Ideja për të organizuar manifestimin kulturor-shkencor “DITËT E BOGDANIT”, në Shkup dhe në Prishtinë, ndërlidhet me dy arsye themelore: Arsyeja e parë ka të bëjë me thellimin e bashkëpunimit dhe bahkëveprimit tonë, duke i bërë dy kryeqendrat tona – Shkupin dhe Prishtinën edhe më afër njëra tjetrës në pikëpamje të afiniteteve të përbashkëta kulturore e shkencore dhe arsyeja e dytë, që është edhe kryesorja, ka të bëjë me vet figurën ePjetër Bogdanit, gjegjësisht me evokimin e 6 dhjetorit të vitit 1690, ditën kur ai i mbylli sytë përgjithmonë në Prishtinë.
ITSHKSH (Departamenti i Letërsisë), Revita DRITA (organ i Ipeshkvisë së Kosovës) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri” i Prishtinës, duke qenë bashkëorgtanizatorë të këtij manifestimi kulturor-shkencor, në fakt po risjellin në vëmendjen tonë kolektive e individuale një figurë mjaft të rëndësishme të historisë sonë kulturore dhe shpirtërore, siç ishte Pjetër Bogdani.
Në Shkup është ngritur një shtatore, por deri më tani pak njerëz janë ndalur dhe e kanë nderuar kujtimin për këtë figurë të çmuar të kombit tonë. Dhe kjo ka ndodhur për shkak se ka munguar një mekanizëm që vë në lëvizje kujdesin intitucional ndaj jetës dhe veprës së Pjetër Bogradinit, siç po provojmë ta bëjmë tani me këtë manifestim kulturor-shkencor.
Duke pasë për bazë veprimtarinë shkencore-hulumtuese, intitucionet tona sot dhe nesër përmes studiuesve kompetentë do të hedhin dritë mbi aspekte të njohura e të panjohura të jetës dhe veprës sëPjetër Bogdanit, i cili me veprimtarinë e tij politike 40-vjeçare, sidomos me rolin që luajti si udhëheqës i kryengritjes çlirimtare të vitit 1689 dhe me veprën e vet “Çeta e profetëve”, me të drejtë është quajtur pararendës i hershëm i Lëvizjes së Rilindjes sonë Kombëtare.
Vepra “Çeta e profetëve” u botua më 20 shtator të vitit 1685 në qytetin e Padovës në Itali, dhe u rishtyp më 1691 dhe 1702 në Venedik. Kjo vepër cilësohet si libri i parë i prozës origjinale shqipe dhe mbetet një nga monumentet e gjuhës, kulturës dhe letrave shqipe. Kur jemi te kjo vepër, duhet përmednur edhe një meritë që ka ajo, sidomos faktin që kjo vepër me kërkesë të Vatikanit u përkthye edhe në gjuhën italiane. Në këtë mënyrë shqipja ballafaqohet me një gjuhë evropiane të zhvilluar për kohën, me çka veprës së Bogdanit “Çeta e profetëve”, i takon fati që të jetë e para vepër e përkthyer nga shqipja në një gjuhë tjetër, kurse autorit – Pjetër Bogdanit – merita që të jetë i pari përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhë të huaj.
Për dallim nga veprat e Buzukut dhe Budit, të cilat ishin tekste dedikuar kryesisht shërbesave fetare, vepra e Bogdanit megjithatë ishte e karakterit teologjik-filozofik, me elemente të shumta enciklopedike, ku nuk mungonte prirja e autorit për të vënë në pikamë dashurinë e madhe për popullin shqiptar dhe gjuhën shqipe, si elemente thelbësore që veprës së tij japin dimension kombëtar. Prandaj, me të drejtë, Pjetër Bogdani prej shumë studiuesve vlerësohet si teologu më i njohur shqiptar dhe një nga figura më të ndritura të letërsisë së vjetër shqipe. Ai shquhet jo vetëm si meshtar dhe ipeshkëv i madh, pra, si bari shpirtëror, por edhe si dijetar, teolog, letrar dhe atdhetar, që dha kontribut të çmueshëm në përpjekje për çlirimin e popullit dhe të vendit nga zgjedha otomane, si dhe për zhvillimin e përparimin e kulturës së shqiptarëve.
Kudo që punoi , qoftë si peshkop i Shkodrës dhe administrator i kryepeshkopatës së Tivarit, qoftë si kryepeshkop i Shkupit, të gjitha këto detyra Bogdani i kreu jo vetëm si klerik, por edhe si patriot. Bashkë me predikimin fetar dhe nën petkun e klerikut ai edukonte besimtarët edhe ndjenjën e dashurisë për liri e për atdhe.
Edhe pse vinte nga bota teologjike, ku predikimi dhe liturgjia ishin armët kryesore të veprimit, Bogdani megjithatë i tejkaloi këto korniza të ngushta të fushëveprimit teologjik dhe u hodh në valët e rezistencës së armatour, sidomos gjatë luftës turko-veneciane (1664-1669), dhe turko-austriake (1689) .
Me pjesëmarrjen e drejtpërdrejt në këto beteja, Bogdani dëshmoi se morali i një populli të pushtuar dhe të nepërkëmbur nuk mbahet gjallë nëse në krye të rezitencës nuk përfshihen edhe njerëzit e dijes dhe të kuklturës, siç ishte edhe ai vet, prandaj me të drejt një kronist austriak, me rastin e vdekje së tij më 6 dhjetor 1689, shkruante se “me vdekjen e Pjetër Bogdanit iku edhe fati ynë në tokë”, pasi që vdekja e tij shënoi edhe fillimin e një periudhe të errët për popullatën vendore, e cila po vuante pasojat e pushtimit otoman.
Figura e Pjetër Bogdanit është vazhdimësia e natyrshme e epokës së lavdishme të Gjergj Kastrioti Skenderbeut dhe pararendësi i hershëm i Rilindjes sonë Kombëtare, që kulmoi me Pavarësinë e vititi 1912. Një pjesë të mire të jetës së tij ai e kaloi në Shkup (1677 – 1689) dhe në Kosovë, me çka dëshmoi në praktikë kontinuitetin historik të një trashëgimie të lashtë iliro-arbërore-shqiptare në këto troje, ku Dioqeza Shkup-Prizren ishte vula e kësaj dëshmie.
Me manifestimin kulturor-shkencor “DITËT E BOGDANIT” duam të rikonfirmojmë një fakt shkencor se dialektika e zhvillimit mendor, social, e ekonomik të një populli shkon përtej përkufizimeve që i dikton politika e ditës, kurse trajtimi i figurës emblematike të Pjetër Bogdanit nga ana e intitucioneve tona në Shkup dhe në Prishtinë, është spjegimi më i natyrshëm i kësaj dialektike.
Shkup, 05. 12. 2022
(Fjalë rasti mbajtur në hapje të manisfestimit “Ditët e Bogdanit”, që filloi të hënën në Shkup)