Petkoviq e dënon arrestimin e organizatorit të sulmit ndaj KFOR-it në Zveçan

Beograd, 13 qershor 2023 – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ndaj arrestimit të serbit Millun Millenkoviq- Llune në Mitrovicën Veriore.

Petkoviq ka thënë se Milenkoviq nuk është kriminel, siç cilësohet nga ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe se Policia e Kosovës nuk ka prova për akuzat që i vihen barrë atij.

“Ai është një luftëtar i shquar për interesat kombëtare serbe dhe për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës”, ka thënë Peetkoviiq, në një konferencë për media në Beograd.

Petkoviq ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në vend se të ulë tensionet, po dërgon forca të reja policore në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Ai i ka bërë thirrje KFOR-it që “të reagojë urgjentisht dhe të largojë nga veriu” njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Petkoviq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ditës ka biseduar disa herë me telefon me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe me zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë.

Sipas tij, komandantit i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, do të qëndrojë në Beograd, të mërkurën, më 14 qershor, ku do të zhvillojë bisedime me Vuçiqin dhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq.

Millun Millenkoviq- Llune u arrestua të martën pasdite në Mitrovicën Veriore. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Mileknoviq është “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësi i bandave kriminale që ndër vite i kanë terrorizuar qytetarët” në veri. Sipas Sveçlës, Milenkoviq dyshohet se i ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, më 29 qershor.

(r.m.)