Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Policia e Kosovës ka mohuar pretendimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, se një qytetar serb është keqtrajtuar afër digës së Ujmanit.
Në reagimin e Policisë së Kosovës thuhet se zyrtarët policorë vetëm e kanë legjitimuar një person, i cili ka qenë duke bërë incizime me telefon në atë lokacion.
Policia e Kosovës bëri të ditur se pikërisht në këtë lokacion, në tri raste, ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të jesëtarëve të policisë, të cilët, siç thuhet në njoftim, “në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale”.
Drejtorit i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të dielën, shkroi se të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, e kishte informuar se një punonjës serb në Liqenin e Ujmanit “është keqtrajtuar nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës”.
“Ia morën çelësat rojës, ia grisën flamujt. BE-ja duhet ta frenojë ngacmuesin dhe uzurpatorin Kurti nga veprimet e tij të njëanshme dhe të armatosura me të cilat dëshiron të shkaktojë luftë!”, shkroi Petkoviq.
Situata në veri është tensionuar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka organizuar sulmin ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ndaj pjesëtarëve të policisë, në veri të Kosovës, më 6 dhjetor.
(r.m.)