënësve u rrit.  Ne zhvilluam mësim në 13 klasa të ndara sipas nivelit të gjuhës dhe grupmoshës. Kemi pasur nxënës jo vetëm nga NY, por edhe nga shtete të tjera te Amerikes. Po ashtu ju kemi ardhur në ndihmë edhe shkollave shqipe në Halifax Kanada dhe shkollës në Chicago USA.  Sipas kërkesës së tyre regjistruam nxënësit që kishin dëshirë nga keto shkolla dhe ata zhvilluan mësim rregullisht në Online në shkollën shqipe “Alba Life” me një program serioz dhe cilësor. 

 Gjate gjithe aktivitetit te saj shkolla jone vemendjen kryesore e ka perqendruar ne rritjen e cilësisë së mësimdhënies pasi ky është edhe faktori kryesor që e bën nxënësin dhe prindin të jetë i interesuar për mësimin e gjuhës shqipe. Dihet mirë që fëmijëve në fundjavë ju pëlqejnë më shumë aktivitetet sportive dhe argëtuese, prandaj ora e mësimit të gjuhës shqipe duhet të bëhet cilësore që të ngjalli interes tek nxënësit. Dhënia cilësore e mësimit dhe përgatitja me metoda didaktike e pedagogjike nga mësuesit e kualifikuar kanë bërë që Shkolla Shqipe “Alba Life” nga një shkollë të vetme që e hapi 14 vjet më parë në Staten Island të bëhet me shkolla në të gjithë Nju Jorkun. Ky është një sukses dhe një sfidë qe ju kemi bërë vështirësive.

Sipas planit të drejtorisë së shkollës çdo vit në javën e fundit të muajit gusht kemi organizuar seminare me mësuesit e shkollës sonë për t’u njohur me të rejat në programet mësimore e regjistrimet e reja si dhe për të shkëmbyer përvojat e mësuesëve, por vitin e shkuar duke patur parasysh që ishte vit i pandemisë punuam me fort e bëmë një punë më intensive gjatë gjithë muajit gusht.

Zhvilluam seminare për përgatitjen e mësuesëve për të përdorur platformën “Google Meet” për të dhënë mësim në Online.  Çdo mësues përgatiti dhe prezantoi një mësim të hapur para se të fillonte shkolla dhe e shfaqi para stafit të shkollës. Kjo metodë bëri që secili mësues të ndihej më i sigurtë për t’i përballuar vështirësitë teknike që kishte platforma “Google Meet”.

Shkolla Shqipe “Alba Life” iu parapriu shkollave të tjera me mësimin në Online dhe filloi mësimin qysh fundjavën e parë të shtatorit dhe vazhdoi rregullisht gjatë gjithe vitit shkollor.

Gjate vitit mësimor zhvilluam edhe 5 programe artistike në Online kushtuar: Pavarësisë së Shqipërisë, Fundvitit 2020, Pavarësisë së Kosovës, 7 Marsit dhe mbylljes së vitit akademik 2020-2021. Po ashtu sipas orientimeve të KKAD-se zhvilluam edhe një prezantim për përdorimin e platformës “Google Meet” dhe dy mësime të hapura me klasat e nivelit të dytë dhe të gjithë materialet e veprimtarive të mësipërme i kemi regjistruar dhe vendosur në youtube dhe F/B për të shërbyer si shkëmbim përvoje midis shkollave të tjera.

Përgatitja e mësimit në Online nga mësuesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” është bërë duke përzgjedhur e përshtatur të gjitha materialet didaktike e tekstet e miratuara në ministritë përkatëse të Shqipërisë dhe Kosovës.  Ato u kombinuan edhe me platformën: “Schoolme” që QBD na vuri në dispozicion. Çdo mësues ka bërë një përgatitje për çdo orë mësimore me rreth 15 deri edhe 30 faqe në Power Point të shoqëruara me figura dhe vidio të ndryshme.  Ato e kanë bërë më interesante orën e mësimit pasi siç dihet nuk është e lehtë të mbash para ekranit një fëmijë një orë të tërë pa një përgatitje cilësore.

Nga vëzhgimet që drejtoria ka bërë rregullisht në të 13 klasat e shkollës ka vërejtur se gjithmonë nxënësit hynin më parë në Online dhe nuk largoheshin nga ekrani edhe kur mësimi mbaronte dhe shkëmbenin mendime me mësuesit e tyre dhe shfaqnin interesa për gjëra të ndryshme. Ky eshte nje tregues i rëndësishem qe ne e vlerësojmë shumë.

Një interes të veçantë tek nxënësit kanë pasur diskutimi në pjesën e parë të orës së mësimit i detyrave të shtëpisë si një kërkesë e domosdoshme e procesit didaktik. Detyrat e shtëpisë apo projektet në kërkime të ndryshme sipas interesave të grupmoshës së nxënësve, që mësuesit japin në mbarim të orës mësimore janë një element shumë i rëndësishëm që e mban nxënësin në kontakt me gjuhën shqipe gjatë gjithë javës. 

Nxënësit sidomos ata të nivelit të dytë ndjejnë kënaqësi dhe interes kur ata diskutojnë me mësuesit dhe me njeri tjetrin për tema të ndryshme. Kështu projekte shumë tërheqëse kanë qenë ato të pemës së familjes, të ushqimeve, veshjeve, muzikës tradicionale dhe të historisë shqiptare.  Po ashtu leximi në shtëpi e diskutimi në klasë i tregimeve të moçme shqiptare të shkrimtarit të shquar Mitrush Kutelit që QBD na i vuri në dispozion në Online, e kanë bërë më të larmishme orën e mësimit.

Dua të përmend një esse shumë të bukur që kishte përgatitur një nxënësne programin e funditit. Ai u regjistrua në shkolle ne shtatorin e shkuar dhe ne esse paraqiti progresin e tij njëvjeçar në mësimin e gjuhës shqipe në Online. Mënyra e te shkruarit dhe të folurit në shqip përloti të gjithë pjesemarresit dhe  ata panë nga afër përvojen e shkollës në mësimin e gjuhës shqipe.

Në rritjen e cilësisë së procesit mësimor kanë ndikuar pozitivisht edhe takimet virtuale me disa figura të rëndësishme.  Me mjaft interes nxënësit e shkollës sonë kanë ndjekur përshëndetjet e Presidentit të parë të Kosovës z.Fatmir Sejdiu, Kongresistit Joe DioGuardi, Ambasadorit Amerikan William Walker, Ambasadores së Shqipërisë znj. Floreta Faber, Ambasadorit Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i RK ne NY si dhe përshëndetjen e kolegut tonë të Shkollës Shqipe në Zvicër z.Vaxhid Sejdiu, i cili është njëkohësisht edhe kryetar i KKAD-se  që ka marë pjesë së bashku me disa anëtarë të tjerë të këshillit, kolegët e mi të nderuar.

Duke patur parasysh që përgatitja e mësuesit është faktori kryesor në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, drejtoria e shkollës përveç seminarit që zhvillojmë çdo muaj gusht ajo ka organizuar edhe disa takime virtuale frytdhënëse gjatë vitit për të diskutuar problemet e mësimdhënies dhe shkëmbimin e përvojës midis mësueseve. Shkëmbimi i përvojës të mësueseve me stazh me më shumë vite pune në shkollën tonë dhe mësimet e hapura kanë ndihmuar shumë në përmirësimin e metodës së mësimdhënies të mësueseve të reja të shkollës. 

Mjaft prindër na kanë shkruar dhe përgëzuar se sa shumë ka ndikuar metoda e mësimdhënies në formimin e fëmijëve të tyre duke i përgatitur ata për të njohur rrënjët e të parëve, Atdheun e tyre dhe historinë e lavdishme. Nxenesit kanë fituar shkathtësi dhe shprehi gjuhësore, nëpërmjet kallëzimit, shpjegimit, demonstrimit, vidiove virtuale, përsëritjes si dhe ushtrimet nëpërmjet teksteve përkatëse.

            Kjo përvojë e jashtëzakonshme e Shkollës Shqipe “Alba Life” ka sjellë rritjen e cilësisë në mësimdhënie duke tërhequr vazhdimisht shumë nxënës nga të gjitha lagjet e Nju Jorkut dhe kjo punë profesionale është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë mësueset e Shkollës Shqipe “Alba Life”, të cilat gjej rastin t’i falënderoj publikisht në këtë takim të mësuesëve të Diasporës.

Ju falënderoj për vëmendjen tuaj të dashur kolege dhe ju uroj suksese në këtë mission të përbashkët Kombëtar.

Nga fjala e mbajtur në takimin në Online me mësuesit e Diasporës organizuar nga Qendra e Botimeve për Diasporën

22 qershor, 2021

New York, USA