Beograd, 24 dhjetor 2024 – Drejtori i zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka cilësuar si “të turpshme” deklaratën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, mbi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Pekoviq ka thënë se, deklarata e Presidentes Osmanit “e konfirmon” se vendimi i KQZ-së ishte vendim politik, I cili është marrë, siç ka thënë ai, “me urdhër” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“Kjo deklaratë e turpshme e konfirmon se vendimi i KQZ-së ka qenë politik dhe se është marrë me urdhër të Kurtit. Vjosa e Kurti nuk njohin as demokraci dhe as sundim të ligjit. Prishtina me këtë qëndrim tregon se Lista Serbe dhe uniteti i serbëve është gjemb në këmbë. Kjo është arsyeja pse LS duhet të fitojë!”, ka shkruar Petkoviq në platformën “X”.
Duke folur për moscertifikimin e Listës Serbe, Presidentja Osmani ka thënë se KQZ ëashtë insrtitucioin i pavarur që merr vendime në mënyrë të pavarur, prandaj vendimet e tij duhet të rerspektohen.
“Çdo vendim i nxjerrë nga KQZ-ja duhet të respektohet, si pjesë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe ruajtjes së integritetit institucional”, ka thënë ajo për KOHËN.
Ajo ka thënë se në Listën Serbe ka individë që janë përfshirë në akte terroriste, në akte agresioni dhe në cenimin e rendit kushtetues të Kosovës
“Lista Serbe është organizatë, e cila në radhët e veta ka individë të cilët vazhdimisht kanë kryer akte terroriste, akte agresioni, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka thënë Osmani.
(r.m.)