Beograd, 28 dhjetor 2022 – Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka kërkuar serbëve të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat e vendosura në pjesën veriore të Kosovës.
Petkoviq ka thënë se Vuçiq e ka bërë këtë kërkesë pas deklaratës së përbashkët të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në të cilën thuhet se lidershipi i Kosovës ka dhënë garanci se nuk ka lista për arrestimin apo ndjekjen e qytetarëve serbë që kanë protestuar në mënyrë pqesore apo kanë vendosur barrikada në shenjë proteste ndaj vendimeve të qeverisë së Kosovës.
“Pas këtyre deklaratave zyrtare [të komunitetit ndërkombëtar], presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërkoi që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat”, ka thënë Petkoviq, në një konferencë për medie, të mërkurën në mbrëmje vonë.
Petkoviq kathënë se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova që ishin në Beograd do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada.
Ai ka thënë se Vuçiqi do të takohet edhe një herë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, në territorin e Serbisë, ku pritet të vendoset nëse do të hiqen ose jo barrikadat.
(r.m.)