Prishtinë, 17 korrik 2022 – Policia e Kosovës njoftoi se pesë zyrtarë të saj janë lënduar në veri të Kosovës gjatë një aksioni për të ndaluar një kamion që dyshohej se po kontrabandonte mallra. Policët kanë marrë trajtim mjekësor.
Në njoftim thuhet se në orët e mbrëmjes së 16 korrikut, në fshatin Jashnicë të Leposaviqit, zyrtarët policorë kanë vërejtur një kamionin që dyshohej se po kontrabandonte mallra, por në tentim për ta ndaluar kamionin, policia është penguar nga dy automjete civile. Policia e ka bërë bllokimin e pjesshëm të magjistrales Mitrovicë-Jarinjë, me dy automjete policore, njëra prej të cilave është goditur nga kamioni që ishte në ndjekje të policisë.
“Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për t’u ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Zyrtarët policorë më pas kanë vazhduar ta ndjekin kamionin, i cili ka vazhduar të lëvizë me shpejtësi të lartë në rrugën magjistrale Mitrovicë-Jarinjë. Gjatë ndjekjes, kamioni e ka goditur përsëri automjetin e policisë.
“Në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, thuhet në njoftim.
Policia ka arritur ta ndalë kamionin në fshatin Llazhinë dhe e ka arrestuar vozitësin A.D (1990), i cili është dërguar në mbajtje. Ai ngarkohet me veprat “kalim i kufirit ilegal”, “kontrabandim me mallra” dhe “sulm ndaj personit zyrtar”.
Ndërkaq, U.R, i cili e ngiste veturën që e ndihmoi shoferin e kamionit, është liruar në procedurë të rregullt.
Gjatë kontrollit të kamionit janë zbuluar mallra të kontrabanduara, të cilat janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.
Zyrtarët policorë të Kosovës janë penguar shpesh gjatë aksioneve të tyre kundër kontrabandës në pjesën veriore të vendit. Në fillim të këtij viti janë regjistruar disa sulme me armë e me mjete shpërthyese ndaj policisë.
(r.m.)