Pikat kufitare në Jarinje e Bërnjakë mbeten të bllokuara, në pikat tjera zbatohet vendimi për letërnjoftimet

Prishtinë, 1 gusht 2022 – Policia e Kosovës bëri të ditur se dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë të bllokuara.

“Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia bëri të ditur gjithashtu se vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, me rastin e hyrjes në territorin e Kosovës ka filluar të zbatohet në vendkalimet tjera kufitare.

“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi”, thuhet në njoftim.

Policia konfirmoi se të dielën, më 31 korrik, në pjesën veriore të Kosovës, pas bllokimit të rrugëve, kanë ndoshur katër raste të të shtënave me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore, por nuk është raportuar për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur.

Në njoftim thuhet se janë raportuar katër raste të keqtrajtimit të qytetarëve shqiptarë që kanë qarkulluar në pjesën veriore të Kosovës.

“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës tha se njësitë e saj, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore, po vazhdojnë angazhimet në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të Republikës së kosovës  dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në Veri të Mitrovicës.

(r.m.)