Shkup, 18 janar 2022 – Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria do të formojnë grupe pune për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, që do të jenë edhe prioriteti kryesor i raporteve mes dy vendeve, ndërsa në plan të dytë do të jenë aspektet historike.
Kështu deklaruan në Shkup kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski dhe ai bullgar Kiril Petkov gjatë takimit të tyre të parë që prej se të dy u zgjodhën në postin e kryeministrit.
“Unë dhe ai [Kiril Petkov] kemi qëllimin e njëjtë, të krijojmë kushte për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Në takimin tonë u pajtuam se po hyjmë në një proces më dinamik të zgjidhjes së çështjeve të hapura me qëllim sigurimin e një të ardhme më të mirë. Do të formohen grupe të punës që do të përqendrohen në projekte konkrete për forcimin e bashkëpunimit, si në ekonomi, infrastrukturë, shëndetësi, arsim dhe sfera tjera, me qëllim të rritjes së besimit, të mirëkuptimit mes dy vendeve dhe popujve tanë”, deklaroi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Ai tha se në takimin me kreun e Qeverisë bullgare, janë pajtuar që Bullgaria të njohë emrin e shkurtër, Maqedonia e Veriut si dhe atë të gjatë, Republika e Maqedonisë së Veriut.
“Bullgaria nuk do të kontestojë më përdorimin e emrit të shkurtër në asnjë institucion dhe se për këtë janë njoftuar edhe Kombet e Bashkuara (OKB)”, tha Kovaçevski.
“Të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me aspektet historike, do të jenë në plan të dytë. Siç e shihni, këtu nuk kemi delegacione të historisë. Ata po punojnë për një proces më të gjatë, në përcaktimin e fakteve bazuar në metodologjinë e punës dhe unë shpresoj se dy delegacionet me kohë do të njoftojnë gjithë atë për të cilën do të merren vesh, e që do të paraqesë një urë drejt të ardhmes dhe jo kthimin pas të dy shteteve tona. Sa i përket gjuhës maqedonase, ne jemi shtet që është njohur nga Bullgaria dhe i cili në rregullimin e tij kushtetues ka gjuhën maqedonase. Ne kemi shumë marrëveshje të nënshkruara me Bullgarinë në gjuhët zyrtare të të dyja vendeve”, shtoi ai.
Kryeministri bullgar Kiril Petkov tha se në plan të parë duhet të vendosen raportet ekonomike, ndërkaq ato historike duhet t’i lihen grupit punues të historianëve.
Pektov njoftoi se më 25 janar në Sofje do të mbahet mbledhja e parë e dy qeverive, ku edhe do të zyrtarizohen grupet e punës në shumë sfera të interesit të përbashkët, ndërsa bëri të ditur se shumë shpejt do të vendoset edhe linja ajrore Shkup-Sofje.
“Fokusi i punës së përbashkët tani është një kalendar i saktë dhe marrëdhëniet do të maten në këtë mënyrë. Ju siguroj se jam shumë optimist për qëllimin tonë të përbashkët dhe do të shihni rezultate në baza javore. Bashkëpunimi ekonomik siguron të ardhmen për dy vendet dhe dy popujt tanë”, deklaroi kryeministri bullgar.
I pyetur lidhur me gjuhën maqedonase, kryeministri bullgar Petkov, tha se Marrëveshja e fqinjësisë së mirë mes dy vendeve ka një përkufizim të qartë për gjuhën dhe se Bullgaria mbështet të drejtën e vetëvendosjes të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut.
“Marrëveshja e fqinjësisë së mirë ka një përkufizim shumë të qartë të gjuhës dhe në atë drejtim ne absolutisht mbështesim të drejtën e vetëvendosjes së të gjithë qytetarëve në Maqedoninë e Veriut si dhe përdorimin e të gjitha gjuhëve, siç janë të përcaktuar në Kushtetutë. Ne e kuptojmë plotësisht këtë dhe do të vazhdojmë t’i trajtojmë të gjitha çështjet në frymë konstruktive”, tha Petkov, pa dhënë detaje mbi thelbin e kontestit mes dy vendeve.
Maqedonia e Veriut, në samitin e Bashkimit Evropian në nëntor të vitit 2020, nuk e mori datën për nisjen e bisedimeve me bllokun evropian, për shkak të vetos bullgare. Sofja kërkonte nga Shkupi që të njohë rrënjët bullgare në gjuhën dhe historinë maqedonase, por kishte edhe kërkesa tjera lidhur me pakicën bullgare.
Bullgaria, e më pas edhe Maqedonia e Veriut, kanë miratuara nga një rezolutë në parlamentet e tyre për vijat e kuqe, që nënkuptojnë moslëshimin pe nga kërkesat.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 2 gusht të vitit 2017 arritën një marrëveshje për fqinjësi të mirë, por në vend të afrimit, këto shtete përkeqësuan edhe më shumë raportet mes tyre.
(Isuf Kadriu, REL)