Pesë të arrestuar në Kosovë, në një aksion kundër drogës

Prishtinë, 20 prill 2022 – Policia e Kosovës tha se ka arrestuar pesë persona, nën dyshimet për veprën penale “Blerja, posedimi shitja e paautorizuar e substancave narkotike psikotropike dhe analoge”.

Aksioni, sipas njoftimit, është zhvilluar në Mitrovicë të Jugut dhe Fushë Kosovë, ku janë konfiskuar 56 kilogramë substancë narkotike e llojit marihuanë.

“Operacioni policor është realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me prokuroritë kompetente, ku pas hetimeve të zhvilluara janë identifikuar personat e dyshuar të cilët dyshoheshin se në bashkëveprim trafikonin narkotikë, nga Shqipëria në Kosovë dhe pastaj për destinim jashtë Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjatë aksionit policor, që u zhvillua në orët e hershme të 20 prillit, janë konfiskuar edhe tri vetura (dy me targa të Shqipërisë dhe një me targa të Kosovës), 10,507 euro dhe monedha lek të Shqipërisë dhe denar të Serbisë, si dhe shtatë celularë.

Katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit, ndërkaq rasti ndaj të dyshuarit të pestë vazhdon të procedurë të rregullt.

Ky aksion policor vjen një ditë pasi Policia e Kosovës njoftoi për shkatërrimin e një laboratori droge në Zveçan, ku u arrestuan katër serbë dhe u konfiskua marihuanë në vlerë prej mbi 1 milion eurosh.

(REL)