Paris, 11 tetor 2022 – Ministrja e Jashtme e Francës, Catherine Colonna, tha se pesë shtetas francezë janë arrestuar në Iran, në protestat që po mbahen në këtë shtet.
Javën e kaluar, Franca u bëri thirrje shtetasve të saj që të largohen nga Irani, duke thënë se ata mund t’i ekspozohen rrezikut të ndalimeve arbitrare.
Muajin e kaluar, në Iran shpërthyen protestat pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare. Mahsa Amini vdiq gjatë kohës sa ishte në mbajtje nga policia e moralit e Iranit, pasi ishte arrestuar nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.
Irani vazhdimisht ka akuzuar forcat e jashtme për nxitjen e protestave, por nuk ka dhënë asnjë dëshmi për këto pretendime.
Më 6 tetor, agjencia shtetërore e lajmeve IRNA publikoi një video ku u shfaqën dy shtetas francezë, Cecile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët “pranonin” se ishin spiunë dhe kishin shkuar në Iran për të nxitur protestat. Franca tha se kjo video ishte “e turpshme”.
Kohler dhe Paris u arrestuan në fillim të majit në Teheran teksa ishin duke vizituar Republikën Islamike. Zyrtarët iranianë nuk kanë ofruar ndonjë dëshmi që mbështet akuzat për spiunim ndaj këtyre dy shtetasve francezë.
(REL)