Prishtinë, 24 qershor 2023 – Sot, në kampin “Belvedere” në Mitrovicën Jugore u ekspozua armatimi, i cili u konfiskua të premten në mbrëmje në një veturë me targa të Beogradit në Zveçan.
Në veturën e tipit “Audi” janë gjetur sasi të madhe të armëve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshirë: zolla, osa, eksplozivë, armë automatike, sasi të konsiderueshme të municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake.
Policia ekspozoi: 9 zolla, dy lansues, 2 osa, 1 predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha trombloni, dy mbushës baruti, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhues të armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurta, 5,756 fishekë të kalibrit të ndryshëm, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, 5 thika ushtarake, 11 jelekë anti plumb dhe jelek taktikë, 9 uniforma ushtarake, një palë dylbi, 2 maska pambuku për kokë, një maskë kundër helmeve e gazrave, një dyshek ushtarak për nevoja të snajperistëve 19 emblema të “Severna Brigada” (Brigada e Veriut), një telefon ajror me sim kartelë dhe me numër, tre radiolidhje me mbushje dhe një sasi e narkotikëve.
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha bëri të ditur se pjesa dërrmuese e armatimit dhe mjeteve shpërthyese janë prodhim i Serbisë. Ai tha se ka dyshime të bazuara në sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan janë përdorut granata të njëjta me këto që u sekuestruan të premten.
“Vlen të theksohet se nga totali i granatave të sekuestruara 15 prej tyre janë të prodhuara në vitin 2021. Dhe nga ekzaminimi preliminar të ekspertëve të eksplozivëve të Policisë së Kosovës ekziston dyshimi i bazuar se lloji i njëjtë i granatave është përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it më datë 29 maj, në protestën e dhunshme në Zveçan”, tha Hoxha.
(r.m.)