Policia e Kosovës futet në Manastirin e Banjskës, raportohet për disa sulmues të vrarë

Prishtinë, 24 shtator 2023 – Mediet në Kosovë, duke iu referuar burimeve të tyre  brenda strukturave të sigurisë, raportojnë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës e ka marrë nën kontroll Manastirin e Banjskës në veri të Zveçanit, ku ishte barrikaduar grupi i armatosur që sulmoi policinë e Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, disa sulmues janë vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit, por Policia e Kosovës konfirmoi se tre sulmues janë vrarë, një është arrestuar, kurse katër persona të dyshuar se kanë ndihmuar sulmuesit gjatë sulmeve ndaj policisë janë ndaluar.

Telegrafi mëson se sulmuesi i parë i arrestuar nga Policia e Kosovës është B.S., i lindur në vitin 1992, nga Mitrovica e Veriut, pjesëtar i strukturës serbe e sigurisë, Mbrojtja Civile, e cila vepron në mënyrë ilegale.

Njëri nga serbët e armatosur i arrestuar në Banjskë

Njëri nga serbët e armatosur i arrestuar në Banjskë

Në hapësirat e manastirit është gjetur sasi e madhe e armatimit dhe pajisje të grupit kriminal.

49 pelegrinë që gjendeshin në manastir janë dërguar në stacionin e policisë në jug të Mitrovicës, për t’i verifikuar dhe testuar për parafinë nëse kanë shtënë me armë.

Grupi kriminal i armatosur i përbërë prej mbi 30 personave ishte barrikaduar në Manastirin e Banjskës dhe në objektet përreth, prej nga e ka sulmuar Policinë e Kosovës gjatë gjithë ditës.

KFOR- ka njoftuar se pjesëtarët e këtij misioni gjenden në afërsi të Banjskës dhe janë në gatishmëri të reagojnë nëse vlerësohet e nevojshme.

(r.m.)