Fotoekspozitë mbresëlënëse në Philadelphia për masakrat serbe të luftës së Kosovës (1998 – 1999)
Nga dr. Sadik Elshani
Ditën e diel, më 23 mars, shoqata “Bijtë e Shqipes”në mjediset e saj, në bashkëpunim me Këshillin Shqiptaro – Amerikan, OJQ-ne “For Neë Life Kosovo” dhe Këshillin Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, organizoi një fotoekspozitë të rëndësishme e mjaft mbresëlënëse për krimet gjenocidale të regjimit serb mbi popullsinë e pafajshme shqiptare të Kosovës në vitet 1998 – 1999.
Në këtë ekspozitë ishin të ekspozuara fotografi origjinale me pamje të tmerrshme për masakrat serbe në tërë territorin e Kosovës. Kjo ekspozitë ishte konceptuar edhe si një bashkëbisedim me komunitetin lidhur me 25 vjetorin e gjenocidit serb ne Kosove, hapat e mëtutjeshëm që duhet të marrim ne të gjithë si shqiptarë për ta snsibilizuar këtë çështje, për të kërkuar drejtësi për të gjitha ato viktima të pafajshme, sepse: Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Jehona e pushkëve, topave e bombardimeve nga aeroplanët tani ka pushuar, por gjurmët e luftës në shpirtin e familjeve shiptare që kanë humbur më të dashurit e tyre ende nuk janë shlyer, dhe kurrë nuk do të shlyhen, plagët ende janë të hapura e drejtësia po vonon.
Veprimtarinë e hapi z. Dritan Matraku i cili i përshëndeti të pranishmit, falenderoi dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve nga Kosova,veprimtarëve dhe organizatorëve të kësaj ekspozite:
Z. Ramë Manaj, ish-zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, kryetar i Komisionit për Personat e Pagjetur të Qeverisë së Kosovës,
Znj. Kumrie Karaçica, organizatore e ekspozitës.
Znj. Xhemile Morina, cicerone.
Z. Sali Muhaxheri, kurator.
Z. Luz Thaqi, gazetar e publicist, veprimtar i komunitetit.
Z. Anton Gojani, veprimtar i komunitetit.
Zoti Matraku shprehu kënaqësinë që kjo ekspozitë po organizohet në mjediset e shoqatës “Bijtë e shqipes”, për t’i nderuar të gjitha viktimat e krimeve serbe në Kosovë, për të kërkuar drejtësi për ta, si dhe për t’ua bërë të njohur brezave më të rinj vuajtjet e popullit tonë.
Fjalën e rastit e mbajti z. Sadik Elshani, njëherësh edhe shkruesi i këtyre radhëve, i cili po ashtu theksoi se kjo ekspozitë është për t’i nderuar të gjitha viktimat e pafajshme, për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimet tona për organizatorët e kësaj ekspozite dhe përpjekjet e vazhdueshme ndër vite për zbardhjen e fatitit të më të dashurve të tyre, për ta ndarë dhibjen së bashku, sepse kur një e keqe i ka ndodhur një shqiptari, ajo u ka ndodhur të gjithë shqiptarëve – kjo luftë e ka prekur çdo shqiptar. Pastaj z. Elshani i njoftoi të pranishmit për krimet makabre që kanë ndodhur në Suharekë/Therandë në familjen Berisha. Ai u tregoi të pranishmeve edhe kopjet e disa gazetave e revistave botërore që i kanë pasqyruar ato krime. Zoti Elshani në fjalën e tij theksoi se duhet bërë më shumë për ta sensibilizuar edhe më teper këtë çështje në arenën ndërkombëtare, duke lobuar në Kongresin dhe Qeverinë Amerikane dhe vendet tjera ppërendimore, duke e hapur këtë ekspozitë në qendra të rëndësishme, të cilat mund të ndikojnë tek qeveritë e vendeve përkatëse. Duhet bashkëpunuar edhe me organizatat joqeveritare të vendeve të rajonit, Kroaci e Bosnjë e Hercegovinë, të cilat kanë qenë viktima të regjimit gjenocidal serb dhe politikës së tyre të pastrimit etnik.Të përgatitet një dosje e plotë në mënyrën më profesionale, duke evidentuar çdo krim të kryer në Kosovë, duke angazhuar ekspertë, avokatë e juristë me përvojë e famë ndërkombëtare – theksoi ndër të tjera në fjalën e tij z. Elshani.
Në fillim të fjalës së tij z. Luz Thaqi shprehu mirënjohjen e tij për shoqatën “Bijtë e shqipes” për gatishmërinë për të hapur këtë ekspozitë në mjediset e saj, mikpritjen e ngrohtë, atmosferën vëllazërore. Pastaj ai shprehu pakënaqësinë e habinë sesi çështja për zbardhjen e fatit të të pagjeturve po zvarritet për më shumë se 25 vite: “Si është e mundur që Serbia ende nuk është ndëshkuar?!” – u shpreh z. Thaqi me mllef e habi. “Drejtësia e vonuar, drejtësi e mohuar – familjarët kërkojnë drejtësie” – u shpreh z. Thaqi në vazhdim të fjalës së tij. Edhe z. Thaqi u angazhua për një bashkëpunim më të ngushtë me organizatat e ngjashme në rajon. Z. Thaqi shprehu bindjen dhe besimin e tij se diaspora do ta çojë përpara këtë çështje, sepse ajo ka një potencial të madh njerëzor, intelektual e profesional; kemi ekspertë të lëmive të ndryshme që punojnë nëpër universitete e institucione prestigjioze akademike, qeveritare, etj.
Zonja Kumrie Karaçica, e cila ka humbur bashkëshortin në këtë luftë, falenderoi të gjithë të pranishmit dhe shoqatën “Bijtë e shqipes” për ngrohtësinë që ajo gjeti në këtë shoqatë, për gatishmërinë për t’u bërë bashkudhëtar në rrugetimin e tyre për të kërkuar drejtësi. Zonja Karaçica pastaj i njoftoi të pranishmit për OJQ-në “For Neë Life Kosovo”, të cilën ajo e udhëheq, qëllimin e kësaj organizate, që është zbardhja e fatit të të zhdukurve civilë të luftës. Qëllimi i ekspozitës, organizuar me inisiativën e saj, është që të mos harrohet ajo që ka ndodhur, theksoi zonja Karaçica. Ajo pastaj rrëfeu për vuajtjet e saj dhe të familjes së saj dhe të shumë familjeve të tjera. Ajo u bëri thirrje të gjithëve që rë bëjmë diçka, një hap drejt padisë në gjykatat ndërkombëtare. Ajo nga diaspora kërkoi ndihmë profesionale, ekspertizë ligjore, “sepse ne nuk e dimë gjuhën e avokatit, politikës, por vetëm gjuhën e dhimbjes”.
Zoti Ramë Manaj, i cili në këtë luftë e ka humbur djalin, vëllain e shumë anëtarë të familjes, falenderoi shoqatën për këtë organizim “nga bijtë e vërtetë të shqipes”. Z. Manaj i bëri një pasqyrë të shkurtër të dëmëve, tragjedive njerëzore të kësaj lufte, pasojat e tmerrshme që ajo ka lënë pas: 13950 të vrarë, 20000 gra të përdhunuara, 1620 persona ende të pagjetur dhe mijëra të gjallë me shpirt të vrarë, të traumatizuar nga tmerret e luftës. “Kjo ekspozitë paraqet vetëm pjesërisht vuajtjet tmerret që kanë përjetuar familjet shqiptare, është vetëm një dritare e errët në historinë e krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Ta mbajmë gjallë kujtimin e atyre që nuk janë më. Kjo ekspozitë është një apel për t’u angazhuar që të bëjmë dicka më tepër” – u shpreh z. Manaj. Në fund të fjalës së tij ai shprehu mirënjohjen e tij për NATO-n, ShBA-të, për angazhimin e tyre vendimtar në mbrojtje të popullsisë shqiptare.
Zonja Xhemile Morina, e cila ka humbur bashkëshortin dhe z. Sali Muhaxheri, i cili ka humbur bashkëshorten, paraqiten ekspozitën duke përshkruar në detale masakrat që kanë ndodhur në tërë Kosovën, masakrat e Lubeniqit, Çikatovës, Poklekut, Krushës së Madhe e shume fshatrave e qyteteve te tjera; krimet që janë kryer ndaj familjeve Ahmeti, Muqolli, Deliu e shumë familjeve të tjera shqiptre. Çdo pëllëmb e tokës së Kosovës eshtë e ngopur me gjakun e dëshmorëve, gjakun e viktimave të pafajshme civile.Ishin fotografi që flisnin vetë, fotografi që pasqyronin tnerr, sillnin pikëllim, fotografi që lëshonin klithma e bënin thirrje për drejtësi. Zonja Xhemile theksoi se qëllimi i ekspozitës është që të sensibilizohet çështja e të pagjeturve në arenën ndërkombëtare. Zonja Xhemile dhe veprimtarët tjerë falenderuan mërgatën për kontributin e tyre në organizimin e kësaj ekspozite në shumë qytete europiane. Më 23 mars kjo ekspozitë u organizua në Nju Jork, në Monroe University. Veprimtarët nga Kosova kërkuan që t’i shtojmë përpjekjet tona për të ngritur padi kundër Serbisë.
Zoti Llazar Vero, gazetar e publicist veteran, ish-kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes” falenderoi veprimtarët dhe organizatorët e kësaj ekspozite për punën e tyre të vazhdueshme e këmbëngulëse për zbardhjen e fatitit të të zhdukurve. “Është e pamundur që të mos emocionohesh kur e sheh këtë ekspozitë. Kemi mundësi të bëjmë edhe më shumë” – u shpreh ndër të tjera z. Vero. Pastaj ai rrëfeu për lidhjet e tij me kosovarët në Fier e Myzeqe – ishte rritur me kosovarët, me historitë e trimërisë së Shote e Azem Galicës.
Shoqata “Bijtë e shqipes” nderoi me një Mirënjohje z. Ramë Manaj: “Për angazhimin dhe sakrificën e tij shumëvjeçare personale dhe të familjes së tij për lirinë e pavarësinë e Kosovës, veprimtarinë e vazhdueshme për ndërtimin e shoqërisë dhe institucioneve demokratike të Kosovës dhe punën këmbëngulëse si veprimtar e kryetar i Komisionit Qeveritar për zbardhejn e fatit të të zhdukurve nga gjenocidi serb”. Ndërsa Këshilli Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës nderuan me Mirënjohje shoqatën “Bijtë e shqipes” dhe dr. Sadik Elshanin për organizimin e kësaj ekspozite në Philadelphia. Për të pranishmit shoqata “Bijtë e shqipes” shtroi një koktel me ushqime e pije të llojllojshme.
Kjo ekspozitë, kjo veprimtari ishte një homazh, nderim për të gjitha viktimat, por ishte edhe një thirrje e fuqishme që të bëjmë diçka më tepër që drejtësia të triumfojë. Së bashku mund të bëjmë më shumë. Viktimat e familjarët e tyre kërkojnë drejtësi, kërkojnë që trupat e të zhdukurit të gjenden, të kenë një varr ku do të prehan të qetë në tokën e lirë të Kosovës, ku familjarët mund t’i vizitojnë e t’i kenë pranë, të vënë një kurorë, një buqetë me lule mbi varret e tyre.
Të shpresojmë se kjo ekspozitë do të shërbejë si një katalizator për të përshpejtuar përpjekjet e angazhimet tona për të ushtruar trysni në organizatat e institucionet ndërkombëtare, qeveritë demokratike, për të kërkuar drejtësi, për të ngritur padi kundër Serbisë. Të mos lejojmë që me kalimin e kohës kjo çështje të zbehet!
Philadelphia, më 25 mars 2025




