Pikëllim për vdekjen e mikes së madhe të Kosovës, zonjës Madeleine Albright

Prishtinë, 23 mars 2022 – Në Kosovë është pritur me pikëllim lajmi për vdekjen e mikes së madhe të Kosovës, ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright.

Në mesazhet e autoriteteve shtetërore e politike, si edhe të qytetarëve të shumtë, krahas pikëllimit, shprehet edhe ndjenja e fuqishme e mirënjohjes dhe falënderimit për mbështetjen që ka dhënë ajo për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 

 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Zonja Albright do të kujtohet me pietet në Kosovë, sepse ajo i dha mbështetjen më të madhe popullit të Kosovës në orët më të liga të tij.

“Kosova sot e humbi një mike shumë të çmuar. S’ka fjalë që e përshkruajnë trishtimin për vdekjen e gruas së jashtëzakonshme e frymëzuese, Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

Kontributi i saj për lirinë dhe demokracinë tonë nuk do të harrohet kurrë. Me punën e saj, ajo e la këtë botë një vend më të mirë.

Pusho në paqe mike e dashur!”, ka shkruar në Twitter Presidentja Osmani.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se zonja Albright ishte mike të Kosovës deri në fund të jetës së saj dhe partnere e të gjithë njerëzve që “e ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë”.

“Me pikëllim mora lajmin për vdekjen e Madeline Albright, një grua e shquar me moral të pa kompromis për Shtetet e Bashkuara, një mike e Kosovës deri në fund dhe një partnere me të gjithë ata që ndoqën paqen, lirinë dhe demokracinë.

Do të na mungosh, zonja sekretare”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Ish-sekretarja e Shtetit e SHBA-së ishte njëra ndër figurat politike më të respektuara te qytetarët e Kosovës. Të gjitha shtresat e popullsisë e kanë vlerësuar për guximin e saj që të përballet me shkktarët e luftërave e të fatkeqësive tjera njerëzore.

(r.m.)