PLLAKA E URDHËRIMIT TË 11

– si një datë çlirimi –

 

Nga Visar Zhiti

 

Teksa shëtisja shkujdesur, pa e ditur se ku dhe pa datë çlirimi, që gjithsesi kthehet në një prangë të padukshme, gjethet e rëna mbulonin gjurmë këpucësh të atyre që kishin kaluar para meje, kur befas më tërheq vëmendjen në anë të trotuarit një lehëz e vogël plot pllaka me vizatime me ngjyra, një florë me estetikën e së lirës, një ekspozitë përdhé, – po thosha me vete.

Ndjeva respekt nga njerëz që s’ishin aty, që s’e dija cilët ishin, nuk të njohin, që s’e dinë se je.

Desha t’i fotografoj pllakat, mos duhej marrë leje? S’ishte askush përreth dhe unë isha në një ditë lirie timen. Nxora celularin dhe sytë më shkuan mbi njërën nga pllakat, ku ishte shkruar:

“Be kind”.

Jemi mësuar me tabelat e rrugëve, me emrat e tyre, me sinjalistikën: kthesë, udhëkryq, tren, – s’ka tabela për lamtumirat, – restorant, hotel, – dashuria aty, – shpejtësia e lejuar, kamera në krye, – kujtime në erë dhe dëshirat, – etj, reklama, mall, madje ndodh të shkruajnë me të madhe dhe një ditë çlirimi për të gjithë, e pamundur kjo, etj, etj, por rallë ndodh të gjesh një porosi e tillë, kaq thjeshtë, miqesisht e me besim:

Be Kind!

Ji i mirë, – e thashë me zë në shqipen time, se ka më fokus emocional dhe universal, po i shpjegoja vetes dhe menjëherë m’u ndërmendën pllakat e gurta të “10 Urdhërimeve” të Hyjit në Bibël, që ranë nga Qielli për Moisiun në Malin Sinai (Eksodi 31:18) dhe që u bënë baza e etikës me ndikim të thellë në kulturat e botës.

Të jesh i mirë, – lexon befas në rrugë anglisht: Be Kind! – Porosi që këtë radhë vinte nga toka. Dhe i ngjan një çlirimi të munguar.

I kundrova dhe një herë të gjitha pllakat, vizatimet dhe ngjyrat m’u dukën se kishin diçka nga duart e fëmijëve. Është Urdhër i tyre, besoj, pa ndonjë shenjë pikësimi në fund, pikë a pikëçuditëse a tre pika dhe na e kishin lënë aty ku ecim, te këmbët, por në anë për të mos penguar. Fëmijët s’guxojnë më shumë ndaj nesh dhe sa të sinqertë që janë, sa të mençur! Ata janë çlirimtarët e vërtetë.

Ji i mirë, që tani, edhe i rritur… Apo ato pllaka i kanë punuar të rriturit, brenda të cilëve ende ruhet fëmija dhe na i vunë përpara si në një lojë gazmore, por sa serioze! Një porosi aq e urtë s’të bën keq. S’është si një datë e dhunshme çlirimi e një vendi, kur njerëzit s’janë të lirë. Të dish të arrish tek tjetri si tek vetja, të shkosh si në histori tek e ardhmja me një çelës që e dije të humbur, por e kanë lënë në anë të rrugës për ty:

Be kind!

Ji i mirë!

Visar Zhiti