Petar Petkoviqit i refuzohet kërkesa për hyrje në Kosovë

Prishtinë, 24 korrik 2023 – Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ia ka refuzuar kërkesën për të hyrë në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar këtë herë kërkesën e zyrtarit serb, Petar Petkoviq, për hyrje në Republikën e Kosovës”, ka njoftuar ministria.

Në njoftim nuk janë dhënë arsyet e refuzimit të kërkesës.

Kjo nuk është hera e parë që Petkoviqit i ndalohet hyrja në Kosovë. Atij i ishte refuzuar hyrja në Kosovë edhe në muajin prill të këtij viti, kur kishte kërkuar ta kalonte festën e Pashkëve Ortodokse Serbe në Manastirin e Deçanit.

Petkoviq, sikur edhe disa zyrtarë të tjerë të Serbisë, e ka keqpërdorur lejen për vizitë në Kosovë dhe kanë bërë propaganda kundër shtetit të Kosovës. Në të shumtën e rasteve zyrtarët serbë kanë përdorur gjuhë që nxit urrrejtje midis komunitteve në Kosovë.

(r.m.)