Petritsch: As Uashingtoni e as Brukseli nuk dëshirojnë “Republika Serpska” në Kosovë

Vjenë, 2 gusht 2022 – Diplomati austriak Wolfgang Petritsch, ka thënë se Qeveria e Kosovës mori vendim të mençur për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat dhe për dokumentet serbe.

“Mendoj se është vendim i mençur që kontribuon në uljen e tensioneve. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme, sepse në këtë rast, tentimet për zbatimin e vendimeve nuk do të ndihmonin për stabilizim të situatës. Përkundrazi, situata mund të shndërrohet shumë shpejt në konflikt serioz”, ka thënë ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Petritsch ka thënë se zyrtarët në Kosovë dhe në Serbi duhet të zbusin retorikën, në mënyrë që të çtendoset situata e krijuar në pjesën veriore të Kosovës.

‘Është shumë e rëndësishme të ulen tensionet. Kjo është çështja më e rëndësishme tani”, ka thënë ai.

Petritsch, i cili ka qenë i dërguar i Bashkimit Evropian për Kosovën, ka folur edhe për insistimin e Serbisë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Ai ka thënë se Prishtina, por as Uashingtoni dhe Brukseli, nuk e dëshirojnë në Kosovë një “Republika Serpska”.

“Mendoj se është e nevojshme të ketë një lloj Asociacioni. të bazuar në marrëveshjet e vitit 2015. Ajo duhet të zbatohet. Megjithatë, shihet qartazi se Kosova nuk dëshiron ta ketë brenda një Republika Serpska. As Uashingtonit dhe Brukselit nuk e dëshirojnë një Republika Serpska në Kosovë, por një asociacion të komunitetit serb që do të mund t’ua përmirësojë jetën atyre njerëzve atje. Kjo, para së gjithash, ka të bëjë me komunitetin serb, por diçka e tillë do t’i shërbente edhe komunitetit shqiptar, sepse janë duke jetuar bashkë. Duhet të gjendet kompromis. Pra, (Asociacioni) nuk duhet të jetë mbi baza etnike”, është shprehur Wolfgang Petritsch.

(r.m.)