Petkoviq: Në Prishtinë nuk ka shtet ligjor, por një të çmendur si Kurti

Beograd, 26 qershor 2023 – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha sot se vendimi i Gjykatës së Lartë në Kralevë për konfirmimin e aktakuzës kundër tre policëve të Kosovës dhe vendimi që ata të lirohen për t’u mbrojtur në liri është vendim gjyqësor dhe jo vendim politik.

“Këtu kemi një vendim gjykate, pavarësisht nëse jemi të kënaqur apo jo. Serbia është shtet ligjor dhe këtu respektohen vendimet e gjykatave, ndryshe nga Prishtina ku nuk ka gjykatë, nuk ka gjykatës e nuk ka prokurorë, por të gjitha vendimet merren nga Kurti dhe nga Sveçla, të cilët i arrestojnë serbët me lista, paraqesin prova inekzistente dhe gjithçka që është në kundërshtim me qasjen që mbizotëron në Serbinë qendrore”, tha ai.

Petkoviq e barazoi rrëmbimin e policëve kosovarë nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës me arrestimin e serbëve të arrestuar në Kosovë për sulmet ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në pjesën veriore të Kosovës.

Për arrestimin e serbëve të dyshuar për sulmet në pjesën veriore të Kosovës, ai i akuzoi kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Petkoviq tha se në Kosovë nuk ka shtet ligjor dhe serbët mbahen në paraburgim nga kryeministri Kurti, të cilit iu referua si një i çmendur.

“Problemi është se në Prishtinë nuk ka shtet ligjor, por një të çmendur si Kurti që arreston, akuzon dhe i mban njerëzit në paraburgim”, tha Petkoviq.

Ai tha se Serbia “do të vazhdojë të luftojë për çdo serb të arrestuar në veri të Kosovës” dhe shtoi se ndaj përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare do të bëhet presion i veçantë për të mundwsuar lirimin e serbëve nga paraburgimi.

Petkoviq tha se Serbia do të luftojë për të gjithë serbët e arrestuar në Kosovë dhe theksoi se me kryeministrin e Kurti “nuk do të ketë bisedime, derisa të jenë të lirë të gjithë serbët e arrestuar në Kosovë.

(r.m.)