Plagoset rëndë shefi i krimeve të Burrelit, grabiten udhëtarë në Tepelenë

Dy ngjarje të rënda në veri dhe në jug, cënuan rendin dhe sigurinë, pak pas festës së 100-vjetorit të themelimit të Policisë së Shtetit

 

Shqipëria kremtoi të dielën 100-vjetorin e themelimit të Policisë së Shtetit. Presidenti Bujar Nishani tha se e ardhmja e shqiptarëve është e sigurtë në familjen europiane. Kryeministri Sali Berisha theksoi se pa shpartallimin e bandave kriminale nga policia, Shqipëria e shqiptarët nuk do të ishin anëtarë të NATO-s dhe as do të kishin fituar lëvizjen e lirë pa viza. Mirëpo, si për ironi, pak orë pas festimeve, policia u sulmua me armë në Burrel dhe po ashtu edhe disa udhëtarë pranë Tepelenës.

 

Burrel

Shefi i krimeve të Burrelit, Musa Skura u plagos rëndë pasi u qëllua me armë zjarri gjatë një operacioni për kapjen e grabitësve në rrugën Burrel-Klos. Shefi i krimeve Skura ndonëse në gjendje të qëndrueshme, u raportua nga mjekët se është ende në rrezik serioz për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orëve 20-21 të së dielës në fshatin Suç të Burrelit. Tre persona, të dyshuar se ishin në kërkim për krime të ndryshme, zunë pritë dhe qëlluan shefin e krimeve të policisë së Burrelit. Dyshimet ishin gjithashtu të forta se autorët ishin pjesëtarë të një grupi trafiku të armëve dhe municionit. I lënduari Skura, me origjinë nga fshati Suç, jetonte në Burrel bashkë me të shoqen dhe me tre djemtë e tyre. Ai u nis në operacion në një pjesë rruge që jo pak herë është shënuar si e rrezikshme për grabitje apo sulme të ndryshme ndaj udhëtarëve apo banorëve. Shefi i krimeve që u raportua se ndodhej në një makinë civile, i kërkoi fillimisht dy prej personave të dyshuar të dorëzoheshin, ndërsa mbanin kapuç në kokë, por është qëlluar me automatik nga një i tretë duke u lënduar rëndë në pesë organe. Pas ndihmës së menjëhershme në Spitalin Rajonal, Musa Skura u dërgua me helikopter në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ai ka pësuar dëmtime në pesë organe jetësore. Mjeku Bardh Kurti në Spitalin Ushtarak tha se shefi i krimeve Musa Skura mbahet me frymëmarrje me aparate pasi mori 9 qese me gjak gjatë kur u operua për thuajse 7 orë për plagët e rënda: “Pacienti Musa Skura erdhi nga Burreli në gjendje shoku hemoragjik, kishte dëmtime të pesë organeve: Ai iu në nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale nga ora 9 (21 e së dielës) deri në 4 të mëngjesit (të së hënës). Ai ishte dëmtuar në veshkën e djathtë, e cila iu hoq fare, çarje të stomakut që iu qep, shpretka e cila gjithashtu iu hoq; dëmtime të zorrëve të holla dhe të trasha që iu qepën ose prenë si dhe dëmtim të pankreasit, i cili po ashtu iu qep. Megjithëse, i sëmuri është me parametra stabël, gjendja është shumë e rëndë, madje shumë e rëndë. Pacienti i ka parametrat jetikë në kufijtë e normës, por mbahet me frymëmarrje artificiale”. Gjendjen e njejtë e konfirmoi më pas edhe Shefi i Repartit të Terapisë Intensive në Spitalin Ushtarak, Mihal Kërçi. Raportin e doktor Kërçit e lexoi një e ngarkuar e Spitalit Ushtarak: “Pacienti Musa Skura vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe nën frymëmarrje artificiale si dhe i padalë ende nga gjendja e shokut traumatiko-hemoragjik. Ende nuk është arritur stabiliteti i parametrave jetësorë, por vazhdon trajtimi mjekësor intensiv”. Ministri i Brendshëm, Flamur Noka u zotua se do të bëhet gjithçka për shpëtimin e jetës së të lënduarit Skura: “Jemi në kontakte me një nga spitalet (San Xhovani Rotondo) më të specializuar që ka Italia në Foxha (Foggia) dhe po ashtu presim ardhjen e një avioni-spital (avion sanitar), për të mundësuar transportimin me qëllim që të kemi siguri absolute për shpëtimin e jetës së komisarit Skura”. Ministri shtoi se hetimi për ngjarjen po vazhdon, por përveçse vendimit për shpëtimin e jetës nuk mund të thoshte asgjë më shumë, për shkak të kompetencës së organeve përkatëse.

 

Tepelenë

Ngjarja e dytë e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, saktësisht disa minuta pas mesnatës, kur dy persona të maskuar dhe të armatosur, grabitën duke qëlluar me armë një autobus me 18 udhëtarë të linjës Sarandë-Tiranë. Ngjarja ndodhi pranë fshatit Majakosh të Tepelenës, në jug të vendit dhe fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar veçse disa plagëve të lehta tek udhëtarët nga copërat e xhameve që u thyen nga plumbat. Udhëtarët, shoferi dhe fatorinoja thanë se personat e armatosur qëlluan fillimisht në ajër dhe pastaj drejt autobusit, përpara se t’u grabisnin jo më shumë se 300 mijë lekë dhe disa sende, që bashkarisht nuk bëjnë më shumë se 300-400 euro apo diku te pak më shumë se 200 dollarë amerikanë. Por, policia raportoi se ishte njoftuar nga udhëtarët dhe as nga shoferi e as nga fatorinoja. Policia shtoi se ka shoqëruar dhe përfshirë në hetim për ngjarjen 16 persona, ndërsa saktësoi se të dy grabitësit ishin larguar përgjatë lumit Vjosë dhe se nuk ka ende asgjë të re. Policia vazhdoi ndërkohë një operacion të gjerë në të gjithë zonën për kapjen e grabitësve, ndërsa efektivat dhe hetuesit nisën marrjen në pyetje personat në vendngjarje për të mësuar detaje dhe hollësi rreth sulmit. Udhëtarët dhe shoferi pohuan gjithashtu se ky i fundit u kishte marrë paratë dhe gjësendet duke shmangur ngjarje të rënda dhe menjëherë është larguar nga zona duke iu drejtuar për ndihmë dhe denoncim policisë.
Sokol Bërxhaj shoferi i autobusit, u qëllua me plumb fare pranë dritares në vendin ku ishte ulur gjatë udhëtimit: “Unë reagova duke ngritur duart lart dhe duke hapur dritën e kabinës si dhe dyert e autobusit dhe i thashë se çfarë donin. Më parë më qëlluan e pastaj më thanë se donin lekët. Ua mblodha lekët udhëtarëve, afërsisht rreth 300 mijë lekët nga rreth 20 persona që ishin në autobus dhe ua dhashë grabitësve”.
Grabitësve iu dhanë paratë në dorë, të cilët nuk hynë në autobus, por qëndruan te dera e tij. “Unë dhe të gjithë të tjerët u terrorizuam nga ngjarja. Nuk guxonim të dilnin, por ua dhamë paratë grabitësve pasi edhe shoferi na tha ta bënim këtë, sepse do të na i dëmshpërblente”-tha një udhëtar. Kurse, udhëtari i lënduar lehtë ishte Vasil Jani: “Sapo kishim kaluar Tepelenën, na dolën dy vetë me kallashnikovë, te një rrugë e prishur. Menjëherë na qëlluan në xhamin e parë të autobusit. Shoferi ndaloi e u tha se çfarë kërkonin. “A doni lekë?”-i pyeti ai pasi hapi dyert e autobusit. Pasi grabitësit thanë “po, duam lekët!”, shoferi na i mblodhi dhe ua dha”.
Njejtë e treguan ngjarjet edhe udhëtarë të tjerë. Mes tyre, një grua e moshuar, rreth 70 vjeçe, Maro Ali, tha se ishte e hidhëruar me pasigurinë në rrugë: “Me revole në duar! Të nisesh për hall, se ne për hall kemi dalë, e të të dalë në autobus e të të vrasë tjetri, kjo është”!
Fatmir Veliu tregoi se si grabitësit kishin sulmuar autobusin pasi qëlluan në ajër më parë si dhe vendin ku kishin hyrë plumbat: “Qëlluan me kallashnikovë, njeri prej tyre. ja ku është edhe vendi i plumbit”.
Pas grabitjes autobusi udhëtoi drejt fshatit Iliras po të Tepelënës, për t’iu shmangur ndonjë sulmi të dytë, ndërsa të gjithë të dëmtuarit u ulën për pak qetësi dhe për të pirë ndonjë kafe në një lokal.

 

Festimet

Dy ngjarjet e rënda në Burrel dhe në Tepelenë hijezuan festimet e 100-vjetorit të themelimit të policisë. Mesditën e së dielës së 13 janarit, Presidenti Bujar Nishani dhe kryeministri Sali Berisha lëvduan punën e Policisë së Shtetit dhe përgëzuan të gjithë efektivat në vitin e 100-të të themelimit të saj. Presidenti tha se e ardhmja e shqiptarëve është e sigurtë në familjen europiane. Zoti Nishani çmoi policinë në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Presidenti Nishani nderoi policinë me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar”: “E ardhmja jonë është një e ardhme e sigurtë dhe e ndritur në familjen europiane dhe në strukturat euroatlantike. Nderim dhe mirënjohje për të gjithë ju! I paharrueshëm qoftë kujtimi i heronjve të rënë në krye të detyrës”!
Kryeministri Berisha në një akademi solemne, veçoi përballjen e policisë me sfidat më të vështira që nga ruajtja e rendit, sidomos pas vitit 2005 dhe deri te garantimi i lëvizjes së lirë duke punuar më mirë se çdo institucion tjetër. Kryeministri theksoi se pa shpartallimin e bandave kriminale nga policia, Shqipëria e shqiptarët nuk do të ishin anëtarë të NATO-s dhe as do të kishin fituar lëvizjen e lirë pa viza: “Pa shpartallimin dhe çmontimin si dhe vendosjen përpara ligjit të bandave kriminale të Aldo Bares, Nehat Kullës, Lul Berishës dhe të 206 bandave dhe organizatave të tjera kriminale, të cilat bënin ligjin në portet dhe aeroportet, rrugët dhe institucionet e vendit, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të ishin dot anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ju me përkushtim dhe seriozitet përmbushët detyrimet më shumë se çdo institucion tjetër në procesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve”.
Ceremonitë vazhduan me homazhe dhe vendosjen e kurorave me lule në memorialin e të rënëve në Akademinë e Rendit.
Me vendim të qeverisë së Ismail Qemal Bej Vlorës në 4 dhjetor 1912 u krijua ministria e Brendshme që kishte në varësi Fuqinë Civile të ndarë në Polici dhe Xhandarmëri. Në 13 janar 1913 u themelua Policia me drejtorin e parë Halim Gostivari. Drejtues të tjerë viteve të para të pavarësisë ishin Alem Tragjasi, Hysni Toska dhe Hajredin Hekali.