Tiranë, 16 mars 2025 – Sinodi i Shenjtë ka zgjedhur peshkopin Joan Pelushi kryepeshkop të ri të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Kambanat e Kishës kanë rënë në Tiranë dhe qytete e tjera të vendit, ndërsa njoftuan lajmin për zgjedhjen e Joan Pelushit, si pasues të të ndjerit Anasatas Janullatos.
“Me përulësi, duke iu bindur vullnetit hyjnor pranoj këtë shërbim të lartë dhe premtoj se do ta zbatoj me devotshmëri detyrën time. Do respektoj traditën e shenjtë dhe do përpiqem me forcë të mbroj të drejtat e kishës, i vetëdijshëm për peshën e kësaj përgjegjësi, i lutem Krisht themeluesit të kishës të më japë ndriçim, forcë dhe urtësi për të përmbushur këtë mision. Me dorën time e nënshkruaj këtë zotim. Lutem që Perëndia ta mbrojë gjithmonë Kishën tonë”, tha Imzot Joani.
Joan Pelushi do ta marrë zyrtarisht detyrën e kryepeshkopit më 29 mars, me një shërbesë të veçantë.
Ai ka lindur në Tiranë dhe në moshë të re, është konvertuar nga bektashi në ortodoks. Më pas, ka ndjekur studimet në SHBA, ka qenë drejtor i Seminarit Teologjik në Durrës dhe që nga 1998 shërben në Korçë.
Në një intervistë të vitit 2013, ai kishte folur për identitetin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
“Vazhdimisht jemi sulmuar, shpesh pa të drejtë. Çdo ditë na vjedhin kisha dhe ne shpesh kemi heshtur. Akuzat në pjesën më të madhe ngrihen mbi bazë të thashethemeve. Në kishë nuk mësohet greqisht, siç pretendohet. Një fakt i tillë vlen vetëm për zonat minoritare, është e drejtë e tyre të mësojnë në gjuhën e tyre”, kishte thënë ai
Joan Pelushi ka qenë edhe pedagog dhe dekan i Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare.
Ai ka përkthyer në shqip disa libra fetarë, si: “Mbi Shpirtin e Shenjtë”, “Besimi Ortodoks” (katër vëllime), “Adhurimi”, “Shkrimi i Shenjtë dhe Historia e Kishës”, “Spiritualiteti”, “Shën Siluani”, etj. Për nevoja të studentëve të Akademisë Teologjike të Kishës Ortodokse Shqiptare i ka përkthyer edhe tekstet: “Dogmatika”, “Shenjtorët iliro-shqiptarë” dhe “Predikime”.
Joan Pelushi ka botuar shumë artikuj në gazetën “Ngjallja” dhe ka marrë pjesë në shumë simpoziume dhe konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
(r.m.)
Ndoshta i paskan dhene fund zgjedhjjes se “emisareve”kryepeshkopeve joshqiptar per autoqefaline e Kishes Ortodokese .Shqiptare.Me Jeenullatosin dhe 40 hajdutet e tij,paska marr fund edhe kjo shemti shqiptare ndaj vetvetes dhe besimt ortodoks shqiptar.