Platforma e Alibeajt përkrahet nga shumica e deputetëve të PD-së

Tiranë, 16 prill 2022 – Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike (PD), Enkelejd Alibeaj, i cili është edhe kryetar i grupit parlamentar të kësaj partie, tha të shtunën se platforma për bashkimin e partisë që ai e prezantoi të premten e ka marrë përkrahjen e shumicës së deputetëve të PD-së.

Në një konferencë për medie, pas takimit të grupit parlamentar, Alibeaj tha se 31 deputetë të PD-së i kanë dhënë përkrahje në përpjekjet për ribashkimin e aktivistëve të PD-së.

Ai tha se me këtë qëndrim të shumicës së grupit parlamentar do të njoftojë edhe anëtarët e Kryesisë, anëtarët e Kolegjit të Kryetarëve dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Alibeaj e kritikoi Komisionin e Rithemelimit të PD-së për organizimin e zgjedhjeve në disa degë të partisë.

“Aktet e njëanshme nuk i shërbejnë PD-së e as interesit të demokratëve”, theksoi Alibeaj.

DEKLARATA E PLOTË:

“Pas një jave diskutimesh me kolegët e grupit parlamentar, në mbledhjen e gjatë të grupit, është konkluduar në një qëndrim që përbën platformë parimesh e prpozuar deri më tani nga shumica dërrmuese e grupit parlamentar.

Me përgjegjësi të lartë ndaj Partisë Demokratike, ndaj demokratëve, me qëllimin e vetëm të bashkimit të partisë, në përballjen me regjimin e Edi Ramës, por edhe për të siguruar një premisë reale për fitoren e PD në zgjedhjet e ardhshme lokale, që do të jetë e pamundur nëse ne jemi të përcarë, 36 deputetë të grupit parlamentar të PD i kërkuan Kryetarit të PDSH z. Lulzim Basha që të bëjë një hap pas, me qëllim që ti hapte rrugë bashkimit të Partisë.

  1. Basha iu përgjigj pozitivisht kësaj thirrje, duke krijuar në këtë mënyrë një premisë të re dhe të arsyeshme, që demokratët të ndalnin menjëherë rrugën e përcarjes dhe të gjenin rrugën e bashkimit.

Disa prej kolegëve të njëjtën thirrje dashamirëse, dhe me qëllimin e vetëm për të bashkuar partinë, ja drejtuan edhe Z. Berisha. Deri më tani një thirrje e tillë nuk ka gjetur mirëkuptimin e z. Berisha. Mirëpo, kjo nuk pengon Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike që të eksplorojë cdo mundësi, cdo hapësirë, për të shmangur përcarjen e partisë. Kushdo e ka në ndërgjegjen e tij, nëse vendos në interes të parë, Partinë Demokratike, demokratët, apo veten e tij, karrigen e tij. Veprimet e secilit prej nesh do ti gjykojë koha, por edhe demokratët.

Në cilësinë time si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që në fillim kam bërë thirrje për bashkim, kam bërë akte konkrete për bashkim. Duke quajtur si pikënisje për bashkim, më së pari bashkimin e pjesëve të ndara të grupit Parlamentar. Kam kërkuar dakordësinë e kolegëve të grupit Parlamentar, që në mbledhjet e grupit të ftoja edhe kolegët deputetë që ishin pezulluar apo përjashtuar nga grupi me vendimet e 12 Janarit. Falenderoj secilin prej kolegëve për gadishmërinë e shprehur menjëherë që kjo të ndodhte. Për këtë shkak kam ftuar në mbledhjet e grupit Parlamentar të gjithë kolegët që ishin përjashtuar apo pezulluar në 12 Janar, dhe tashmë është një fakt që cdo mbledhje e grupit është bërë edhe me prezencën e tyre. Dua të falenderoj edhe secilin prej tyre që ju përgjigj pozitivisht ftesës tonë për të marrë pjesë në mbledhjet e Grupit Parlamentar të PD dhe që gjatë mbledhjeve që janë zhvilluar kanë luajtur një rol konstruktiv.

Pas këtij hapi, aktet e bashkimit duhet të jenë konkrete, dhe mbi të gjitha duhet të tregojnë që Partia Demokratike, nuk ka të tepërt asnjë anëtar të saj. Në cdo proces, në cdo strukturë, është e domosdoshme që të vlerësohet dhe ruhet kontributi dhe meritokracia e kujtdo në PD. Aktet e njëanshme, rruga e njëanshme, proceset e njëanshme dhe përjashtuese për mijëra dhe mijëra demokratë, nuk i shërbejnë Partisë Demokratike dhe për rrjedhojë as interesit të demokratëve.

Pas një jave diskutimesh mes kolegëve të grupit parlamentar, diskutimeve në mbledhjen e fundit të grupit, marrjes së shqetësimeve të tyre, si dhe mundësisë që secili koleg të bëjë propozime me shkrim, është konkluduar në një qëndrim që përbën një platformë parimesh për bashkimin e demokratëve, e propozuar deri më tani nga shumica dërrmuese e deputetëve të Grupit Parlamentar.

Konkretisht, me lejoni të citoj se kolegët:

  1. AGRON GJEKMARKAJ
  2. ALFRED RUSHAJ
  3. ANDIA ULLIRI
  4. ARBI AGALLIU
  5. BLEDJON NALLBATI
  6. DASHNOR SULA
  7. DHURATA TYLI (ÇUPI)
  8. EMILJA KOLIQI
  9. ENKELEJD ALIBEAJ
  10. ERALDA BANO (TASE)
  11. FATJON VEIZAJ
  12. FERDINANT XHAFERRAJ
  13. FLAMUR HOXHA
  14. FLUTURA AÇKA
  15. GAZMENT BARDHI
  16. GRETA BARDELI
  17. HELIDON BUSHATI
  18. ILDA DHORI
  19. JORIDA TABAKU
  20. KASTRIOT PIROLI
  21. KRESHNIK ÇOLLAKU
  22. LEFTER GËSHTENJA
  23. LINDITA METALIAJ
  24. LULZIM BASHA
  25. MERITA BAKIU
  26. ORJOLA PAMPURI
  27. RAMADAN LIKAJ
  28. SAIMIR KORRESHI
  29. SELADIN JAKUPLLARI
  30. ZEF HILA
  31. ZHENI GJERGJI

mbështesin dhe propozojnë këtë platformë parimesh për bashkimin e demokratëve:

  1. Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.
  2. Çdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, në funksion të frymës së bashkimit dhe gjithëpërfshirjes, duhet të anullohen dhe të shtyhen në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.
  3. Grupi Parlamentar duhet të ngrejë një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e proceseve të zgjedhjeve dhe organizimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posacme të Grupit Parlamentar. Vendimet e grupit të punës merren me konsensus.
  4. Grupi i Punës i ngritur nga GPPD të përcaktojë strukturat zbatuese të këtij plani bashkimi. Në nivel dege procesi realizohet nga grupe pune të përbashkëta të ngritura dhe monitoruara nga GPPD, që funksionojnë me analogji me Grupin e Punës sipas pikës 3. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarsisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga cdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Duhet të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, cështja zgjidhet nga GPPD.

  1. Grupi Parlamentar duhet të ngrejë grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Aplikimi i parimeve të mësipërme në vlerësimin e të gjithë ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Gjej rastin të apeloj cdo koleg tjetër deputet që të mbështesë këtë qëndrim, në emër të demokratëve të sakrificave, në emër të bashkimit të Partisë Demokratike, në emër të interesit të demokratëve.

Për të qenë transparent, ka patur edhe propozime shtesë të disa kolegëve, por procedura e ndjekur e konsultimit dhe hartimit të një qëndrimi që gëzonte mbështetjen më të gjerë, ishte që nëse një apo disa kolegë të tjerë nuk ishin dakord, atëherë propozimi shtesë mbi atë të mësipërmin, nuk mund të përfshihej.

Për ilustrim:

  1. a) kolegët Agron Gjekmarkaj, Ferdinand Xhaferraj, etj., kishin propozim shtesë që në qëndrim të specifikohej se Sali Berisha dhe Lulzim Basha nuk mund të kandidojnë për pozicionin e kryetarit të Partisë.
  2. b) Kolegët Alfred Rushaj, Fatjon Veizaj, etj. kishin disa komente që kishin të bënin me përcaktimin e kritereve të qarta për zgjedhjen e kryetarit të partisë apo komente të tjera shtesë.
  3. c) Kishte edhe disa kolegë që kërkonin që të specifikohej që Sali Berisha nuk mund të jetë pjesë e grupit parlamentar, apo dy kolegë të tjerë që kërkonin të specifikohej që Sali Berisha duhet të kthehej në Grupin Parlamentar.

Por, të gjitha këto çështje, sa kohë nuk kishin dakordësinë e shumicës së deputetëve që propozojnë dhe mbështesin këtë qëndrim, nuk mund të përfshiheshin në këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar. Megjithatë këto cështje janë të hapura për tu diskutuar në një moment tjetër, me frymë mirëkuptimi dhe gjithëpërfshirje.

Në përfundim më lejoni t’ju informoj se këtë qëndrim të shumicës së Grupit Parlamentar, do e bëj me dije edhe anëtarëve të Kryesisë së Partisë, anëtarëve të Kolegjit të Kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Dua të falenderoj edhe njëherë secilin prej kolegëve që me prezantimin e këtij qëndrimi, njëlloj sic vepruan me kërkesën për tërheqjen e zotit Basha, vendosin në plan të parë, interesin e Partisë Demokratike, interesin e demokratëve, ndërmarrin akte konkrete për bashkimin e Partisë Demokratike, duke ndaluar cdo rrugë të njënashme, përcarëse për partinë, dhe nga e cila përfiton vetëm Edi Rama. Tani është koha që cdo deputet, të shoh përtej interesit të tij, të shoh përtej interesit të një grupi të ngushtë, të shoh përtej qëndrimit që ka patur deri më tani, duke iu bashkuar shumicës së grupit parlamentar, në këtë qëndrim përbashkues të demokratëve.

(r.m.)