Petkoviqit sërish i ndalohet hyrja në Kosovë

Prishtinë, 23 nëntor 2021 – Drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, sërish nuk i është dhënë leje të hyjë në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga zyra që e drejton Petkoviqi.

“Kjo është hera e katërt që autoritetet në Prishtinë pengojnë vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovë e Metohi. Për këtë shtrohet pyetja nëse faktorët ndërkombëtarë janë të gatshëm të frenojnë Albin Kurtin në fushatën e tij destruktive kundër gjitha arritjeve të Marrëveshjes së Brukselit dhe marrëveshjeve të arritura në Bruksel gjatë procesit të dialogut. Me çdo lëvizje që po bën, Albin Kurti na distancon nga dialogu”, thuhet në njoftim.

Aty thuhet se Petkoviqit i është mohuar të marrë pjesë në një manifestim do të të mbahet të mërkurën në Manastirin e Deçanit.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka thsënë se për ndalimin e vizitës së Petkoviqit në Kosovë do të njoftohen gjithë faktorët ndërkombëtarë, si dhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili gjendet në vizitë në Beograd.

(r.m.)