Pjesëtohet autokolona masive ruse në afërsi të Kievit, pozicionohet në disa vendbanime

Kiev, 11 mars 2022 – Fotografitë satelitore nga Ukraina tregojnë se autokolona masive e trupave ruse që e kishte mësyrë kryeqytetin, Kiev, është ndarë në disa pjesë, për të shmangur rrezikun e sulmit me predha antitank. Pjesët e autokolonës janë shpërndarë dhe janë vendosur në disa pozicione.

Në imazhet satelitore të para një jave të kompanisë “Maxar Technologies” shihej se në pëbërje të kolonës së trupave ruse, e cila ishte e gjatë 64 kilometra, kishte tanke, autoblinda dhe artileri. Imazhet e reja tregojnë se njësitë e blinduara tani janë shpërndarë dhe janë stacionuar në vendbanimet pranë aeroportit “Antonov”. “Maxar Technologies” njoftoi se tanket dhe autoblindat janë pozicionuar në pyje.

Autokolona e trupave ruse ishte nisur drejt Kievit në fillim të javës së kaluar. Por, ajo është ndaluar rreth 30 kilomentra nga Kievi. Autoritetet ukrainase thanë se ushtria ukrainase e ndaloi marshimin etrupave ruse drejt kryeqytetit. Zyrtarët amerikanë thonë se trupat ukrainase e kanë goditur me raketa antitank autokolonën e trupave ruse.

Ka pasur raporte se makineria ushtarake ruse po përballet edhe me mungesë të karburantit. Disa raporte thonë se forcat ruse po përballen edhe me mungesë të ushqimeve dhe me rënie të madhe të moralit të ushtarëve për luftë.

Ekspertët ushtarakë thonë se plani i ushtrisë ruse për pushtimin e Ukrainës ka ngecur për shkak të rezistencës së forcave ukrainase. Sipas tyre, Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë pritur që ukrainasit të bëjnë rezustencë kaq të fortë.

Fotografi e autokolones se forcave ruse prane Kievit, ne fillim te marsit
Fotografi e autokolones se shperndare te forcave ruse prane Kievit, me 11 mars

(r.m.)