PIPS konstaton ngecje në planin e rehabilitimit të kapaciteteve prodhuese të energjisë

Prishtinë, 26 prill 2024 – Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS) publikon rezultatet e Raportit monitorues: “Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031” për periudhën 2023.

Diella Muqolli, koordinatore e projektit, ka thënë se kjo strategji synon të adresojë sfidat aktuale dhe të vendosë bazat për një të ardhme të sektorit energjetik që do të ofrojë siguri të furnizimit, energji të pastër, efiçiencë të energjisë”.

“Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës u miratua nga Kuvendi i Kosovës më 8 mars 2023. Kjo strategji synon të adresojë sfidat aktuale dhe të vendosë bazat për një të ardhme të sektorit energjetik që do të ofrojë siguri të furnizimit, energji të pastër, efiçiencë të energjisë dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve. Masat e monitoruara janë masat e dala nga Strategjia e Energjisë e Kosovës për periudhën 2022 dhe 2023. Rezultatet e paraqitura në këtë raport janë nga të arriturat që institucionet përgjegjëse kanë treguar gjatë po këtyre viteve”, ka thënë Muqolli për Ekonomiaonline.

Muqolli ka thënë se janë disa masat të cilat nuk janë realizuar në afatin kohor të caktuar nga vetë qeveria. Ajo ka theksuar se kjo strategji përfshin tri kategori. Më së shumti është arritur në planin për rritjen e fleksibilitetit të sistemit, ndërsa më së ngecje është shënuar në planin e rehabilitimit të kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike.

“Ky proces përfshiu mbledhjen e informacioneve të detajuara nga dokumenti i strategjisë, duke u fokusuar veçanërisht  në rolet dhe përgjegjësitë  e caktuara për institucionet e ndryshme për vitet 2022 dhe 2023. Për këtë periudhë Strategjia e Energjisë përcakton 20 masa, të ndara në tri kategori kryesore: Rritja e fleksibilitetit të sistemit; Modernizimi i rrjetit dhe reduktimi i humbjeve në rrjet; Rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike.

Në përgjithësi, në kategorinë e parë janë plotësuar plotësisht 35 për qind e masave, ndërsa 65 për qind janë realizuar pjesërisht. Ndërkaq, sa i përket veprimeve, 21,5 për qind janë plotësuar pjesërisht dhe 69,2 për qind nuk janë plotësuar.

Në kategorinë e dytë, atë të modernizimit të rrjetit dhe reduktimit të humbjeve në rrjet, parashihen 7 masa me gjithsej 25 veprime. Nga këto, 72 për qind e veprimeve janë plotësuar në tërësi, 16 për qind janë plotësuar pjesërisht, kurse 12 për qind mbeten të paplotësuara. Ndërsa sa i përket masave në këtë kategori, 42,9 përqind janë plotësuar dhe 57,1 për qind janë plotësuar pjesërisht.

Kategoria e tretë, ajo e rehabilitimit të kapaciteteve ekzistuese të prodhimit të energjisë elektrike, përfshin 28 veprime që burojnë prej 9 masave të planifikuara. Prej tyre, 64,3 për qind janë plotësuar në tërësi, 28,6 për qind janë plotësuar pjesërisht  dhe 7,1 për qind nuk janë plotësuar”, ka thënë Muqolli.

(ekonomiaonline.com)