Pikëpyetje mbi arrestimin dhe lirimin e Blaker Milerit

Ish-ministri i jashtëm i Perusë, i akuzuar për grusht shteti në 1992, Augusto Blaker Miler jeton në Shqipëri – PS: Ortak biznesi plehërash me Berishën

 

Denion Ndrenika

Policia e Shtetit në Shqipëri mohoi lajmin se e ka arrestuar njërin ndër personat më të kërkuar të botës, ish-ministrin e Jashtëm të Perusë, Augusto Blaker Miler.

I kërkuari nga Interpoli, Augusto Blaker Miler akuzohet për ndërmarrjen e grushtit të shtetit kundër qeverisë në Peru në vitin 1992.

Lajmin për arrestimin në Shqipëri të Augusto Blaker Milerit e dhanë mbrëmjen e vonë të së premtes, mediat në Peru, duke iu referuar prokurorit peruan Hulio Arvizu (Arbizu, shkronja “b” në spanjisht shqiptohet më pranë shkronjës “v”). Por, prokurori Arvizu tha të dielën se Blaker Mileri ishte arrestuar dhe më pas ishte liruar që në mbrëmjen e së enjtes së kaluar, pa pasur ndonjë shpjegim nga autoritetet në Tiranë. Ish-ministri i Jashtëm i Perusë, Augusto Blaker Miler kërkohej nga Interpoli që prej vitit 2009, por vetë Interpoli nuk e qartësoi nëse e kishte prerë një urdhër-arresti për të. ndërkohë që Shqipëria mohoi ta ketë pasur një kërkesë për arrestim. Më parë Augusto Blaker Miler ishte arratisur nga Peruja në vitin 2005. Por, Augusto Blaker Mileri u arratis edhe njëherë tjetër, në vitin 2009 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishte vendosur.

“Policia e Shtetit sqaron se nuk ka kryer asnjë arrestim të shtetasit peruan, të pretenduar nga mediat, Augusto Blacker Miller. Në një deklaratë për mediat, Policia deklaron se ish ministri peruan nuk rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. “Lidhur me njoftimin e dhënë në disa media të shkruara dhe vizive, në lidhje me arrestimin nga strukturat e Policia e Shtetit shtetasit Augusto Blacker Miller, ju bëjmë me dije se: Nga strukturat policire të Policisë së Shtetit nuk është arrestuar ndonjë shtetas Peruan me emrin Augusto Blacker Miller. Ish-ministri peruan, sipas Policisë së Shtetit shqiptar nuk rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjithashtu ju bëjmë me dije se shtetasi Augusto Blacker Miller nuk rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar”- thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

Emri dhe veprimtaria e ish-ministrit të Jashtëm të Perusë, u duk se nuk ishte i panjohur në Shqipëri. Deputeti i Partisë Socialiste opozitare, Erjon Braçe tha të shtunën në mesditë se ish-ministri i Jashtëm peruan ka qëndruar në Shqipëri të paktën deri në pranverën e vitit 2012.

Sakaq, media raportoi se sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, shoqëria e ish-ministrit peruan është themeluar në 26 korrik 2012 dhe u regjistrua në 28 korrik në gjykatë. “Selia ishte në qendër të Tiranës në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit” te dy kullat. Shoqëria ishte ngritur mbi bazën e një kapitali fillestar prej 13.8 miliardë lekë. Sic shihet nga ekstrakti i QKR-së, Manuel Augusto Blacker Miller zotëronte 80% të aksioneve, ndërsa dy aksionere të tjerë rezultojnë italjane përkatësisht Alberto Paladini me 10% të aksioneve dhe shoqeria “IBS ITALIANA BUSINES SPORT” po me 10 për qind të aksioneve”-thuhej në pasqyrën e QKR-së.

“Sipas prokurorit peruan, në vitin 2009 ish-ministri Miller është arrestuar në SHBA dhe më pas është lënë i lirë kundrejt një garancie bankare për tu gjykuar në gjendje të lirë. Ky gjykim, sipas prokurorit Arbizu, referuar mediave peruane, vazhdon në SHBA. Kjo ndodhi në nëntor 2009 kur agjentët e Zyrës së Emigracionit dhe Doganave në Florida të SHBA-së vunë në pranga Millerin dhe më pas e lanë të lirë për të vazhduar procesin e ekstradimit dhe pajisjes me dokumentacion. Në shtator 2012, Milleri largohet nga SHBA-ja me avionin e linjës “Alitalia” numër 510/507 duke përdorur pasaportën me numër 4698977 drejt Romës dhe më pas në Tiranë. Në fillim të tetorit 2012 autoritetet shqiptare kanë njoftuar Interpolin se Milleri është në Shqipëri dhe më datë 10 janar 2013 është marrë në pyetje dhe më pas është liruar”-raportoi e përditshmja “Shekulli”.

Rasti i Blaker Milerit përfshiu shpejt në akuza Partinë Socialiste dhe qeverinë e Partisë Demokratike. Çuditërisht, deputeti socialist Erjon Braçe që publikoi rastin në profilin e tij në “facebook, tha se ish-ministri peruan ishte përfshirë në biznesin e mbeturinave me qeverinë dhe me Bashkinë e Fierit, që drejtohet në mandatin e tretë nga kryetari socialist Baftjar Zeqo, një ndër personat më të afërt të kryetarit të partisë Edi Rama.

“Sali Berisha është përfshirë “kokë e këmbë” në mbrojtjen e ish-ministrit të Jashtëm të Perusë, i kërkuar nga interpoli!! E ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur, e ka mbështetur dhe i ka ngritur biznes dy hapa larg selisë së qeverisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!! Ndaj Ministria Brendshme ka mohuar arrestimin dhe ka thënë qartazi se nuk do ta arrestojë”-ishte statusi i zotit Braçe në profilin e tij në rrjetin “facebook”.

Megjithatë, zoti Braçe theksoi se biznesi i mbeturinave ishte qartësisht përgjegjësi e qeverisë dhe kryeministrit, që me nxitim disa muaj më parë e kaluan ligjin për importin dhe trajtimin e mbeturinave në Kuvend, pa miratimin e opozitës, që po sipas zotit Braçe, kishte dyshime të forta për veprimtari të kundraligjshme: “Pas këtij “objekti” është një projekt konkret: ngritja e një impianti të tillë, incenerator, në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në Qeverinë e Sali Berishës, ministrinë e Mjedisit, bashkinë e Fierit dhe me mbështetje të plotë siç thuhet në dokumenta edhe nga këshilltarja për investimet e kryeministrit Berisha, Suzana Guxholli!!”-vijonte statusi i zotit Braçe.

Zonja Guxholli e hodhi poshtë tërësisht qëndrimin e deputetit Braçe. Në një reagim të posaçëm zonja Guxholli theksoi se Augusto Blaker-Miller vërtetë jeton pranë selisë së Këshillit të Ministrave, “por së pari jeton te Kullat Binjake të Fidel Yllit”, që është deputet i PS-së. Sipas zonjës Guxholli “Augusto Blaker-Miller është rekomanduar si investitor në Shqipëri nga krahu i djathtë i Edi Ramës, kryetari i bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo”. Sipas saj, këto janë “fakte të mjaftueshme”, sikurse shtoi “për të arritur në përfundimin se motoja e Partisë Socialiste “shpif, shpif se diçka do të mbetet”.

Kompania e zotit Blaker Miler reagoi gjithashtu dhe tha se çështja e tij është politike në Peru. Sipas kompanisë, “administratori ka mbërritur në Tiranë më 10 shtator 2012 për të finalizuar projektin e nisur që prej shkurtit të vitit 2012”. Kompania pohon se Blaker Miler udhëtoi në linjën Nju Jork-Tiranë dhe nuk lëvizi nga Shqipëria, pasi thekson gjithashtu se Interpoli nuk e ka arrestuar, sepse grushti i shtetit në Peru është quajtur i mbyllur nga gjykata në Lima. “Më 10 janar 2013, Blaker Miller me vullnet të lirë dhe në mënyrë të pavarur vizitoi zyrën e Emigracionit në Policinë e Tiranës, me qëllimin për të kontrolluar statusin e vizës së tij shqiptare”-tha kompania.

“Apollonia Investimet”

“Më 10 janar 2013, Blacker-Miller me vullnet të lirë dhe në mënyrë të pavarur vizitoi zyrën e Emigracionit në policinë e Tiranës, me qëllimin për të kontrolluar statusin e vizës së tij shqiptare. Përpara se të vendoste të instalonte të parin impiant në Shqipëri, Blacker Miller u takua me kryebashkiakun e Fierit, Baftjar Zeqo në Nju Jork. Gjatë atij takimi, kryebashkiaku u shpreh i hapur për të mikpritur një investim të tillë, pasi për shkak të teknologjisë së përdorur, ky impiant nuk ndot atmosferën. Kryetari i tha se qyteti i Fierit do ta mirëpriste një investim të tillë për shkak se: teknologjia është bashkëkohore, nuk ndotet atmosfera, respektohen plotësisht normat dhe udhëzimet e përcaktuara nga Marrëveshja e Kiotos dhe së fundi, për shkak të ndikimit pozitiv, i paraprin gjeneratës së ardhshme të parqeve të energjisë elektrike të gjelbër në Shqipëri. Kompania e regjistruar në Shqipëri ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore, pas një korrespondence të gjatë me pushtetin qendror dhe atë vendor. Madje, biznesmeni që kërkohet nga Peruja së bashku me stafin e tij kanë organizuar edhe dy simpoziume, që kishin si qëllim informimin e deputetëve të ndryshëm për projektin që pritet të ndërtohej në Fier. Ai u largua nga Peruja në nëntor të vitit 2002 përmes aeroportit kryesor në Lima. Procesi legal kundër tij dhe kabinetit që ishte në pushtet në vitin 1992 filloi gjatë gjysmës së dytë të vitit 2004. Të gjithë ministrat civilë të përfshirë në këtë procedim, në vitin 2009 u shpallën të pafajshëm nga Gjykata e Lartë e vendit. Kompania shton se çështja kundër Blacker Miller erdhi si pasojë e një vendimi personal të presidentit të Perusë, Alberto Fujimori në Prill të vitit 1992, kur Blacker-Miller shërbente si ministër i Jashtëm”.

Braçe në “facebook”

“Sali Berisha është përfshirë “kokë e këmbë” në mbrojtjen e ish-ministrit të Jashtëm të Perusë, i kërkuar nga interpoli!! E ka strehuar, e ka mbrojtur, e ka pritur, e ka mbështetur dhe i ka ngritur biznes dy hapa larg selisë së qeverisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”!! Ndaj Ministria Brendshme ka mohuar arrestimin dhe ka thënë qartazi se nuk do ta arrestojë. Unë kam prova! Agjencitë e lajmeve në Peru kanë lajmëruar se ish-ministri i Jashtëm i ish-Presidentit Alberto Fuxhimori, përfshirë në një grusht shteti dhe i dënuar për këtë, i kërkuar nga Interpol është arrestuar në Shqipëri! Por ai nuk është arrestuar. Ai është i lidhur keq dhe fort me Qeverinë e Sali Berishës. Manuel Augusto Blacker-Miller është banues dhe sipërmarrës në Shqipëri! PO PO! TAMAM NE FUSHEN E IMPORTIT DHE TRAJTIMIT TE PLEHRAVE!!! Më 28 Korrik, ish-ministri i Jashtëm i Perusë, i kërkuar nga Interpoli ka krijuar në Tiranë kompaninë e tij “Apollonia Investments”, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, ku Manuel Augusto Blacker-Miller i datëlindjes 18.10.1945, lindur në Lima, Peru, banues në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” “Tëin Toëers” Tiranë, zotëron 80% të aksioneve. Në objektin e punës së kompanisë shkruhet qartë: Ndërtim dhe zotërim të impianteve të përpunimit të mbetjeve urbane të të gjitha llojeve. Prodhim energjie termike dhe elektrike nga procesi i përpunimit të mbeturinave dhe substancave të tjera nëpërmjet ngritjes së infrastrukturës për këtë qëllim. Pas këtij “objekti” është një projekt konkret: ngritja e një impianti të tillë, incenerator, në hyrje të qytetit të Fierit, të prezantuar në Qeverinë e Sali Berishës, ministrinë e Mjedisit, bashkinë e Fierit dhe me mbështetje të plotë siç thuhet në dokumenta edhe nga këshilltarja për investimet e kryeministrit Berisha, Suzana Guxholli!! Impianti ka kapacitetin e një përbindëshi dhe do të furnizohet nga importi i plehrave në drejtim të tij, të Fierit!! Ndërtimi i impiantit është penguar nga rezistenca e këshilltarëve socialistë në Këshillin Bashkiak të Fierit dhe nga deputetët socialistë në atë Qark. Manuel Augusto Blacker-Miller të paktën deri në fund të vitit që shkoi ka qenë në Shqipëri në aktivitet të plotë për lobimin në favor të këtij projekti. Këtë e provojnë edhe një sërë dokumentash zyrtare që dëshmojnë edhe për transaksione tregtare me firmë të tij që kanë ndryshuar shpesh edhe përqindjen e aksioneve në kompani. Por, kur ka qenë kaq publik dhe në kontakt me qeverinë e Sali Berishës, si është e mundur që ky i kërkuar nga Interpoli nuk është ndaluar nga ministria e Brendshme e Shqipërisë?! Në dyshim është një marrëveshje e qartë me të, me kryeministrin Sali Berisha dhe qeverinë e tij! Ky është skandali”!!

Guxholli reagim

“Mediat e kontrolluara nga Edi Rama dhe ndonjë shpifës i paguar prej tij, mashtrojnë opinionin publik lidhur me arrestimin nga Policia e Tiranës të Manuel Augusto Blacker Miller, ish ministër i Jashtëm i Perusë i kërkuar nga Interpol. Ky veprim i Policisë së Tiranës hedh baltë si mbi zotin Rama dhe mediat e kontrolluara prej tij ashtu dhe mbi shpifësit e paguar që ai nxjerr. Kompania në fjalë në mënyrën me këmbëngulëse dhe të përsëritur është rekomanduar nga Kryetari socialist i Bashkisë së Fierit zoti Baftjar Zeqo, jo me një, por me disa letra drejtuar kryeministrit, por dhe me mesazhe SMS. Nëpërmjet letrave dhe mesazheve insistuese të vazhdueshme, kryetari socialist i Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqo i kërkon kryeministrit mbështetje për projektin e kësaj kompanie. Zoti Zeqo thekson në letrat dhe mesazhet e tij se ka më se dy vjet që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme me këtë kompani për realizimin e projektit të saj në qytetin e Fierit. Në këtë kuadër, pas kërkesës së drejtuar kryeministrit nga zoti Baftjar Zeqo dhe përfaqësues të kësaj kompanie, përfaqësues të saj janë pritur në takim nga këshilltarja e kryeministrit për çështjet ekonomike, Suzana Guxholli, rregull ky i pandryshuar në të gjitha kërkesat e autoriteteve vendore apo kompanive të biznesit, të cilët më pas drejtohen në institucionet përgjegjëse sipas fushave të projekteve. Duhet të kesh moralin e Edi Ramës që të shpifësh se qenka strehuar në Tiranë pranë Kryeministrisë ai që ndalohet nga autoritetet e policisë shqiptare. Madje theksoj se është e vërtetë që ai është strehuar në Tiranë, por nga Fideli i tij në Kullat Binjake pronë e deputetit të PS, Fidel Ylli”.