Polemika rreth një filmi mbi burgjet në Turqi

“Të burgosurit mbahen në qeli për 23 orë, dhe u lejohet të flasin me të burgosurit e tjerë vetëm një orë në javë”, thotë regjisori Huseyin Karabey

 

Një film i ri në Turqi mbi kushtet e rënda në burgjet e “Tipit F” ka ngjallur polemika të ndezura. Në këto burgje mbahen shumë të dënuar për terrorizëm dhe të burgosur politikë. Kushtet e burgimit në mjediset që janë ndërtuar në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian, janë bërë objekt shqetësimi në rritje.
Një skenë nga filmi i ri turk “Tipi F”… Është një realizim i përbërë nga 10 filma me metrazh të shkurtër nga disa prej regjisorëve dhe producentëve më të mirë në Turqi për burgjet e sigurisë së lartë të tipit F. Të gjithë filmat përqëndrohet tek efekti shkatërrimtar që ka vetmia e tejzgjatur shpjegon regjisori Huseyin Karabey.
“Të burgosurit mbahen në qeli për 23 orë, nuk mund të kontaktojnë të burgosurit e tjerë dhe u lejohet të flasin me të burgosurit e tjerë vetëm një orë në javë. Njeriu është qënie sociale; ky lloj dënimi shkatërron karakterin e të burgosurit. Për individë të fortë, rezultati është një depression i rëndë, më të dobëtit përpiqen të kryejnë vetëvrasje”.
Burgjet e Tipit F kanë përgjithësisht individë të dënuar për terrorizëm ose krime politike, përfshirë komplote kundër qeverisë. Të burgosurit mbahen të vetëm në qeli, ose në qeli të përbashkëta për katër vetë. Ndër ta ka edhe individë që presin të dalin në gjyq. Gazetari Nedim Sener u akuzua për komplot kundër qeverisë dhe u mbajt në paraburgim për 13 muaj:
“Mund ta përshkruaj qelinë si një varr prej betoni – thotë ai. “Një vend ku njeriu lihet të kalbet. Të dëmtohet shikimi, sensi i shijes dhe i prekjes zhduket. Humbet reagimi ndaj ngjyrave. Kanë gjetur një sistem që të vret shpirtin. Pasi del nga burgu, nuk arrin të kthehesh më në jetë”.
Burgjet e Tipit F kanë zëvendësuar burgjet e mëparshme që u ngjanin konvikteve dhe kishin marrë nam të keq për kushtet e këqija higjeno-sanitare dhe dhunën mes të burgosurve. Burgjet e vjetra kritikoheshin nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, mjediset në burgjet e Tipit F janë vlerësuar për higjenën si nga BE, ashtu edhe organizatat ndërkombëtare. Por Emma Sinclair Webb e organizatës Human Rights Watch thotë se ka ende plot shqetësime:
“Problemi nuk zgjidhet vetëm duke ndryshuar mjedisin fizik. Duhet të ndryshohet edhe regjimi i burgjeve, fakti që shumë njerëz mbahen në kushte izolimi, ku dëmtohet shëndeti mendor”.
Filmi synon të ndërgjegjësojë publikun turk për kushtet në burgjet e reja. Regjisorët shpresojnë se filmi do të ndihmojë organizatat turke për të drejtat e njeriut në betejën e tyre për të lehtësuar kushtet e izolimit. Për momentin qeveria ka përjashtuar mundësinë e ndryshimeve, duke vënë në dukje se edhe vende si Shtetet e Bashkuara zbatojnë izolimin kundër kriminelëve të rrezikshëm. Vëzhguesit paralajmërojnë se nuk ka gjasa për reforma në kushtet e një presioni të vogël dhe joefektiv ndërkombëtar, dhe ndërkohë që popullata vendase nuk është e mirë-informuar për problemin. (VOA)