Gjashtë janë gjithsej viktimat që nga e shtuna, duke përfshirë vrasjen e një 25-vjeçari në Vlorë
Knid Ndrenika
Pesë persona humbën jetën vetëm paraditen e kësaj të diele në Shqipëri në tri ngjarje të ndara.
Dy shtetas me kombësi verimaqedonase u mbytën në detin Adriatik në Spille të Kavajës pranë Durrësit.
Policia tha shtetasit që humbën jetën si pasojë e mbytjes në det janë M. M., 79 vjeç dhe C. M., 78 vjeç, pushues nga Maqedonia e Veriut dhe se vijon puna nga Grupi hetimor për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Viktima e tretë e mbytur në det gjithashtu në Adriatik, por në Velipojë të Shkodrës, është një shqiptar nga Kosova.
Policia pohoi se rreth orës 11:15 në plazhin e Velipojës humbi jetën shtetasi me inicialet H. H. rreth 59 vjeç.
Policia shtoi se grupi hetimor shkoi në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave.
Dy viktimat e tjera, në aksident rrugor, u shënuan në zonën e Marinzës në Fier kur makina tip “Nisan” rreth orës 13:00 u përmbys në kanal.
Balkanëeb raportoi se GPS i makinës, që i përkiste një kompanie sigurie dha sinjalin e ndodhisë, duke mos treguar lëvizjen e mjetit që patrullonte çdo ditë në këtë aks rrugor.
Viktimat janë të moshës 50 vjeçe dhe rreth 30 vjeç dhe dyshohet se drejtuesi ka pasur probleme me zemrën.
Ndërkaq, gjashtë janë gjithsej viktimat që nga e shtuna, duke përfshirë vrasjen e një 25-vjeçari në Vlorë.