Beograd, 5 gusht 2024 – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ashpër ndaj mbylljes së pikave të Postës së Serbisë në katër komunat veriore të Kosovës.
Petkoviq ka thënë se Policia e Kosovës ka hyrë të hënën në të gjitha pikat e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, si edhe në objektin e Thesarit të Kursimeve Postare në Leposaviq. Për këtë aksion ai e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke e akuzuar se ai “po provokon luftë” në Kosovë.
“Në këtë mënyrë, Kurti po provokon drejtpërdrejt luftë dhe është e qartë se ai po dëshiron me çdo kusht të provokojë konflikte në terren, të gjitha në sy të bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Petkoviq, në një deklaratë me shkrim, transmeton N1.
Sipas tij, ky veprim i autoriteteve të Kosovës është në kundërshtim me marrëveshjen për telekomunikacionet të vitit 2015, ku, siç shprehet ai, “thuhet se të gjitha çështjet e shërbimeve postare do të zgjidhen ekskluzivisht në kuadër të dialogut”.
“Konkretisht, në pikën 5 të Planit të Veprimit për Telekomunikacionet të vitit 2015 thuhet se të dy palët kanë rënë dakord që për shërbimet postare të diskutojnë në një fazë të mëvonshme të Dialogut”, ka thënë ai.
Petkoviq ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas shfuqizimit të dinarit dhe mbylljes së degëve të Kursimores së Postës, “e ka pamundësuar funksionimin e Postës së Serbisë, me qëllim që serbët t’i lë pa mjete për jetesë, kurse punëtorët [e Postës së Serbisë] t’i lë në rrugë”.
Petkoviq e ka akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare që, siç është shprehur, “nuk po e ndalon fushatën e Kurtit për shkatërrimin e serbëve” në Kosovë.
“Le të vetëdijësohet bashkësia ndërkombëtare, sepse derisa ajo të reagojë dhe të ndërmarrë hapa brenda juridiksionit të saj në hapësirën e Kosovës dhe Metohisë për ta ndaluar Kurtin në fushatën e tij shkatërruese, të gjithë serbët ose do të dëbohen ose do të arrestohen dhe të gjitha arritjet dhe marrëveshjet e Dialogut do të shkilen dhe anulohen. Nëse kjo është ajo që e duan dhe na e thonë përmes qëndrimin e tyre pasiv, le të na e thonë qartë”, ka theksuar Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
(r.m.)