Petkoviq: Ura e Ubrit nuk do të mund të hapet derisa KFOR-i të jetë fizikisht aty

Beograd, 13 gusht 2024 – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se Ura e Ibrit në Mitrovicë nuk do të hapet për qarkullim të automjeteve derisa pjesëtarët e KFOR-it të jenë fizikisht të pranishëm te ura.

“Kurti mund të vendosë çfarë të dojë, por derisa KFOR-i të jetë i pranishëm fizikisht në urën e Ibrit, ajo nuk do të hapet. Na mbetet vetëm të besojmë se KFOR-i do të mbajë premtimet e dhëna në mënyrë publike”, ka thënë ai.

Petkoviq ka thënë se deklarata e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se çështja e Urës së Ibrit nuk mund të jetë temë e diskutimit në dialogun me Serbinë, siçështë shprehur ai, “tregon qartë se e vetmja gjë që dëshiron Kurti është lufta dhe provokimi i një konflikti me pasoja të rënda”.

“Shpresoj që tani të gjithë, veçanërisht bashkësia ndërkombëtare, do ta kenë të qartë se kush është Albin Kurti, zjarrvënësi ballkanik, i cili ka mallë për konflikt dhe për kaos në rajon!”, ka theksuar ai.

Sipas Petkoviqit, Kurti nuk është i interesuar për dialog, por për “pastrimin” e Kosovës nga serbët.

“Kurti nuk ka qenë asnjëherë i interesuar për dialog, sidomos jo për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, sepse synimi i tij politi është Kosova etnikisht e pastër, e pastruar nga serbët”, është shprehur ai.

“E vetmja gjë që Kurti ka bërë gjatë dy viteve të fundit dhe po bën edhe sot janë lëvizjet e dhunshme dhe të njëanshme që synojnë dëbimin dhe persekutimin e popullit serb në Kosovë”, ka thënë Petkoviq.

(r.m.)